Procesverbalet/ Kur Berisha tentoi të fuste në burg Genc Rulin për skandalin e drurit të arrës në ’95, si mbrojti Pandeli Majko

Tre vjet më parë akuzonte Lulzim Bashën se kishte bërë listat e deputetëve me gruan e tij dhe kunatin, ndërsa sot Genc Ruli është pjesë e një komisioni të ngritur nga Basha për vlerësimin e kandidatëve për deputetë. Pas rikthimit, Ruli i dha edhe një mesazh të koduar Sali Berishës, teksa tha se Berisha e ka marrë tashmë lavdinë nga politike, duke i kërkuar në mënyrë të tërthortë t’i japë fund karrierës politike dhe të mos kandidojë për deputet në zgjedhjet e 2021. Genc Ruli ka qenë për 8 vite ministër në qeverinë ‘Berisha’ 2005-2013, katërvjeçarin e parë ministër i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, ndërsa , katërvjeçarin e dytë ministër i Bujqësisë.

Ruli është në listën e të kallëzuarve nga Kuvendi për aferën CEZ me kosto mbi 400 milionë euro për buxhetin e shtetit, ndërsa është akuzuar edhe vendime abuzimeve në lidhjet me shfrytëzimin e minierave. Gjatë pushtetit të parë të Berishës, Ruli ishte ministër i Financave dhe Ekonomisë në vitet 1992-1993. Dy vjet pasi e shkarkoi si ministër, në vitin 2995, Sali Berisha tentoi të fuste në burg Genc Rulin, përmes ushtarit të tij në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Alush Dragoshi, të cilin e përdorte për të goditur kundërshtarët e tij politikë si dhe atë që nuk i bindeshin në PD dhe në organet e drejtësisë.

Berisha e kërcënoi Rulin me burg në 16 mars të vitit 1995, teksa futi në axhendën e Kuvendit të kontrolluar prej tij, një kërkesë të kryeprokurorit Alush Dragoshi, për t’i hequr imunitetin Rulit për skandalin e drurit të arrës. Ruli akuzohej nga kryeprokurori Dragoshoi si i implikuar në zhdukjen e 400 metra kub dru arre. Gjatë fjalës së tij të gjatë mbrojtëse në Kuvend, Ruli hodhi akuza të rënda ndaj kryeprokurorit Alush Drogoshi, si i paaftë, mbrojtës i korrupsionit dhe se kishte sajuar çështjen e ‘drurit të arrës’. Madje, Ruli kërkoi edhe një mocion mosbesimi ndaj Dragoshit në Kuvend. Me akuzat ndaj kryeprokurorit Ruli po i jepte një mesazh edhe Berishës. 

Në radhët e socialistëve, Pandeli Majko i doli në mbrojtje Genc Rulit. Sipas Majkos, Ruli është një nga përfaqësuesit më dinjitozë dhe ekspertët e rrallë të PD-së. Majko tha gjatë seancës se procesi ndaj Rulit kishte nisur kohë më parë dhe jo nga drejtësia. Po pse Berisha po e kërcënonte Rulin me burg? Sipas deputetit të PS, Musa Ulqini, shkak ishte bërë çështja “Arsidi”. Bëhet fjalë për një sekserin Nicholas Arsidi, një bankier francez, i cili erdhi për të negociuar borxhin e madh të jashtëm që kishte Shqipëria.

Nicholas Arsidi zhvilloi një takim me Berishën si President, mori 1.6 milionë USD, një shumë e madhe në atë kohë dhe iku nga Shqipëria. Por, sipas Ulqinit ky nuk ishte shkaku i vetëm. Ndërkaq, sipas Namik Dokles për çështjes kundër Rulit fshihej Berisha. Megjithatë, në fund të seancës 63 deputetë votuan kundër heqjes së imunitetit Genc Rulit dhe 44 pro.

