Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë
Tiranë, 7 Korrik/ATSH-Z.Tosku/ - Profesioni i "punonjësit social" dhe i "psikologut" do të përfshihen si profesione të rregulluara dhe do të japin provimin e shtetit pasi kandidatët të kenë mbaruar kualifikimin bazë (Bachelor") prej 3 vitesh dhe studimet Master. Komisioni për Punën e Çështjet Sociale miratoi ditën e sotme në parim projektligjin "Për një shtesë në ligjin nr. 10171, datë 22.10.2009,"Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë",të ndryshuar.
Zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale e Rinisë, Bardhylka Kospiri, sqaroi dhe ndryshimet e propozuara. "Ndryshimi propozohet duke pasur parasysh rëndësinë që ka profesioni i punonjësit social në objektivat e qeverisë shqiptare për rritjen e cilësisë së shërbimit për përkujdesjen e kategorive në nevojë, për fëmijët, për të moshuarit, apo për ata me aftësi të kufizuara. Roli që luan punonjësi social dhe psikologu në shoqëri duhet riparë për shkak të ndryshimeve të mëdha të organizmit shoqëror dhe politike në këto 20 vite", tha Kospiri.
Relatori i këtij projektligji, Myqerem Tafaj, u shpreh se në parim është pro përfshirjes së këtyre dy profesioneve si profesione të rregulluara, por tha se ndryshimet nuk janë realiste për shkak të mundësive të vogla financiare dhe mungesës së kapaciteteve të burimeve njerëzore.
"Që të përfshihet një profesion në dy nivele bachelor dhe master, kërkon një buxhet shumë të madh, sepse qeveria kur nxjerr një vendim që ofron vendet e praktikës, nga ana tjetër duhen kapacitete njerëzore të certifikuara që kanë të drejtë të mbikëqyrin praktikantët. Sipas përcaktimit të ligjit, këta duhet të kenë 3 vjet punë vet. Kështu që në parim shumë mirë që përfshihen këto dy profesione në grupin e profesioneve të rregulluara. Përfshirja edhe nivelit bachelor nuk mendoj se është fort realiste", theksoi ai.
Deputeti Petrit Vasili kërkoi që të tregohej një kujdes më i madh në përfshirjen e këtyre dy profesione në listën e profesioneve të rregulluara. "Në atë moment kur ata kanë këtë licencë, ata janë profesionistë me të gjithë efektet që ka fjala "profesionist". Prandaj quhet profesion i rregulluar. Evaziviteti nuk tolerohet. Me këto provim që do të japë, ky e ka besimin e plotë profesional që do e kryejë këtë punë", tha Vasili. /a.ke/








