Pisha e zezë në vendin tonë rrezikon degradimin si pasojë e proçesionares, e njohur ndryshe si krimbi i pishës.
Fenomeni është i ndjeshëm edhe këtë vit në zonën e Pukës dhe Fushë-Arrëzit, njohur si kryeqendra e pyjeve shqiptare.
Sipas ekspertëve pyjorë, proçesionarja rrezikon rreth 25 mijë hektarë pyje në këtë zonë.
“Pasojat e proçesionares në pishën e zezë janë kryesisht ngadalësimi i zhvillimit, madje nuk mungojnë edhe rastet që sjellin tharjen e plot të saj. Ka ndodhur që këta drurë të shkojnë deri në tharje",- thotë Sokol Vata, inxhinier pyjesh.
Sipas ekspertëve, shkak për përhapjen masive të krimbit të pishës janë bërë edhe kushtet klimatike.
“Një ndër shkaqet kryesore të përhapjes së proçesionares te pisha e zezë janë edhe ndryshimet klimatike që po ndodhin, me dimra të butë dhe verë të ngrohtë. Kjo ka bërë që proçesionarja të ngjitet lart në kurorat e pishës së zezë",- thotë Artmir Dodaj, inxhinier pyjesh.
Por proçesionarja nuk është kërcënim vetëm për drurët pyjorë. Pasojat, disa herë, sipas specialistëve, janë shfaqur edhe tek njerëzit dhe në bujqësi.
“Është kancerogjene për lëkurën. Pluhuri i saj, nëse bie në kontakt me lëkurën, shkakton ekzema. Po ashtu, pasoja janë vërejtur edhe në bujqësi, kryesisht te molla dhe domatja",- thotë Vata.
Prej vitesh diskutohet ngritja e një laboratori për luftimin e këtij fenomeni. Madje, një pjesë e pajisjeve kanë mbërritur nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve, por ende laboratori i premtuar nuk është plotësuar dhe vënë në punë, ndërkohë që fenomeni natyror sa vjen e zgjerohet duke lënë pasoja shpesh të parikuperueshme për ekonomit pyjore të vendit tonë
Komente