Diskutimet në parlament për heqjen e imunitetit të Genc Rulit në 16 mars 1995

-Fehmi Abdiu: Siç jeni në dijeni, ka disa kohë që Komisioni i Mandateve dhe Imunitetit është marrë me shqyrtimin e kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm që ka kërkuar heqjen e imunitetit të dy deputetëve Genci Ruli dhe Rexhep Uka. Në përfundim të shqyrtimit të kësaj pune, ne menduam të informojmë Kuvendin shkurtimisht sa vijon: Gjatë periudhës 11 janar deri më 7 mars, ky komision ka zhvilluar disa mbledhje për të diskutuar e shqyrtuar rreth kërkesës së lartpërmendur të Prokurorit të Përgjithshëm. Në këto mbledhje u dëgjua Prokurori i Përgjithshëm, së bashku me prokurorin e çështjes. U dëgjuan dy deputetët, për të cilët është bërë kërkesa për heqjen e imunitetit si deputeti Rexhep Uka dhe deputeti Genci Ruli. Gjithashtu, gjatë këtyre mbledhjeve u kërkuan dhe u bashkuan me kërkesën fillestare të prokurorit dy informacione të tjera që, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, kanë analizuar aspektet kryesore të çështjes lidhur me akuzën, të shkeljeve të provave që. Siç thuhet në kërkesë, disponon ai organ. Gjithashtu, gjatë këtyre mbledhjeve, me insistimin e anëtarëve të komisionit, janë kërkuar dhe disa dokumente shkresore, si: vendimi për pushimin fillestar të çështjes, vendimin për shfuqizimin e vendimit të pushimit, vendimin e gjykatës së rrethit që ka shqyrtuar dikur këtë çështje, shkresa të tjera të nënshkruara, një shkresë të nënshkruar nga ish-ministrat, shkresa të tjera të bashkangjitura në dosjen që janë kërkuar nga ish-Drejtoria e Pyjeve dhe mjaft akte të tjera që aspektin voluminoz, përbëjnë një material prej 45 faqesh dhe që komisioni ka sugjeruar që mundësisht të vihen në shërbim të deputetëve për të parë e për të studiuar.

-Marash Ibraj: Si anëtar i Komisionit të Mandateve, unë kam votuar që në komision kundër heqjes së imunitetit për deputetët Genci Ruli dhe Rexhep Uka. Kjo për dy arsye: Arsyeja e parë është se unë nuk jam i bindur në fajësinë e tyre e kjo nuk do të thotë që unë mbroj korrupsionin, por kjo do të thotë se unë nuk e shoh korrupsionin te veprimtaria e zhdukjes apo e eksportimit misterioz të 400 metra kub dru arre. Unë mendoj se në vendet e tjera dhe në mënyrë më të dukshme korrupsion dhe në përmasa më kolosale. Unë e shoh korrupsionin te mbyllja e hetimeve për çështjen e djegies së 50 personave në Fushë-Arrës. Unë e shoh korrupsionin te mbyllja e hetimeve për vrasjet në kufi; unë e shoh korrupsionin te mos ndjekja me përparësi dhe ashtu siç duhet e zhdukjes së qindra e qindra metra kub dru pishe, ahu e lisi në zonën që unë përfaqësoj. Gjithashtu, e shoh korrupsionin në mosdhënien e miliona lekëve e dollarëve investime të gatshëm për zhvillimin e infrastrukturës në zonën time elektorale; e shoh korrupsionin në moszhvillimin e tenderave dhe të ankandeve kështu siç duhet, por që lihen të mbyllura nëpër sirtarë, deri në fund të vitit që zyrtarët përfaqësues të atyre këshillave ose të drejtuesve të atyre zonave të blejnë pajisje të tjera që nuk i shërbejnë zonës, duke filluar me automjete e me pajisje për zyra.

-Pjetër Arbnori: Parimisht jemi për hapjen e rrugës së drejtësisë në cilëndo çështje që të shtrohet, pastaj është ndërgjegjja e deputetëve se si do të votojnë. Është, gjithashtu edhe bindja e tyre lidhur me atë që kërkon Prokurori i Përgjithshëm.

