Procesi i Berlinit vazhdon në mars
Mediat: Do të mbahet në Prishtinë

Procesi i Berlinit vazhdon në mars<br />Mediat: Do të mbahet në Prishtinë
BE dhe Prishtina po përgatisin samitin e ardhshëm ministror të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohen projektet konkrete të investimeve në infrastrukturë rajonale, vazhdim ky i iniciativës së kancelares Angela Merkel në Berlin.
 
Kosova do të jetë mikëpritëse e samitit të ardhshëm të “Western Balkans 6”, përkatësisht i takimeve të shteteve të Europës Juglindore që janë në proces të integrimeve europiane.
 
Samiti i parë u mbajt në Berlin me ftesën dhe pjesëmarrjen e kancelares Merkel për të diskutuar projektet konkrete investuese që kanë karakter rajonal në Ballkan.
 
Pas samitit të Berlinit u mbajt takimi i ministrave të punëve të jashtme dhe zhvillimit ekonomik në Beograd, ku Kosovën e përfaqësoi Enver Hoxhaj dhe Fadil Ismajli.
 
Sipas mediave kosovare tani do të mbahet edhe takimi i radhës edhe atë në Prishtinë, ku priten të vijnë ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Serbisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe vetë Kosovës si dhe ministrat e transportit të këtyre shteteve.
 
Formati do të jetë i njëjtë si samitet e shkuara dhe pritet edhe prezenca e zyrtarëve të lartë të Komisionit Europian si dhe bankave europiane. Ideja e këtij samiti, që pritet të mbahet në fund të marsit në Prishtinë, është të konkretizohen projektet e diskutuara në Berlin si ato të hekurudhës, ashtu edhe autostradat, projektet e infrastrukturës energjetike, etj.
 
Kështu pritet që Ministri i Jashtëm i Kosovës për herë të parë në kapacitet zyrtar të pret edhe komisionarë europianë por edhe ministrin serb, Ivica Daçiç, me të cilin më herët ka negociuar në kapacitet të kryeministrit.

Sa i përket Kosovës, ajo ka identifikuar vazhdimin e autostradës Prishtinë-Nish për tu lidhur me korridorin 8 europian, pastaj projektet e traseve hekurudhore për Shqipëri dhe Mal të Zi si projekte prioritare. 


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf