“Për mua Lazio është favorite në Conference League, por ndoshta problemi i tyre është Zoti Tare. Ai nuk kërkon ta fitojë Conference League, e ka quajtur si kompeticioni i dështakëve,”-me këtë deklaratë Jose Mourinho, trajneri i Romës thumboi drejtorin sportiv të Lazio-s, ekipit që u eliminua nga Europa League dhe zbriti në Conference League.
Mirëpo nuk ka vonuar shumë përgjigjja e shqiptarit, i cili nuk e ka përmendur direkt Mourinho-n, por ka lënë të kuptohet se kë ishte.
“Për të mirën e klubit, është e rëndësishme për Lacion që të luaj çdo vit në arenën europiane. Tani që jemi në Ligën e Konferencës, dua që Lacio ta nderojë atë deri në fund. Duhet të bëjmë më të mirën për t’a fituar. Një trofe mbetet gjithnjë i rëndësishëm,”- ishin fjalët e Tares për “Radiosei”.
Këto thumbime mes palëve vijnë për shkak se të dielën në orën 18:00 luhet derbi i kryeqytetit në Seria A mes Romës dhe Lazio-s. Roma nga ana tjetër vijoi aventurën në Europa League dhe sezonin e kaluar fitoi kompeticionin e Conference League në finalen e Tiranës.