-Genc Ruli: Z. Alush Dragoshi krijon për këtë qëllim një ekip të posaçëm hetimor, duke thirrur prokurorë të komanduar nga rrethet, ku përfshin si hetuesin më aktiv dhe më të besuar vetë kushëririn e tij, z. Dragoshi, prokurorin e Malësisë së Madhe. Ndonëse ky grup hetimor fillon hetimet dhe arrestimet e nxituara të njerëzve, të ashtuquajturat prova të reja, në fakt i mblodhi dhe i relatoi, vetëm, mbasi Parlamenti demonstroi se nuk kishte të njëjtin ngut, si z. Dragoshi në heqjen e imunitetit të dy deputetëve. Madje, ky prokuror publikoi në televizion kërkesën për heqjen e imunitetit, të titulluar “sekret”, para se Parlamenti të njihej me të në seancën plenare. Për botimet në shtyp të sekreteve shtetërore, ne kemi shembuj që gazetarët kanë shkuar në burg. Në procedimin në emër të drejtësisë z. Dragoshi, me sa duket, i duhej përgatitja dhe manipulimi i opinionit publik.

Cilat janë në thelb provat e reja ose të paktën ato që iu paraqitën Komisionit të Mandateve për të provuar fajësinë e zotërinjve Rexhep Uka dhe Genci Ruli? Së pari, shkresa e zotit Artan Hoxha, ministër i Tregtisë së Jashtme dhe Bashkëpunimit Ekonomik, i datës 08.07.1993, ku ai refuzon dhënien e licencës, pra, eksportimin e drurit të arrës, të bllokuara në Shëngjin, e cila paraprin urdhrin që po ky ministër në datë 13.07.1993 pra 6 ditë prapa, ka firmosur së bashku me dy titullarët e tjerë për të lejuar këtë eksportim. Së dyti, disa shkresa të drejtorisë së Kombinatit të Drurit në Elbasan të vitit 1992, që paraqesin kërkesat e kësaj ndërmarrjeje për bazë materiale dhe energjetike për të zhbllokuar aktivitetin e saj. Sipas logjikës së ndjekur nga Prokurori i Përgjithshëm, në shkresën e cituar në fillim, këto prova të reja hedhin poshtë konkluzionet e vendimit të pushimit të çështjes të marrë nga Prokurori i Tiranës, datë 03.04.1993 dhe, përderisa gjykimi shtrihet në këtë linjë, më lejoni të paraqes cilat kanë qenë konkluzionet kryesore të vendimit të pushimit të çështjes, të marrë në datën 03.04.1993, për të kuptuar ju se provat e reja e cenojnë apo jo vërtetësinë e konkluzioneve të marra dy vjet më parë. ...zotërinj deputetë, çështja e drurit të arrës si element i inkriminimit ndaj nesh nuk ekziston ajo u sajua, u ekzagjerua, u interpretua dhe u publikua me tendencë, duke harxhuar aq energji dhe përkushtim, sa po të ishin shfrytëzuar drejt, do të kishin dhënë një rezultat më konkret në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Gjithashtu, kjo çështje sido që të zhvillohet, nuk  do të arrijë që t’i shërbejë zotit Alush Dragoshi si gjethe fiku për të mbuluar pazotësinë dhe dështimin e tij e, për rrjedhojë, vetë organet e tij në dyluftimin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Më tepër se sa nga paaftësia ky organ është bërë sot dora e tolerancës ndaj atij krimi dhe spekulimi që është i dukshëm. Ky individ që është sot Prokuror i Përgjithshëm nuk e ka të drejtën mbi inkriminimin. Vetëm për faktin se jam mbrojtës i ligjshmërisë dhe akuzator në emër të shtetit, ai personalisht më jep raste, si shkelës i drejtpërdrejtë i ligjit. Mjafton të përmendim mbajtjet e paligjshme në burg në proceset e tejzgjatura hetimore të mjaft qytetarëve, në mosprocedimin penal të mijëra krimeve të rënda nga ana e Prokurorisë, për më tepër firmosjen e paligjshme nga ai vetë për ekstradimin e Hajdin Sejdisë, të personit që ndiqet nga drejtësia shqiptare për maskimin e miliona dollarëve. E drejta do ta bënte që sot Parlamenti ta vinte në votë Alush Dragoshin dhe jo mua....Prokuroria arrestoi me dhjetëra tregtarë dhe doganierë nën justifikimin e zbulimit të pijeve dhe kontrabandës së cigareve. Në fakt, motivi i vërtetë ishte të implikonte Genci Rulin. Me këta njerëz ndodh si në rrëfenjën humoristike me priftin që përhapi një gënjeshtër dhe pastaj filloi ta besojë dhe vetë atë. Gjatë këtij procedimi penal janë aplikuar dhe metoda antikushtetuese, duke i pyetur të pandehurit në mënyrë provokuese dhe sugjestive: Cili është bashkëpunimi juaj me ish-ministrin Ruli? Madje, hetuesit kanë arritur deri aty sa t’u bëjnë presione, por edhe oferta, të pandehurve, me qëllim që të sajonin akuza të paqena dhe të rreme në ngarkimin tim. Kur ky inkuizicion doli pa rezultatin e pra, inkriminimin tim dhe jo goditjen e kontrabandës së cigareve, se ajo sot vazhdon më cilësore se më parë, personat e sipërlodhur u lëshuan nga Prokuroria, mbasi derdhën fitimet e supozuara nga kontrabanda e kryer, a thua se shteti dhe drejtësia shqiptare e vendos ligjin duke ndarë me shkelësit fitimet që ky realizon në mënyrë ilegale....Pasi dështoi përpjekja për të më implikuar padrejtësisht në një skandal spektakolar, u nxor nga thesi intriga dhe historia e drurit të arrës dhe kur ndeshën në qëndresën e Parlamentit për të mos ta hequr me ngut imunitetin tim, u përgatit një surprizë e re, çështja ARSIDI. Me një vendim absurd dhe i marrë në shkelje flagrante të ligjit, si observim për gjyqtarin e çështjes, më ngarkonte me përgjegjësi, duke dashur të më implikonte në këtë skandal që vetë drejtësia jonë po e kthen.

