Po me ndryshimin e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar futen në pragun e TVSH-së gati 18 mijë bizneseve të vogla në regjimin e TVSH-së, pasi ulet pragu i xhiros nga 10 milionë lekë që ishte në 5 milionë lekë.
Profesionistët e lirë paralajmërojnë se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese nëse miratohet kjo ulje e pragut të TVSH-së, njëjtë siç dërguan para dy vitesh edhe ligjin për tatimin e profesionistëve të lirë, që e fituan këta të fundit, dhe shteti u detyrua ti kompensojë.
“Ulja e pragut te TVSH na prek të gjithëve, ne profesionistëve të lirë. Merrni në konsideratë vendimet e GJ. Ulja e pragut në mënyrë kaq drastike, penalizon profesionistët dhe nga ne konsiderohet një ndërhyrje jo proporcionale. Ky ligj nëse kalon në këtë formë do të shkojë në gjykatën kushtetuese. Shumica e çështjeve administrative kanë si palë administratën tatimore. Me këto ndryshime edhe qytetari do të paguaj një faturë ekstra sepse është rritur TVSH-ja standard nga 20 në 21%. Kjo është një kosto që duhet të mbahet parasysh. Edhe ligji i TVSH-së dhe ndryshimet tek dividendi janë me efekt prapaveprues në shkelje të Kushtetutës, ju kërkojmë të reflektoni, ose ndryshe shkojmë përsëri në Gjykatën Kushtetuese. Këto ndryshime të shpeshta ligjore nuk japin siguri juridike”, tha avokati Lulzim Alushaj.
Ndërsa kontabilisti Artur Papajani tha se kjo ulje e pragut do të shtojë informalitetin.
“Kjo shpeshtësi e lëvizjeve të pragut nuk është parë në ndonjë shtet. Janë një sërë zërash që do të rëndojnë në xhepat e shtetit. Ky prag s’ka lidhje me informalitetin, sepse kush është në prag është i regjistruar. Kur ulet pragu ka hapësira informaliteti, sepse do të copëzohen bizneset në disa NIPT-. Për Shqipëri pragu i TVSH-së optimal duhet të jetë 8 mln lekë, që është në përputhje me mesataren e Direktivës së BE”, shprehet kontabilisti Artur Papajani.
Lajmi kryesor:
Shoqatat e turizmit në një zë kundër rritjes së TVSH-së! Humbasim konkurrueshmërinë, mbajmë ekonominë, na stimuloni










