Partneriteti me Zvicrën është i rëndësishëm për rrugëtimin europian të Shqipërisë. Kështu u shpreh ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë prezantimit të Programit të Bashkëpunimit Zviceran 2026–2028 ku mori pjesë me ftesë të Ambasadores së Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber.
Në fjalimin e saj Spiropali vuri theksin te mbështetja që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, sidomos në forcimin e institucioneve, demokratizim, përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik. Ajo kujtoi se programi i fundit 2022–2025 u ndërtua mbi katër shtylla: qeverisja e mirë, zhvillimi ekonomik dhe punësimi, infrastruktura dhe energjia, si dhe shëndetësia.
“Të katërta këto shtylla pasqyruan dhe mbështetën direkt axhendën tonë të reformave. Por ky bashkëpunim nuk ka qenë vetëm mbështetje për institucionet. Ai ka pasur ndikim konkret në jetën e qytetarëve – për një sipërmarrës që gjeti akses në financim, për një bashki që përmirësoi standardin e shërbimeve publike, për një të ri që fitoi aftësi profesionale dhe një perspektivë më të sigurt për të ardhmen", tha Spiropali.
Sipas saj, bashkëpunimi nuk ka qenë vetëm institucional, por ka pasur ndikim konkret edhe te qytetarët, nga sipërmarrësit që kanë gjetur financim, te të rinjtë që kanë fituar aftësi profesionale.
Ministrja tha se vlerëson standardin e transparencës dhe monitorimit që ka shoqëruar këtë partneritet, duke e cilësuar si një model të rëndësishëm edhe për institucionet shqiptare. Spiropali theksoi se programi i ri hapet në një moment kur procesi i integrimit europian është më i qartë dhe me objektiva të përcaktuara për vitet 2027 dhe 2030.
"Ky standard ka qenë jo vetëm garanci për menaxhimin korrekt të fondeve, por edhe një shkollë e rëndësishme për institucionet tona. Për të gjitha këto arsye, duke parë rrugën që kemi bërë së bashku, jam besimplotë për programin e ri që çelet. Jam e bindur se, edhe një herë më shumë, bashkëpunimi zviceran do të japë një asistencë të rëndësishme në një moment kyç për Shqipërinë. Një moment në të cilin rruga jonë europiane është sot më e strukturuar dhe më e qartë, me objektiva të artikuluara për vitet në vijim dhe me një kalendar orientues që synon 2027-n dhe 2030-n si etapa të rëndësishme të procesit", tha Spiropali.
Ajo nënvizoi se Zvicra mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë, duke përmendur edhe komunitetin prej rreth 250 mijë shqiptarësh që jetojnë atje. Sipas saj, në fazën e re do të thellohet dialogu politik dhe marrëdhëniet ekonomike, me fokus te investimet, tregtia, inovacioni, siguria kibernetike, turizmi dhe arsimi profesional.
Komente