-Pjetër Arbnori:  Ne kemi një Komision të Mandateve, i cili u shpreh me të drejtën e tij; ne kemi 140 deputetë, të cilët kanë vullnetin e tyre të plotë dhe të lirë për t’u shprehur në favor ose kundër heqjes së imunitetit, prandaj, ne nuk do të rrimë të krijojmë komision mbi komision. Parlamenti asnjëherë nuk kthehet në gjyq. Ne, edhe po u hoqëm imunitetin këtyre njerëzve, nuk deklarojmë që janë fajtorë; edhe po s’u hoqëm imunitetin këtyre njerëzve, ne vetëm deklarojmë që bindja jonë është e tillë që kërkesa e prokurorit nuk është e plotë dhe nuk ua mbush mendjen deputetëve, prandaj unë do të dëshiroja që edhe njëherë t’u shpjegoj deputetëve propozimin e z. Dashamir që, në rast se ata që kanë dhënë emrin për të diskutuar, dëshirojnë të tërhiqen, janë krejtësisht të lirë, ndryshe unë do të filloj diskutimet. Diskutimet, sikurse e biseduam në Kryesinë e grupeve parlamentare, do të jenë rreth 7 minuta.

-Pandeli Majko: ...në diskutimin e sotëm do të ndalesha te figura e Genci Rulit, i cili padyshim, është nga të rrallët ekspertë që Partia Demokratike solli në skenën politike të vendit. Reforma ekonomike që ka kryer PD-ja, duke filluar qysh nga sukseset e saj, siç ishin ulja e inflacionit dhe deri te gabimet që pati kjo reformë, mban detyrimisht edhe firmën e Genci Rulit. Sot ai rrezikohet të vihet në bankën e të akuzuarve dhe njëkohësisht, bashkë me Genci Rulin, dhe vetë reforma e PD-së. Pa dyshim, që z. Genc Ruli qëndron një nga përfaqësuesit më dinjitozë të saj. Ky është fakt i pamohueshëm. Pa dyshim, që zoti Genc Ruli qëndron një nga përfaqësuesit më dinjitozë të saj. Ky është fakt i pamohueshëm. Nga ana tjetër, Ruli dhe Uka, si fajtorë nuk mund të justifikojnë gjithçka as kontrabandën e duhanit, as cisternat e naftës, as kioskat elegante, sepse në fund të fundit, janë shumë para vetëm për dy-ish qeveritarë. Përballë marrëzisë së korrupsionit që ekziston në Shqipëri, drejtësia shqiptare akuzon Rulin dhe Ukën për dru arre. Këtu nuk ka ndonjë çudi. Akuza e arrës është, ndoshta e vetmja akuzë, ku dëshmitarët e fajësisë ose pafajësisë së Rulit dhe Ukës nuk kanë zyra luksoze. Ndërkaq, Ruli dhe Uka jashtë politikës, Ruli dhe Uka si njerëz, presin votën tonë, e cila mund të jetë edhe një votë për burgosjen ose jo të tyre. Dilema është e madhe. Një votë po heqjes së imunitetit, do të thotë që në hyrjen e këtij Parlamenti, Rulin dhe Ukën ta presë drejtësia shqiptare, e cila do t’i mërmërisë primitivizmin e saj të përjetshëm, në emër të popullit. Të tjerat dihen. Pra, me një votë po, ne e dorëzojmë Rulin dhe Ukën në duart e drejtësisë shqiptare, të cilën, si ne opozitarët, ashtu dhe ju pozitarët e dini sesa e pavarur dhe sesa e paanshme është në angazhimet e saj. Një votë jo heqjes së imunitetit, do të thotë që Parlamenti të akuzohet si mbrojtës i korrupsionit. Jemi të vetëdijshëm se procesi i Genci Rulit dhe Rexhep Ukës ka filluar kohë më parë dhe jo nga drejtësia shqiptare. Ai filloi me thashethemnajën e kafeneve për të arritur këtu në Parlament....

-Alfred Paloka: Z. Kryetar, zotërinj deputetë, Edhe herë të tjera në Parlament kemi pasur denoncime për korrupsion nga zyrtarë të shtetit. Por është fakt, deri më sot, asnjeri prej tyre nuk i kaluar drejtësisë. Kontrolli i Shtetit, për një kohë të gjatë, është marrë me kontrolle nëpër ndërmarrje ekonomike të vogla dhe ka dhënë konkluzione për marrje masash për drejtuesit e këtyre ndërmarrjeve dhe nëpunësve të thjeshtë. Ndërsa, për korrupsionin me përmasa të mëdha, siç janë kontrabanda e naftës, e cigareve, e armatimeve, e pijeve alkoolike etj., të cilat shkaktuan në disa raste dhe mbylljen e aktiviteteve të disa ndërmarrjeve të industrisë së duhanit, të fabrikave të cigareve, fabrikat e birrës, ushqimore etj., vazhdon të ketë heqje. Me të drejtë lind pyetja: nëse nuk na vjen kërkesa për heqje imuniteti për dëmet nga korrupsioni i madh, a duhet të mos merremi me diskutimin e heqjes së imunitetit të deputetëve, nëse ato janë përzier në korrupsione në përmasa më të vogla, si ky i drurit të arrës?

-Musa Ulqini: Çështja e drurit të arrës është sa një fakt real , aq dhe një kartë presioni i Berishës ndaj Rulit dhe Ukës për gjëra shumë më të mëdha që i dimë e s’i dimë ne, si fjala vjen për çështjen ARSIDI, kredia greke etj. Do të ishte fatkeqësi që ne të bëheshim personazhe të lojërave të ndyra të klaneve brenda PD-së. Kushdo që është i korruptuar duhet t’i jepet drejtësisë. Sigurisht, ajo nuk do të ndëshkojë njësoj si ata që vjedhin 8000 dollarë, si ata që vjedhin 1.5 milionë dollarë. Ai që mund ta komentojë votën time si votë pro këtij apo atij klani të PD-së, gabon rëndë. Vota ime është votë, vetëm kundër korrupsionit. Për mua s’ka asnjë dyshim se pushtetarët e sotëm janë përgjegjësit kryesorë për instalimin e korrupsionit në Shqipëri. Seanca e sotme më shumë më ngjan me një veprim demagogjik, sa kohë që drejtësia hesht për skandale shumë më të bujshme. Opinioni publik pret që Ruli dhe Uka të shpjegonin gjithë të vërtetën për çështjen në fjalë, pavarësisht se kjo e vërtetë mund të ishte shumë e hidhur për dikë. Ruli dhe Uka sot nuk e thanë të gjithë të vërtetën dhe kjo është punë e tyre. Unë kam bindjen se shqiptarët janë aq të mençur, sa në zgjedhjet e ardhshme do të çojnë në kullën e qelqtë të pushtetit politikanë që s’kanë nevojë për vaksinën antikorrupsion, sepse Shqipëria gjithmonë ka pasur dhe do të ketë bij që lindin dhe vdesin të shëndetshëm.

-Dashamir Shehi: ...Duke mbrojtur imunitetin e parlamentarit, ne kemi mbrojtur edhe një princip të madh të demokracisë. Ky lloj institucioni, duhet të jetë jo i paprekshëm, por i vështirë për t’u prekur nga kushdo, sepse po të vazhdojë kështu, s’është çudi që nesërpasnesër një prokuror tjetër kërkon mandatin e një-dy-tre deputetëve, me ndryshime partish, por gjithmonë të influencojë në politikën shqiptare, ndërsa ne duam t’i forcojmë këto institucione, sepse jemi edhe Parlamenti i parë pluralist në Shqipëri. E nisur nga kjo anë, unë mendoj që nuk ka absolutisht asnjë gjë të keqe dhe fshehje kundrejt drejtësisë, në qoftë se ne mbrojmë imunitetin tonë si parlamentarë. Për sa i përket drejtësisë, i ka të gjitha dyert e hapura dhe duart e lira për të hetuar secilin prej nesh. Për t’i dhënë mundësi të hetojë brenda-përbrenda këtij Parlamenti, atëherë krijojmë edhe një komision parlamentar për të verifikuar, jo vetëm këtë çështje që unë e konsideroj pak të rëndësishme për një debat kaq të madh që ka hapur, por edhe për çështje të tjera, të cilat për nga rangu dhe niveli i thashethemeve shpesh herë e ka kaluar masën e problemeve të drurit të arrës....

-Skënder Gjinushi:  Heqja e imuniteteve te ne, deri më sot, është bërë në mënyrë të nxituar, pa bazuar, nën presion, duke mos respektuar as procedurat dhe ligjet në tërësi. Hiqet imuniteti i Maks Haxhisë dhe Azem Hajdarit, hiqet më tej ai i Ilir Metës, Fatos Nanos dhe kërkohet heqja e imunitetit të Zef Brozit. Rezultati- Haxhia dhe Hajdari qortohen nga gjykata, Meta s’guxohet të thirret në bisedë, Nano kthehet në problem evropian, saqë bisedohet për të deri në kafenetë e Strasburgut. Për Zef Brozin, Parlamenti më në fund e kupton rolin e tij, e kupton dallimin nga delja dhe e bllokon çështjen. Brozi rrezikon të arrestohet, në kohë që qytetari grek i liruar as që kërkohet. Më tej është po Brozi i cili zgjidh një nyje që s’e kishte zgjidhur dot as komuniteti evropian, as diplomacia amerikane, italiane dhe franceze, me rekomandimet e tyre te ne, as vetë ne. Në nëntor nëpërmjet amnistisë lirohen pesë minoritarët, duke zhbllokuar marrëdhëniet shqiptaro-greke. Me sa duket, të tjerët e lodhën ullirin, Zefi e kapi dhe Berisha me Serreqin po marrin frytet. Kështu dhe përvoja jonë tashmë, shumë më e pasur se ajo e Komunitetit Evropian, për sa i takon heqjes së imuniteteve, tregon se pas kërkesave për heqje imunitetesh, shpesh fshihet politika dhe diktati.

-Namik Dokle: Çështja, për të cilën po diskutojmë sot, shtypi dhe opinioni e ka quajtur: çështja Ruli-Uka. Unë kam bindjen se ajo është diçka më shumë. Unë do ta quaja: çështja Ruli-Uka-Berisha. Bindjen time do të përpiqem ta argumentoj, duke sjellë vetëm dy kronika: Kronikën e fillimit të çështjes dhe kronikën e fundit të çështjes. Dihet se për herë të parë në çështjen e drurit të arrës janë marrë nja dy socialistë, të ashtuquajtur të parinovuar dhe duke qenë të tillë të poshtër, mafiozë, diktatorë të vegjël, të korruptuar etj., e bllokuan drurin e arrës që ta çonin në Kombinatin e Elbasanit. Por, pas fitores së PD-së më 22 Mars, pati prej tyre që kujtuan se demokracia është sofër e shtruar vetëm për ata, që të hanin si Sali Protopapa dhe të tjerët të lanin pjatat. Dhe për këtë përgatitën gjithçka: U fillua me nenin 24\1, që hoqi nga puna disa njerëz të cilët me të vërtetë ia vlente të hiqeshin, por hoqi me mijëra specialistë të zotë e të ndershëm për t’i hapur rrugën korrupsionit në administratën shtetërore. Ja një pamje me drurin e arrës.

Më 5 maj 1992, Presidenti Sali Berisha dekreton ligjin “Për hyrjen në fuqi të nenit 24\1”. Brenda këtij muaji, në fund të tij, hiqet nga puna socialisti që kishte bllokuar drurin e arrës, i cili e kishte konfiskuar në dobi të shtetit shqiptar. Hiqet sipas nenit 24\1 për arsye të reformës. Fillimi i qershorit, në vend të tij vjen një besnik, dërguar nga ministri Rexhep Uka. Pa kaluar tri javë, pikërisht më 23 qershor, ai urdhëron zhbllokimin e pasurisë së konfiskuar, por diçka mesa duket nuk ecën, rrota duhet lyer dhe më 10 korrik 1992, pas dy javësh nga emërimi i këtij drejtori, ai kërkon leje nga tre ministrat për të eksportuar drurin e arrës. Madje, jo leje, por një projekt të gatshëm për firmë. Këta ministra që për punësimin e njerëzve, për asistencën e të uriturve, për interpelancat këtu në Parlament apo për dhjetëra gjëra të tjera vonojnë ditë, muaj dhe vite, këtë shkresë të jashtëligjshme e përfundojnë brenda tri ditëve. Është pikërisht muaji korrik 1992, koha që zoti Berisha, sapo është dekoruar nga mafiozi ARSIDI. Dekorata e madhe sa një patkua kali, shampanja e pirë në Presidencë për nder të atij që i vodhi Shqipërisë, bashkë me disa shqiptarë një milionë 600 mijë dollarë ishte lejekalimi më e sigurt për një tufë mashtruesish dhe mafiozësh ekonomikë që iu turrën shtetit tonë dhe administratës shtetërore me fuqinë e oktapodit dhe tani ne përjetojmë grahmat e një shteti pa administratë, për më keq akoma, me një administratë shtetërore kundër shtetit, si nocion dhe praktikë.

