Fatime Paja u arrestua gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, pasi policia dyshon se ajo furnizonte protestuesit me molotovë dhe mjete të tjera për sulme ndaj efektivëve dhe institucioneve. 29-vjeçarja u kap në flagrancë në rrugën “Qemal Stafa”, në një makinë tip “Fiat”, ku policia sekuestroi 91 kokteje molotov, 166 fishekzjarrë dhe 59 tuba metalikë.
Fatime Paja ishte mes artistëve që krijuan figurat e flamingove me të cilat protestuesit marshuan në Tiranë. Në një intervistë për Associated Press, ajo tregoi se grupi zgjodhi flamingon si simbol të protestës kundër projektit turistik në Nartë. Figurat i dhanë lëvizjes emrin “Revolucioni i Flamingove”. Gjatë marshimeve, Paja merrte megafonin dhe udhëhiqte thirrjet “Shqipëria nuk shitet!” dhe “Mos e prekni Nartën!”. Bashkë me artistët e tjerë, ajo organizonte edhe aktivitete vizatimi e ngjyrosjeje për fëmijët.
“E kam përdorur prej kohësh artin si një mjet për të shprehur padrejtësitë dhe pakënaqësinë që lidhen me jetën e përditshme civile në Shqipëri”, tha Paja për Associated Press në një intervistë më 20 qershor.

Fatime Paja në protestë
Në veprimtarinë artistike ajo njihet si Fatma Paja. Sipas biografisë së festivalit ndërkombëtar të animacionit Anibar, ka lindur në Belsh dhe punon si artiste vizuale, piktore, ilustruese dhe dizajnere grafike. Me motrat e saj, Elsa dhe Natasha Paja, themeloi studion krijuese TRIVET, përmes së cilës realizon ilustrime, botime dhe ekspozita.
Në vitin 2023, Paja bashkëpunoi me Cultural Heritage without Borders Albania për një botim kushtuar Muzeut Etnografik të Krujës. Ajo ishte bashkautore e konceptit dhe realizoi ilustrimet, përpunimin grafik dhe faqosjen. Projekti u financua nga Bashkimi Evropian përmes programit EU4Culture.
Studioja TRIVET realizoi gjithashtu dizajnin dhe ilustrimet e guidës turistike të Mirditës dhe kontribuoi në ekspozitën “Mirdita në Fotografi”, në kuadër të projektit CulTour Mirdita. Për projektin dhjetëmujor, organizata Art Kontakt mori nga EU4Culture një grant prej 44 mijë e 590 dollarësh, rreth 40 mijë e 548 euro. Granti mbulonte të gjithë projektin. Të dhënat e publikuara nuk përcaktojnë pagesën për studion TRIVET apo për Pajën individualisht.
Paja kontribuoi edhe në një studim të nismës ArtNexus për mbështetjen financiare të artistëve dhe arteve pamore. Në vitin 2023, tri motrat realizuan kopertinën e raportit vjetor të Trees for Albania, ndërsa në vitin 2024 prezantuan në Kosovë dhe Shqipëri ekspozitën “Që prej motmoti”, kushtuar traditave, miteve dhe riteve shqiptare.
Po atë vit, Fatma Paja ishte anëtare e jurisë së festivalit Anibar në Kosovë. Ajo ka marrë pjesë si folëse edhe në aktivitete të komunitetit Albanians Who Design. Puna e tri motrave në studion TRIVET u promovua gjithashtu përmes një videoje (më poshtë) të publikuar në faqen e Bashkimit Evropian në Facebook.








