/ATSH/- Me mbështetjen e programeve Europiane për komunikimin ndërkombëtar dhe zhvillimin e Europes Juglindore, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptarë (KASH) ka arritur të krijojë një lidhje dhe bashkëpunim të përhershëm e funksional, që i vlen zhvillimit të ndërmarrjeve të sektorit të bujqësisë dhe sidomos inovacionit.

Projekti filloi më 1 tetor 2012, me mbështetjen financiare të Programit Transnacional të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Për zbatimin e këtij projekti kontribuan partnerë nga Italia, Hungaria, Bullgaria, Greqia, Rumania, Serbia, Shqipëria, Kroacia dhe Ukraina e Moldavia.

Sipas specialsitëve të bujqësisë, ky projekt përcaktoi si pikënisje, nevojën e krijimit të rrjeteve transnacionale në mes të ndërmarrjeve  të  vogla dhe mesme, të afta të krijojnë e promovojnë proçeset e përhershme të inovacionit si dhe të nxisin politika që të bashkëpunojnë për zhvillimin e bujqësisë dhe ushqimit.

Drejtuesi i këtij projekti, Edmond Mara shprehet se, në Evropën Jug-Lindore bujqësia është prekur nga një zhvillim jo-homogjen. Ndërmarrjet nuk mund të zhvillojnë konkurrencën në tregun ndërkombëtar. Ndërsa zona e projektit ka potenciale të fuqishme bujqësore, por vuan nga izolimi.

"Këto SME zor se janë në gjendje për të arritur tregje përtej kufijve të tyre lokal, dhe tregjet janë dominuar nga ndërmarrje të madhe dhe konkurrentët jashtë-BE"-thotë Mara.
Sipas të cilit, projekti fokusohet në potencialet e risive nga prodhimet me cilësi të lartë/tradicional dhe synon krijimin e një platforme transnacional të shërbimeve për mbështetjen e inovacionit, transferimin e teknologjisë dhe bashkëpunimin e SME-ve për konkurrencën e tyre në tregjet ndërkombëtare.