Prodhimi i armëve 'Made in Albania'/ Kompanitë 10 vjet pa taksa nëse investojnë të paktën 25 mln euro! AIM jep licencat, e emëron kryeministri

Tirane- Qeveria merr hapin tjetër për të nxitur prodhimin e armëve ‘Made in Albania”.  Harton dhe hedh për konsultim publik pr/ligjin që rregullon industrinë e prodhimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake, si dhe tregtimit të tyre.

Qeveria do të ngrejë Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes (AIM) e cila në mënyrë ekskluzive do të licencojë subjektet për prodhimin dhe tregtimin e armatimit ushtarak ndërsa pr/ligji ka për qëllim garantimin e kontrollit dhe mbikëqyrjes së këtyre aktiviteve si dhe rregullimin e veprimtarisë të të gjithë subjekteve që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë

Investo 25 mln euro dhe taksa zero
Pr/ligji parashikon që subjektet që do të merren me prodhimin e armëve “Made in Albania” do të kenë lehtësira fiskale dhe incentiva nëse planifikojnë një investim fillestar prej së paku 25 milionë euro, thuhet në nenin 23 të këtij pr/ligji.
Një nga lehtësirat kryesore është fakti se nuk do të paguajnë taksa për 10 vitet e para. Gjithashtu i jepet mbështetje për ndërtimin e infrastrukturës dhe i mbulohen shpenzimet utilitare, si dritat uji e gazi plotësisht a pjesërisht, për 10 vjet.

Lehtësirat që përfitojnë kompanitë me 25 mln euro investim
-Procedura të përshpejtuara për licencimin dhe regjistrimin e veprimtarisë
-Norma e tatimfitimit është 0 (zero) për 10 vitet e para të aktivitetit;
-Ulje e tatimit mbi vlerën e shtuar në masën 10 (dhjetë) përqind, për furnizimet dhe shërbimet e nevojshme për prodhimin e armatimit ushtarak, si dhe çdo përjashtim tjetër tatimor i aplikueshëm, bazuar në legjislacionin në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar;
-Përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë;
-Përjashtim nga taksa vendore dhe qendrore e pasurisë së paluajtshme që përdoren për qëllime prodhimi, për një periudhë 10-vjeçare;
-Përjashtim nga të gjitha taksat doganore për mallrat, të cilat shërbejnë drejtpërdrejt për prodhimin e armatimit ushtarak;
-Mbështetje për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës ndihmëse, si rrugë, ujësjellës kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion, të cilat janë thelbësore për funksionimin e aktivitetit të subjektit;
-Qasje në fonde dhe programe mbështetëse për kërkim dhe zhvillim në fushën e teknologjive të mbrojtjes;
-Mbështetje dhe bashkëpunim në projekte kërkimore, zhvillimin e teknologjive të reja dhe shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës nga Qendra e Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, në Ministrinë e Mbrojtjes;
-Mbulimi i shpenzimeve të shërbimeve utilitare, si energjia elektrike, uji dhe gazi,  plotesisht ose pjesërisht, te rimbursueshme ose me tarifa preferenciale, për 10 vjet.

Brenda vitit të parë të aktivitetit 5 mln euro
Për të miratuar lehtësirat subjektet duhet të plotësojnë një sërë kriteresh. Një nga këto është fakti që veç investimit fillestar prej së paku 25 milionë Euro duhet të planifikojë dhe një investim të drejtpërdrejtë brenda vitit te pare te aktivitetit prej 5 milion Euro.

Subjekti duhet të jetë i regjistruar për aktivitetin e prodhimit të armatimit ushtarak duhet dhe të paraqesë një plan të detajuar biznesi afatshkurtër 3 vjeçar që tregon pritshmëritë për zhvillimin e aktivitetit, përfshirë pritshmëritë për punësim, inovacionin dhe teknologjitë që do të përdoren, si dhe kontributin në ekonominë lokale dhe sigurinë kombëtare.

Gjithashtu subjekti duhet të jetë i regjistruar në QKB dhe të vërë në dispozicion pasqyrat financiare të audituara për të paktën 3 vitet e fundit, listën e punonjësve dhe programin e trajnimit të tyre

AIM e emëron kryeministri
Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes (AIM) është autoriteti shtetëror përgjegjës për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit të prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armatimit ushtarak. Ajo lëshon, rinovon, pezullon dhe revokon licencat për subjektet dhe do të jetë në varësi të ministrit të Mbrojtjës dhe do të ketë seli në Tiranë. 

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet nga Kryeministri, me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Edhe struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozim të ministrit të Mbrojtjes.

 Këshilli i Ministrave përcakton rregullat e organizimit dhe funksionimit të Agjencisë e cila do të financohet nga buxheti i shtetit, tarifat e licencimit dhe çdo burim tjetër i ligjshëm.

Agjencia ‘one stop shop’, regjistri dhe lista e zezë
Agjencia do të vlerësojë aplikimet pas koordinimit me institucionet e tjera shteterore brenda një afati prej 30 ditësh. Mban një regjistër ku shënohen të gjitha subjektet e licencuara. Këta të fundit do të jenë të detyruara të regjistrojnë të gjitha aktivitetet e tyre që lidhen me prodhimin, tregtimin, si dhe eksportin - importin e armatimit ushtarak.

