Prof. Çeliku: Mos prekni drejtshkrimin
Të ngrihet Këshilli Kombëta

Prof. Çeliku: Mos prekni drejtshkrimin<br />Të ngrihet Këshilli Kombëta
Profesor Dr. Mehmet Çeliku i përfshirë në debatet e mbledhjes me dyer të mbyllura të qershorit 2012 për ndryshimet gjuhësore, që u bë publike vetëm nga investigimet e “Shqiptarja.com”, ka shprehur idetë e tij nëse duhen bërë ndryshime ose jo në shqipen e sotme letrare. Gjuhëtari i njohur Mehmet Çeliku ka pranuar të dëshmojë vetëm ato që ka propozuar vetë ai në këtë mbledhje, si njëri ndër anëtarët e KNGJSH (Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Por, edhe pse ai shprehet se nuk është i autorizuar të thotë se çfarë u bë dhe çfarë do të bëhet më tej, për të dalë nga ky diskutim i izoluar, duket se ka të njëjtin mendim me ish-kryetarin e dorëhequr Emil Lafe për ngritjen e një Këshilli Kombëtar të Gjuhës Shqipe. Sipas Mehmet Çelikut ky këshill do të shërbejë “për ruajtjen (mbrojtjen) dhe përsosjen e gjuhës shqipe”. Gjuhëtari i njohur është kategorikisht kundër heqjes së ë-së dhe është kategorikisht kundër ndërhyrjeve në standardin e shqipes. Ai mendon se Drejtshkrimi i 73-it duhet korrigjuar me disa ndërhyrje të vogla dhe madje duhet ribotuar. Edhe pse shtroi vetëm tezën e tij, nëpërmjet saj ai ka mundur të na ndriçojë debatet e bëra në këshillin ilegal të gjuhës. Nga intervista dhe burimet e tjera brenda këtij komisioni rezulton se janë mbajtur tri qëndrime ekstreme, të cilat kanë vonuar edhe daljen publike të një deklarate për shtyp, e cila iu dërgua mediave vetëm pas lajmit të gazetës Shqiptarja.com, një javë me vonesë, më 2 korrik 2012. Ndërsa deklarata bën të qartë se do të ndërhyhet tek ë-ja, këshilli duket se ka marrë parasysh edhe vendimin për futjen e paskajores gege. Profesor Dr. Çeliku thotë të mos preket ‘ë-ja vetëm në raste kur bëhen përjashtime gramatikore, se pse qenka mbajtur sekrete kjo mbledhje na e bënë të qartë vetë nënteksti i kësaj interviste për Shqiptarja.com

A duhet një këshill kombëtar për gjuhën shqipe?
-Ne shqiptarët, si të gjithë popujt e qytetëruar kemi prej rreth 40 vjetësh një gjuhë letrare shqipe të njësuar. Kjo gjuhë i ka fillimet që në Rilindje dhe u zyrtarizua në Kongresin e Drejtshkrimit 1972. Ajo duhet të përdoret kudo që janë shqiptarët. Pra të përhapet e të zotërohet nga të gjithë shqiptarët, të përdoret në të gjitha fushat e veprimtarisë, por edhe duhet mbrojtur, pasuruar, pastruar e studiuar vazhdimisht e nga të gjithë, nga shteti, nga institucionet shtetërore e shkencore dhe nga individët. Gjuha është tipar themelor i kombit, shenjë themelore e identitetit tonë që do të marrë edhe më shumë vlera edhe në BE.
Si rrjedhim, duhet një Këshill Kombëtar për ruajtjen (mbrojtjen) dhe përsosjen e saj. Për këtë qëllim edhe u krijua në 2004-n KNGJSH (Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe). Ky këshill është mbledhur disa herë pas themelimit, por me ndërprerje të gjata. Gjithashtu, Këshilli ka diskutuar disa çështje të standardit dhe ka disa arritje. Pra Këshilli nuk është vendimmarrës. Duhet diskutuar dhe vendosur për krijimin e një institucioni vendimmarrës, me përfaqësues nga të gjithë trevat shqiptare. Mendojmë se punimet dhe rezultate e KNGJSH duhet të bëhen publike. Çdo ndryshim të miratohet nga të gjithë anëtarët e Këshillit; bashkëpëlqimi (miratimi i të gjithëve) të mbizotërojë e jo praktika e votimit; të mbizotërojë argumentimi e jo interesat e veçanta a lokaliste, por gjithëkombëtare.

A duhen bërë ndryshime në Drejtshkrimin e vitit 1973?
-Ndërhyrjet në standarde janë jashtëzakonisht të rralla, por nga viti 1973 e deri më sot nuk ka pasur ndërhyrje në Drejtshkrimin e Shqipes. Mendoj se aktualisht Drejtshkrimi i 1973-shit duhet ribotuar; për këtë kërkohet përmirësimi e përsosja e tij (pra duhet rishikuar). Por ndërhyrja do të bëhet për ta përsosur, për ta aktualizuar, do të bëhet në pak gjëra. Ndërhyrjet e ndryshimet do të jenë shumë të kufizuara (10 deri 12 ndryshime gjithsej. Unë i mbahem pikëpamjeve të mia për gjërat që duhen ndryshuar (e këto i kam shprehur në intervista artikuj e kumtesa, si shembull në kumtesën time të mbajtur në konferencën shkencore të Durrësit më 15-17 dhjetor 2010 në Durrës). Duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm e të matur në ndryshime, parimet tashmë duhen: ruajtja e sistemit , reflektimi i dukurive drejtshkrimore të reja e reflektimi i tyre, thjeshtimi e redaktimi i drejtshkrimit 1973. Edhe njëherë po e theksojmë se baza e Drejtshkrimit 1973 të mos preket. Ky drejtshkrim është zbatuar e po zbatohet me sukses kudo në Shqipëri e në trevat e saje tjera shqiptare, por edhe nga shqiptarët në diasporë.

Çfarë gjërash mund të ndryshojnë në drejtshkrimin e 1973 dhe për çfarë u diskutua në KNSHGJ në takimin e fundit të qershorit 2012?
-Siç e thashë, mendimi im për ndryshimet e mundshme është i tashmë i njohur (shih për shembull konferencën e Durrësit që përmenda më lart. Për takimin e fundit të KNGJSH unë mund të japë vetëm mendimin, qëndrimin tim e jo për punën në tërësi të Këshillit. Sepse nuk jam i autorizuar nga ai këshillë.
Në takimin e fundit u diskutua për zanoren e patheksuar ë-, por u la diçka për t’u diskutuar për këtë temë edhe në takimin e radhës. Lidhur me ë-në mendoj, e këtë mendim e përsërita edhe gjatë diskutimeve në këshill, se: duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe vetëm ë-ja fundore e merave mashkullorë mund të hiqet: djalë, brumë, ujë dhe në tipin djathë, gjalpë e të bëhen djal-i, burr-i, uj-i, djath-i, gjalp-i, sepse drejtshkrimi aktual zbaton parimin historik se ë-ja fundore e tyre nuk ruhet. Ndërsa emrat kanë kaluar në emra gjininë mashkullore. Këtu unë mbështes mendimin e Profesor Mahir Domit, të cilin ai e paraqiti në Kongresin e Drejtshkrimit 1972.
Porsa i përket ë-së paratheksore dhe pastheksore, përveç dy rasteve të pazëshme, duhet të ruhet përgjithësisht gjendja aktuale, në raste të rralla, mund të shkohet te përjashtimet, ndonjë fjalë e re, pra, të shtohet ndonjë rast si përjashtim, kur gjuha e ka hequr vetë.
Lidhur me ë-në të ruhen rregullat e drejtshkrimit 1973, sot nuk mund të thellohemi në heqjen e zanores ë, si mbështetëse dhe si element i temës. Duhen bërë studime të mëtejshme, pasqyra të gjendjes aktuale, të shihet shqiptimi aktual i tyre në gjuhën e sotme, të shihen bashkëtingëlloret rrethuese të ë-së, etj. Si rrjedhim, të ruhet ë-ja sipas rregullave të sotme, prirja shqiptimore, sidomos nga veriorët se në ligjërimin e përditshëm është shprehi reduktimi, por ruajtja e ë-së është e nevojshme sepse siguron një shqiptim të qartë, të ngadalshëm, ruan përbërësit e fjalës, ndërsa reduktimi i saj do të sjell vështirësi në shqiptim e paqartësi për ndërtimin e fjalës, etj. struktura fjalëformuese e kërkon ë-në e është më e kapshme.
Gjendja e vetë gjuhës në ditët tona është e tillë që teorikisht nuk mund të shtrohet problemi ose me ë, ose pa ë (domethënë t’i shkruajmë fjalët të gjitha ose me ë, ose pa ë). Ky qëndrim nuk është shkencor, sepse në gjuhë, në shumicën e fjalëve, sipas pozicioneve të caktuara mbizotërojnë trajta me ë. Por në gjuhë ka edhe përjashtime e këto duhen shkruar siç i ka gjuha sot pa ë. Qëndrimi kategorik që t’i bëjnë të gjitha njëlloj pa ë, nuk është i drejtë. Ky qëndrim është arbitrar. Gjithashtu nuk mund të cilësohet si “qëndrim kontradiktor” i gjuhëtarëve, kur në Drejtshkrimin 1973 kanë pasqyruar besnikërisht gjendjen shqiptare edhe në të shkuarën.
Si përfundim, ndryshime të Drejtshkrimit 1973 duhen bërë, ato janë të pakta, do të bëhen për përsosjen e drejtshkrimit, pa cenuar bazën e tij: drejtshkrimi i ë-së, përveç ë-së fundore te dy tipat e emrave mashkullorë (lumë, djathë) ta ruajmë siç është (duke shtuar te përjashtimet e drejtshkrimit ndonjë fjalë që pasqyron prirjen. Të ribotohet sa më shpejt Drejtshkrimi 1973, të shihen edhe disa rregulla të tjera, si rregulla për një fundore te shumësi i emrave, e mbiemrave (ullinj, të mëdhenj. Jam i mendimit për t’i shkruar me (Ullij), etj, jam për thjeshtim në përdorimin e shkronjës së madhe apo të vogël, për ngritje në normë të foljeve me s në vend të atyre me t, etj. Pra, jo mas, por mat; jo vadis, por vadit, etj.

Pra, duhen bërë ndryshime?
-Jam kundër atyre që mendojnë se Drejtshkrimi 1973 nuk duhet prekur edhe pas 40 vjetëve. Ky është një qëndrim konservator i skajshëm. Pranoj vetëm pak ndryshime për ta përsosur më tej Drejtshkrimin 1973, vetëm për pak rregulla që tashmë janë të njohura, sidomos më se i nevojshëm është redaktimi i tij.
Por në asnjë mënyrë nuk pranoj ndryshime të rëndësishme në standard siç janë për shembull kërkesa për rishikimin e ë-së përfshirjen e paskajores gege të tipit me punue, me ba, etj. Këto cenojnë bazën e standardit dhe janë të panevojshme. Këto janë ndryshime cilësore të tilla përmbysëse të standardit ekzistues e që zëvendësojnë këtë me një standard të ri.
Ne shqiptarët kemi një shqipe standarde shumë të mirë, që zotërohet lehtë, që ka funksionuar për 40 vjet, pa probleme shqetësuese. Më shumë kujdes për të në shkollë, në media; të reagojnë shteti, institucionet shkencore e arsimore të përkujdesen më shumë në lëvrimin, në pastrimin e mbrojtjen e saj dhe në zotërimin e saj nga të gjithë shqiptarët e të gjitha trevave shqiptare. Media të merret më shumë me shqipen standarde e jo vetëm në raste debatesh. Ajo të informohet mirë para se të kontaktojë me publikun për veprimtari që lidhen me të e të mos ketë keqkuptime.

(dhh/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Kongresi i PS, ministrja Pirdeni: Fokus lufta ndaj korrupsionit, nisëm konsultimet për strategjinë e re! Prokurime publike me inteligjencë artificiale

Kongresi i PS, ministrja Pirdeni: Fokus lufta ndaj korrupsionit, nisëm konsultimet për strategjinë e re! Prokurime publike me inteligjencë artificiale