Jashtë parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se Shqipëria po negocion për anëtarësimin në BE duke u bazuar në lobime korruptive. Ai hodhi akuza ndaj qeverisë se nuk publikon asnjë informacion nga takimet në Bruksel dhe opozita njoftohet vetëm nga miqtë e saj. Berisha bëri thirrje që vendet europiane të denoncojnë këtë praktikë.

“Shqipëria është i vetmi vend që negocion bazuar në lobime korruptive dhe jo në parimet themelore të pëcaktuara nga BE për procesin e integrimit. Franca, me lobimin korruptiv të saj, arrin të përjashtojë plotësisht shqiptarët nga procesi i integrimit. Nëse serbët, maqedonasit, marrin informacion të saktë pas çdo takimi në Bruksel, qeveria shqiptare nuk publikon qoftë edhe një fjalë të vetme në ato mbledhje që vendosin për fatin e integrimit të të gjithë shqiptarëve. Opozita merr vesh nëpërmjet miqve të saj në takimet e COELIA-s sepse qeveria nuk jep asnjë njoftim. Ky s’është proces i mbyllur, përfaqësuesi merr pjesë të mos i thotë asnjë fjalë vendit të tij përveç kryeministrit. Shqipëria s’e bazon procesin e integrimit në transparencë e gjithëpërfshirje, por në lobime të turpshme korruptive. I bëj thirrje Komisionit Europian, BE, vendeve europiane të denoncojnë këtë praktikë të turpshme”, tha Berisha.

Ai foli edhe për pranimin e kërkesës së tij nga GJKKO që kryeministri Rama të thirret si dëshmitar në dosjen “Partizani”, në cilësinë e ish-kryebashkiakut të Tiranës. Berisha kërkoi që seancat të bëhen në prani të mediave.

“Thirrja e tij, unë them që çdo gjykatës serioz vendos marrjen në ndjekje penale të Ramës në ato akte. Do të jemi ballë për ballë, i thoni të bëhet burrë, të mos kërkojë seancë pa media, të kërkojë mediat aty, kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ta shohin shqiptarët cili është Edi Rama. E pres të shkojmë. U them ta afrojnë. Populli e pret këtë”, përmbylli Berisha.


Lajmi kryesor:

LIVE TV - Kuvend/ Shtyhen tre interpelancat e kërkuara nga opozita me Nufin, Kumbaron e Koçiun