ALIS është sistemi përmes të cilit realizohet katalogimi dhe pasurimi i fondit të Bibliotekës Kombëtare, administrimi i periodikëve, anëtarësimi, huazimi dhe raportimi, duke i bërë këto procese më të organizuara dhe efikase. Të dhënat bibliografike janë të aksesueshme për publikun përmes katalogut online OPAC, ndërsa ndërveprimi i ALIS me portalin e-Albania mundëson ofrimin elektronik të disa prej shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare.
Por, siç bëri të ditur përfaqësuesi i Bibliotekës Kombëtare, Besmir Lumani, ky sistem prej kohësh ka rreshtuar së funksionuari.
“Ky sistem ka dy vjet që është komplet jashtë funksionit sepse ka mbaruar kontrata e shërbimit midis AKSHI-t dhe operatorit ekonomik fitues”, tha përfaqësuesi i Bibliotekës Kombëtare, Besmir Lumani.
Në Komisionin Parlamentar të Kulturës, Lumani zbuloi dhe një fakt tjetër. Serveri dhuruar nga Bashkimi Evropian përmes programit UNOPS, ka mbetur po ashtu pa u vënë në punë
“Kemi pengesa me digjitalizimin dhe memorjen e brendshme, pasi AKSHI ka nxjerrë jashtë përdorimit hardisqet e jashtme. Serverat na ndihmojnë, por nuk janë vënë ende në punë.”, vijoi Lumani.
Kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa, e cilësoi këtë situatë si një bllokim që cënon drejtpërdrejt qytetarët dhe trashëgiminë kulturore, ndërsa kërkoi ndërhyrje institucionalisht.
“Si komision, me njohjen e kësaj problematike, t’i drejtohemi AKSHI-t me një kërkesë zyrtare për të shtyrë më tej këtë çështje, sepse bëhet fjalë për kulturën kombëtare dhe identitetin. Biblioteka u shërben qytetarëve shqiptarë. Është e paarsyeshme që serverat e dhuruar nga UNOPSI të mos vihen në funksion për shkak të problematikave të AKSHI-t. Është detyra jonë ta kthejmë vëmendjen te kjo çështje.", tha Ina Zhupa, kryetare e Komisionit për Kulturën.
Biblioteka në fakt nuk është i vetmi institucion që përballet me mungesën e shërbimeve që duhet të garantohen nga AKSHI. Që kur përfundoi nën hetim, pjesa dërrmuese e shërbimeve që kalonin përmes saj, kanë stopuar. Qeveria ka ngritur një shoqëri me kapital shtetëror, Albania Digital Solutions, e cila do të ofrojë tanimë shërbimet pa kaluar te privati. Drejtuesit e Bibliotekës Kombëtare shpjeguan për “Report TV”, se brenda disa javësh presin që problemi të tejkalohet.










Komente
Komento