Probleme me kujtesën?
Ndiqni këto këshilla

Probleme me kujtesën?<br />Ndiqni këto këshilla
Të përmirësohet kujtesa nuk është aq e thjeshtë. Ashtu si formimi i një fiziku të mire kërkon orë të tëra ushtrimesh e dietë strikte, edhe rritja e performancës së trurit kërkon përpjekje. Pavarësisht nëse jeni student, nëse punoni apo jeni i moshuar dhe doni të ruani performancën e trurit, ka shumë gjëra që mund t’ju ndihmojnë të përmirësoni kujtesën dhe mendjen.

1. Mos lini pas dore ushtrimet fizike dhe gjumin.

Kur stërvisni trupin, stërvisni mendjen. Ushtrimet fizike shtojnë oksigjenin në tru dhe reduktojnë riskun për sëmundje që dëmtojnë kujtesën, si diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare. Gjithashtu, nëse keni mungesë gjumi, truri nuk mund të punojë me kapacitet të plotë. Kreativiteti, aftësitë për zgjidhjen e problemave dhe të menduarit kritik kompromentohen. Studimet theksojnë se gjumi është i domosdoshëm për konsolidimin e kujtesës.

2. Konsumoni ushqime të shëndetshme për trurin.


Njëlloj si trupi, edhe truri ka nevojë për “karburant”. Me siguri e dini që një dietë e pasur me fruta, perime, drithëra dhe yndyrna të shëndetshme i bën mirë shëndetit, por një dietë e tillë ju ndihmon edhe për kujtesën.
- Konsumoni omega-3. Gjithmonë e më tepër të dhënat tregojnë se acidet yndyrore omega-3 janë veçanërisht të shëndetshme për trurin. Peshku është veçanërisht i pasur në omega-3, sidomos peshqit e ujërave të ftohta, si salmoni, toni, trofta, sardelet. Konsumimi i peshkut ul edhe riskun për zhvillimin e sëmundjes Alzheimer.
- Sa më pak yndyrna të ngopura. Burimet kryesore të yndyrnave të ngopura janë produktet shtazore: mishi I kuq, qumështi i paskremuar, gjalpi, djathi, akulloret.
- Më tepër perime dhe fruta. Këto produkte janë të pasura në lëndë antioksiduese, substanca që mbrojnë qelizat e trurit nga dëmtimet. Përdorni perimet jeshile si spinaqi, brokoli, sallata jeshile, rukola, si dhe frutat si kajsitë, mangot, pjepri dhe shalqiri.

3. Stërviteni trurin.


Nëse kryeni çdo ditë të njëjtat aktivete mendore, nuk i jepni trurit tuaj stimulimin e nevojshëm për t’u rritur dhe zhvilluar. Herë pas here, duhet të thyeni rutinën. Kujtesa, ashtu si forca muskulore, duhet “përdorur, përndryshe humbet”. Aktivitete të tilla stimuluese mund të jenë çfarëdolloj, boll të përmbushin këto tre kritere:
-Të jetë diçka e re. S’ka rëndësi se sa intelektual është aktiviteti, nëse është diçka e re, është një ushtrim i mirë për trurin.
-Të jetë sfidues. Çdo gjë që kërkon njëfarë mundimi mendor dhe ju zgjeron njohuritë, vlen. Shembuj të mirë janë mësimi i një gjuhe të re, i një instrumenti muzikor apo i një sporti. Po ashtu ndihmojnë edhe zgjidhja e fjalëkryqeve dhe një lojë Sudoku.
-Të jetë argëtues. Sa më i interesuar dhe i angazhuar të jeni në aktivitet, aq më tepër gjasa ka që të vazhdoni ta kryeni atë, e aq më tepër përfitime do të keni.

4. Përmirësoni aftësinë tuaj për të mësuar dhe mbajtur mend duke:


-Kushtuar vëmendje.
Nevojiten të paktën tetë sekonda përqëndrim i mire për të përpunuar një informacion në kujtesë. Nëse shpërqendroheni, zgjidhni një vend të qetë ku nuk do të ndërpriteni.
-Përdorur sa më tepër shqisa.
Përpiquni ta lidhni informacionin me ngjyrat, teksturën, aromat dhe shijen. Shkruarja e informacionit mund t’ju ndihmojë ta gdhendni në kujtesë. Edhe nëse kujtesa pamore është pika juaj e fortë, lexojeni me zë të lartë atë që doni të memorizoni.
-Për materiale komplekse, përqendrohuni në të kuptuarit e ideve bazë më tepër se në memorizimin e hollësive të caktuara. Praktikohuni duke ia shpjeguar idetë dikujt tjetër me fjalët tuaja.
-Përsëriteni informacionin që keni mësuar. Rishikojeni atë që mësuat po atë ditë, por edhe më vonë.

Mbani nën kontroll
stresin duke medituar

Stresi është një prej armiqve më të këqinj të trurit. Stresi kronik shkatërron qelizat e trurit dhe dëmton hipokampusin, regjionin e trurit që merr pjesë në formimin e kujtimeve të reja dhe rikujtimin e atyre të shkuara. Të dhënat shkencore mbi përfitimet shëndetësore të meditimit vazhdojnë të shtohen. Studimet tregojnë se meditimi ndihmon në shumë sëmundje, si depresioni, ankthi, dhimbja kronike, diabeti dhe hipertensioni. Gjithashtu, meditimi përmirëson përqendrimin, vëmendjen, kreativitetin dhe aftësitë për të mësuar dhe arsyetuar.

7 gjërat që ju duhet të mësoni për kujtesën

1. Për njëfarë kohe gjatë viteve ’60, u ngrit hipoteza se të gjitha qelizat e trupit të njeriut ishin në gjendje të ruanin kujtime, pra jo vetëm ato në tru, një ide e njohur si kujtesa qelizore. Kjo u mbështet në raportet që marrësit e transplanteve krijonin zakone dhe kujtime të reja, por teori të tilla tani konsiderohen pseudoshkencore dhe nuk janë vërtetuar.
2. Flashbacks quhen kujtimet e pavullnetshme (dhe të përsëritura), në të cilat një individ përjeton në mënyrë të papritur dhe të fuqishme një ngjarje të kaluar, ndonjëherë aq intense sa personi e “ripërjeton” përvojën, pa qenë në gjendje të kuptojë plotësisht se është vetëm një kujtim dhe jo diçka që po ndodh realisht. Kujtime të tilla të pavullnetshme shpesh janë ngjarje traumatike ose ndodhi me ngarkesë të lartë emocionale dhe shpesh ndodhin në periudhat me stres të lartë ose me ushqyerje të pamjaftueshme, megjithëse nuk janë të qarta mekanizmat dhe shkaqet.
3. Studimet kanë treguar se vëmendja ka ndikim të madh mbi kujtesën në fazën fillestare të kodimit të informacionit që marrim, por nuk luan fare rol në fazën e rikujtimit të informacioneve apo ngjarjeve. Prandaj, hutimi apo shpërqendrimi gjatë të mësuarit mund të dëmtojë rikujtimin e informacionit, ndërsa shpërqendrimi në kohën e rikujtimit të informacionit thjesht mund të vonojë pak procesin, por nuk ndikon në saktësinë e tij.
4. Një studim i Universitetit të Miçiganit sugjeron se vëmendja dhe përpunimi i kujtesës afatshkurtër ndikohen drejtpërdrejt nga mjedisi rrethues. Dy grupe individësh u testuan për vëmendjen dhe kujtesën afatshkurtër, njëri grup pas një shëtitjeje qetësuese në një park, dhe tjetri pas ecjes në rrugët e zhurmshme të qytetit. Ata që bënë shëtitjen në park kishin rezultate më të mira në test.
5. Ndërkohë që të moshuarit kanë më tepër vështirësi se të rinjtë me mësimin përmendësh, si mbajtja mend e lista fjalësh ose numrash, ata janë më të aftë se të rinjtë në rikujtimin e fakteve dhe detyrave. Kjo ndodh pjesërisht pasi të moshuarit, duke grumbulluar më tepër përvoja dhe informacione të jetës së përditshme, kanë një rrjet më të dendur lidhjesh nervore në kujtesën afatgjatë, e pjesërisht sepse kanë pasur kohë që të organizojnë më mirë faktet dhe përvojat në një formë më hierarkike e të lehtë për t’u rikujtuar.
6. Studimet tregojnë se si kujtimet episodike, edhe ato semantike, mund të rikujtohen më mirë nëse përdoret e njëjta gjuhë si për kodimin edhe për rikujtimin e tyre. Për shembull, emigrantët rusë në Shtetet e Bashkuara mund kujtojnë më tepër hollësi të jetës së hershme të tyre kur pyetjet paraqiten në rusisht sesa kur ato bëhen në anglisht.
7. Studimet tregojnë se karakteristikat e mjedisit kodohen si pjesë e kujtimit dhe mund të përdoren për të përmirësuar rikujtimin e informacioneve të tjera që janë pjesë e atij kujtimi. Me fjalë të tjera, ju mund të kujtoni më tepër gjëra kur ambjenti është i ngjashëm me atë në të cilin është përvetësuar ai informacion. Studentët kanë rezultate më të mira në provime kur mësojnë në qetësi, duke qenë se zakonisht provimet kryhen në qetësi.

(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet