Erzeni do vijojë të jetë pjesë e Superligës sezonin e ri. Shijakasit kanë mbledhur bordin drejtues dhe kanë vendosur që të vijojnë garën, paçka se kohët e fundit ekipi është lidhur me disa probleme financiare.
Në takimin e djeshëm të bordit të drejtuesve, është marrë vendimi që klubi të përfaqësohet në mënyrë dinjitoze sezonin e ri. Tanimë pritet që të zgjidhet trajneri përfundimtar dhe të rinovohen kontratat me lojtarët.
"Pas shumë spekulimeve që ka patur së fundmi në opinionin sportiv bëjmë me dije se KF Erzeni gëzon statusin aktual e një prej ekipeve që merr pjesë në “Abissnet Superiore” dhe sezonin e ardhshëm 2023-2024. Një punë e palodhur dhe investim serioz i drejtuesve, do jetë fokusi për vazhdimin në mënyrë dinjitoze në garat elitare të kampionatit shqiptar të futbollit sipas vendimeve që u morën sot (dje) nga bordi", njoftojnë shijakasit.
Kujtojmë se më shumë se gjysmën e sezonit të shkuar, Erzeni ishte "Hirushja" e Superligës, me shijakasit që për disa javë ishin mes skuadrave të kreut, teksa në fund ia dolën të siguronin mbijetesën falë fitores në play-off me Korabin.