43-vjeçari akuzohet nga Krimi Ekonomik se në kohën kur drejtonte Leskovikun ka shitur tokë në pronësi të Bashkisë, duke vepruar në kundërshtim me ligjin.
Procedimi është bërë nga specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale: “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Ish-kryebashkiaku Guda e cilësoi procedimin penal të nisur ndaj tij si hakmarrje dhe shantazh politik. Guda thekson se "e gjitha është një hakmarrje e pastër politike, e cila vjen pas presionit të bërë gjatë kësaj fushate nga strukturat e policisë të drejtorisë së Policisë Korçë".
REAGIMI I PLOTE I ISH-KRYEBASHKIAKUT
Njoftimi mediatik për procedim penal ndaj meje erdhi menjëherë pas fushatës së ashpër elektorale për zgjedhjet e parakohshme vendore të Bashkisë Kolonjë. E gjitha është një hakmarrje e pastër politike, e cila vjen pas presionit të bërë gjatë kësaj fushate nga strukturat e policisë kriminale të drejtorisë së Policisë Korçë, elementë të së cilës duke më kërkuar të rrija rehat më kanë komunikuar se në lidhje me personin tim ka disa çështje për tu sqaruar.
Gjithashtu pjesë e këtij presioni ka qenë edhe konfrontimi fizik ndaj meje mesnatën para datës së zgjedhjeve, ku jam kërcënuar me jetë nga persona të paidentifikuar me fytyre te mbuluar dhe me pistoletë, ngjarje për të cilën kam bërë dhe denoncimin përkatës.
Momenti pas nje viti nga lënia e detyrës dhe menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme vendore për bashkinë Kolonjë, që është bërë ky procedim penal më japin gjithë arsyet se kjo është një hakmarrje dhe shantazh politik.
Duke lënë veten time në dispozicion të drejtësisë për zbardhjen e këtij procesi të montuar politikisht, garantoj gjithë qytetarët e Leskovikut se asnjë rast nuk i kam tradhtuar, por më i vendosur se kurrë do jem me ta kundër kësaj qeverie armike për vdekje të votës së lirë dhe kundërshtarëve të saj politikë.
dy.b/er.nu/shqiptarja.com