Gjithashtu kanë detyrimin të hedhin të dhënat për identifikimin dhe gjurmimin e armëve në regjistrin elektronik. Mban dhe publikon një listë të zezë të subjekteve që janë gjetur në shkelje të këtij legjislacionit në fuqi për prodhimin dhe tregtimin e armëve apo të kenë cenuar sigurinë kombëtare.

Agjencia ka detyrë dhe mbikqyrjen zbatimin e legjislacionit, kryen inspektime dhe funksionon si një "one stop shop" për zgjidhjen e çështjeve dhe problematikave që paraqiten nga subjektet e këtij ligji.

Siguria
Subjektet janë të detyruar të zbatojnë standarde të larta të sigurisë dhe mbrojtjes së interesit publik dhe të marrin masa për të parandaluar aksidentet, keqpërdorimin e armatimit ushtarak.

“Të gjithë subjektet shtetërore dhe private, të cilat ushtrojnë veprimtari brenda fushës së zbatimit të këtij ligji, ushtrojnë përgjegjësinë dhe kujdesin e duhur për parandalimin dhe ndalimin e akteve korruptive, të përvetësimit të paligjshëm të interesave, të shpërdorimit dhe trafikimit të armatimit ushtarak, të përhapjes së tyre në masë, të akumulimit të paligjshëm të armëve që mund të përdoren nga rrjetet e krimit të organizuar, apo të përdoren për akte terrorizmi, agresioni të brendshëm apo ndërkombëtar, ose shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare”thuhet në pikën 4 të pr/ligjit

Po kështu duhet të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, për të adresuar çdo rrezik potencial ndaj sigurisë që mund të rrjedhë nga aktiviteti i tyre. Të garantojnë transparencë dhe llogaridhënie.

Kompanitë duhet të sigurojnë dhe operojnë me infrastrukturë digjitale dhe kibernetike, e cila ndërvepron në vetëm me infrastrukturat e caktuara të Ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen. Personeli operativ i këtyre infrastrukturave pajiset me çertifikatën e sigurisë përkatëse dhe informacioni i përpunuar në këto infrastruktura është i mbrojtur nga sekreti shtetëror, tregtar dhe industrial ushtarak.

Pr/ligji ndalon prodhimin dhe tregtimin, në çdo formë, i armëve dhe teknologjive të armëve biologjike, kimike dhe bërthamore.

 Ideja e prodhimit të armëve në vend mori jetë pas vizitës së presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski në Tiranë, në kuadër të samitit për Ukrainën, mbajtur në shkurt 2024, ku ishte disktuaur për mundësinë e mësua  mbi mundësinë e bashkëprodhimit të armëve.Pak ditë më parë për konsultim publik hodhi dhe një pr/ligji që i hap rrugë krijimit të një shoqërie shtetërore,  “KAYO sh.a e cila do të kontrollojë prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.

 

Pr/ligji për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake

S.G/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 09/06/2024 03:06

    E pse nuk e vute dhe /marreveshjen e zemres/ te Rames me Italine per konsultim publik sic vute kete?! S.d.q,edhe kjo e armeve qe kane vene per konsultim eshte bere si leter bakalli.Se pari,ky duhet te ishte aktivitet 100 % i shtetit,por duket si PPP.Se dyti,duke i hapur rruge tenderave te privatit, mund te na vine disa kompani si ato kineze qe lene per te deshiruar per nivelin e sigurise,jo vetem ne pune,por dhe mund te fusin hundet ne sigurine e sekretit shteteror dhe kontratat e armatimeve me shtetet e tjera,apo mund te na shpifen kompani shqiptare si motrat e Albademil e pastaj i dime pasojat.Se treti,c'jane tere keto 0,0,0 taksime per 10 vjet?! Mund t'i besh ulje taksash,por jo 0 taksime.Pas 10 vjetesh investitori vendos t'a mbylle/shese bisnesin e armeve se milionat i beri dhe afati 10 vjecar pa taksa i skadon dhe ju thote mireupafshim,ku ju kam pare!! Dhe pse duhet qe shteti t'i mbuloje/rimbursoje ujin,dritat,gazin,etj per 10 vjet?! Kur ke 25 milion per investim,ke mjaftueshem edhe per te paguar faturat.Se katerti,ligji duhet formuluar i tille qe kryeministri te mbaje po te njejtin pergjegjesi ligjore sa ministri,sepse shikoj ketu qe cdo gje do /te miratohet,emerohet,/ nga kryeministri,por /me propozim/ nga ministri dhe si gjithemone, po te ndodhe ndonje vjedhje,mashtrim,apo largqofte nje /Gerdec/ tjeter,kryeministri lan duart si gjithemone,ose do t'a shohim Peleshin te vetem ne vendin e Mediut para gjykatave.

    Përgjigju
  • Dajko: 08/06/2024 16:14

    O Ram kam nje kusheri nga bisnesmen bananesh, i ndershem, ne Ekuador. Do te investoje ne prodhimin e armeve ne athdhe..

    Përgjigju
    • E. R.: 08/06/2024 17:15

      Haj bujrum

  • Luani: 08/06/2024 12:27

    Biznesi i prodhimit te armeve eshte nder sektoret me fitimprures sot ne Evrope, sepse riarmatosja do zgjase disa dekada. Pse u dashkan perjashtuar nga taksat keto kompani qe do kene fitime shume te majme?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë