Profesor Egon Gjadri lindi në Tiranë më 23 maj 1935. Ai ishte biri i profesorit dhe inxhinierit të njohur Gjovalin Gjadri, projektues dhe zbatues i shumë urave të rëndësishme në Shqipëri.
Studimet e mesme i kreu me rezultate të shkëlqyera në Gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, gjatë viteve 1950–1954. Më pas u diplomua me rezultate po aq të larta në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në vitin 1958.
Përveç pasionit të tij për inxhinierinë e ndërtimit, Prof. Egon Gjadri ishte një personalitet me interesa të shumanshme. Ai ishte studiues i rregullt i fizikës, matematikës dhe astronomisë. Njëkohësisht ishte i apasionuar pas sporteve, veçanërisht volejbollit, ku në vitet ’50 u dallua si një ndër lojtarët më të mirë të brezit të tij. Po ashtu, ai ishte edhe lojtar profesionist i shahut.
Karrierën e nisi si inxhinier projektues, duke qenë pjesë e grupit të projektimit të hidrocentralit të Shkopetit dhe të hidrocentraleve mbi lumin Bistricë, Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Prof. Gjadri ishte bashkautor i skemës së shfrytëzimit hidroenergjetik të kaskadës së lumit Drin, si edhe bashkautor në kompozimin dhe bashkëvendosjen e hidrocentraleve të Vaut të Dejës, Fierzës dhe Komanit.
Një ndër kontributet më të rëndësishme të tij ishte projektimi i tuneleve të hekurudhës Elbasan–Përrenjas, një nga veprat më të vështira inxhinierike të kohës. Ai ishte projektuesi kryesor i të gjithë tuneleve të kësaj linje, përfshirë edhe tunelin e Qafë Thanës me gjatësi 3 000 metra.
Prof. Egon Gjadri dha një ndihmë të vyer edhe në fushën shkencore dhe akademike, duke qenë autor dhe bashkautor i një sërë botimesh profesionale, ndër të cilat:
“Ura dhe Tunele”,
“Llogaritja statike e veshjeve monolite të tuneleve”,
“Digat prej betoni me gravitet në bazamente shkëmbore”, “Veprat e derivacionit me presion në hidrocentrale”, “Llogaritja e digave hark me metodën e ngarkesës provë”, si dhe “Veprat e devijimit dhe të shkarkimit të plotave në disa hidrocentrale të vendit tonë”.
Për kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e vendit, ai u dekorua me Urdhrin “Flamuri i Kuq i Punës” të Klasit të Parë dhe u vlerësua dy herë me “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë.
Në nëntor të vitit 1990, Prof. Egon Gjadri ishte pjesë e grupit të përzgjedhur për shqyrtimin e plotësimeve në Kushtetutën e Shqipërisë, së bashku me personalitete të njohura si Dritëro Agolli, Hysen Laçej, Shaban Demiraj, Tish Daija dhe Ela Tase.
Për shumë vite ai drejtoi Institutin e Projektimit dhe Ndërtimit të Hidrocentraleve, detyrë të cilën e ushtroi edhe në fillim të viteve ’90.
Në projektimin e hidrocentraleve shqiptare, Prof. Egon Gjadri pati një rol themelor. Ai dha kontribute të rëndësishme edhe në projektimin e linjave të tensionit të lartë. Si pjesëtar aktiv i grupeve projektuese, mori pjesë në projektimin e hidrocentraleve mbi lumin Drin, si dhe në projektimin e veprave të hidrocentraleve të Vaut të Dejës dhe Fierzës.
Gjithashtu, ai kontribuoi në projektimin e hidrocentralit të Komanit, Banjës dhe Nyjës Hidroteknike të Bovillës, si edhe në projektimin e hidrocentralit të Bushatit dhe të skicë-idesë së hidrocentralit të Skavicës. Me punën e tij shkencore dhe teknike, Prof. Egon Gjadri mbetet një nga figurat më të shquara të inxhinierisë shqiptare.
Komente










