Furnizimi me energji elektrike është kthyer në një shqetësim serioz për banorët e fshatit Barbullojë, në Lezhë. Krahas errësirës së shpeshtë, luhatjet e tensionit gjatë gjatë ditëve të fundit u kanë djegur pajisjet elektroshtëpiake, duke u rrezikuar edhe jetën në banesa.
Të revoltuar nga kjo situatë e vazhdueshme, banorët thonë se problemi me energjinë elektrike është i përsëritur dhe tashmë përbën rrezik për jetën dhe sigurinë e tyre. Sipas tyre, pavarësisht ankesave të vazhdueshme, asnjë investim nuk është kryer në rrjetin elektrik, i cili është i amortizuar dhe në gjendje të rënduar.
“Nuk është hera e parë që nuk kemi energji elektrike. 17 familje jemi pa energji elektrike Faturat i paguajmë rregullisht po shërbimi është zero”, tha një banor i zonës.
“Më kanë djegur frigoriferin dhe kondicionerin, më ka marrë flakë shtëpia. Nuk kanë marrë asnjë masë. Dritat na ndërpriten shpesh”, tha një tjetër.
Pas problematikave të shumta të diteve të fundit, përfaqësues të Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kanë inspektuar nga afër situatën në terren. OSHEE bën me dije se fillimisht do të kryhet një ndërhyrje e shpejtë për të minimizuar defektet të cilat shkaktohen nga rrjeti i amortizuar dhe në të ardhmen e gjithë zona do te jete pjesë e investimeve për t'i dhënë zgjidhje perfundimtare problematikave me energjinë elektrike.
Komente









