LEZHE- Kryekomunari i Shëngjinit Salvador Kaçaj, e quan sulm politik procedimin penal të nisur ndaj tij nga Policia e Shtetit tre ditë më parë për mbytjen e personave në plazhin e Shëngjinit.
 
Sipas Kaçaj, më parë do të ishin ndjekur penalisht kryetaret e njësive vendore të Durrësit dhe Sarandës, pasi raste të mbytjeve në det kanë ndodhur edhe në këto zona bregdetare, ndërsa shton se “vendosja e rojeve bregdetare dhe e kullave të vrojtimit është detyrim i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe jo e komunës”.
 
“Rastet e mbytjeve në det kane ndodhur edhe në Durrës e Sarandë dhe nuk është marrë asnjë mase ndaj krerëve të njësive vendore. Kjo është politikë për të dëmtuar imazhin e Shëngjinit, unë nuk jam këtu për t’u mësuar notin njerëzve ne jemi në punë gjatë 24 orëve dhe ky veprim i policisë është një turp. Qeveria po e penalizon veriun dhe tëgjitha projektet po i dërgon në bregdetin e jugut dhe kjo është një turp që Shëngjini dhe Velipoja po penalizohet. Shëngjini është i mbushur këtë sezon si asnjëherë më parë dhe këtë fluks nuk mund ta ndalë”, thotë Kaçaj në reagimin e tij.
 
Tre ditë më parë Policia e Lezhës dërgoi për procedim penal kryekomunarin e Shëngjinit Salvador Kaçaj me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi sipas policisë nuk ka marrë masa për sigurinë e pushuesve gjatë këtij sezoni turistik.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)