Do të pyesë ndonjëri: Ç’lidhje ka dekorata ARSIDI me drurin e arrës? Ka lidhje morale, zotëri dhe duhet të dini që korrupsioni është antimorali i shtetit. Këtyre dekoratave në Evropë u thonë më saktë praktikë influente, që është po aq i dëmshëm sa çdo lloj praktiku tjetër. E nëse dikush do të luftojë me të vërtetë korrupsionin, duhet ta fillojë me heqjen e dekoratës që një mashtrues i ka varur në gjoks kryetarit tonë të nderuar të shtetit......Më 29 janar 1993 filloi çështja penale për drurin e arrës, por më 3 prill 1993 u mbyll, u pushua për t’u rihapur tani. Pse ndodhi kështu? A ka fakte të reja nga janari 1993 deri në janar të vitit 1995? Asgjë të re. E konfirmoi këtë edhe Rexhep Uka edhe Genci Ruli. Por në janar dhe prill të vitit 1993, prokuroria do të ketë këtë mesazh: “Me se po merreni, me ministrat e Partisë Demokratike, doni të shkatërroni demokracinë? Demokracia mbrohet duke futur Fatos Nanon në burg. Dhe prokuroria u angazhua me ishish, duke lënë pulat në pleh. Meqenëse me çështjen Nano dështuan të gjithë, që nga Berisha e deri te avokati i tij me çështjen ARSIDI, zoti Agim Bendo, u rikujtuan të nxjerrin nga deti drutë e arrës. Dhe pikërisht më 5 dhjetor 1994, plot një muaj pas referendumit për Kushtetutën, pas të cilit filloi rebelimi i deputetëve të ndershëm, largpamës, brenda PD-së, të cilët arritën t’i kundërvihen edhe Sali Berishës, duke mos i dhënë votëbesim krahut të tij të djathtë e të majtë, zotit Safet Zhulali. Pse nuk u kujtua më parë... Që më 19 maj të vitit 1994 Sali Berisha, me cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka pasur në tavolinë ankesën e zotit Blerim Çela. Pse e ruajti këtë çështje deri më dhjetor 1993, kur u rihap gjyqi ARSIDI. Më kot rropatet Genci Ruli që merret me Alush Dragoshin, kur e di mirë se ç’rol ka Alush Dragoshi në drejtësinë shqiptare dhe ç’rol luan kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

-Pjetër Arbnori: Hapet votimi. Kush është për votimin për heqjen e imunitetit të dy deputetëve së bashku, në një listë të vetme, siç e ka kërkuar prokurori?

-Marash Ibraj: Zotërinj deputetë, morën pjesë në votim 111 deputetë. Prej këtyre, u deklaruan abstenim 4 vota. U deklaruan për të mos u hequr imunitetin deputetëve 63 deputetë dhe u deklaruan që t’u hiqet imuniteti 44 deputetë. Përfundimisht: Deputetëve Genci Ruli dhe Rexhep Uka nuk u hiqet imuniteti.

I.K/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 08/08/2020 20:34

    Nga ndryshon Bajga nga Berisha?

    Përgjigju
  • kadriu: 08/08/2020 14:02

    Shqiperi, e mjera ti, cfar klase politike te ka rene ne krye.

    Përgjigju
  • BADTARDËT: 08/08/2020 12:19

    NGA TË DY KRAHËT JAN HAJDUT KRIMINEL E QELBËSIRA. E KAN VJEDH VRAR E SAKATOSUR KTË POPULL SUPERBUDALLA QË NUK JU TREGON VËNDIN KTYRE QELBËSIRAVE TË QUAJTUR POLITIKAN MASKARENJ.

    Përgjigju
  • keli: 08/08/2020 12:01

    Aq u perpoq Berisha ta fuse ne burg sa kur erdhi ne 2005 me vrap e beri minister!!! Po pse do ta bente kete gje. Cdo shkelje dhe abuzim shteteror behej me dijeni te plote te Berishes. I kishim varur ujkut melcite ne qafe. U kenaq se vjedhuri sa deshi ujku Berisha.

    Përgjigju
  • genci: 08/08/2020 11:30

    mjere shqiperi , kush te ka qeverisur

    Përgjigju
  • LORA: 08/08/2020 11:29

    ,,,,kur socialistet e nano-kurves i hodhen komardaren e votes se shpetimit themeluesit te pare te korrupsionit "demokratik" ,,,genc rulit,,,me nje porojekt te qarte,qe pas rulit te merrnin stafeten e tij "demokratike" e t'a ngrinin per tete vite (1997-2005) ne lartesi te reja "socialiste" korrupsionin dhe grabitjen e parave dhe pasurive publike. Kjo eshte historia monstruoze e mbajtjes ,me dhune te integrume dhe dakortesume majtas-djathtas, te Shqiperise ne nje tranzicion kriminal afatgjate,pas 1990-es. Tung.

    Përgjigju
  • feti: 08/08/2020 10:20

    E mor Genc HUNDERRI, hyre ne politike me xhepa te gris dhe u bere miljarder, bankier, kriminel, hajdut....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda