Më 17 dhjetor 2024, në maternitetin “Koço Gliozheni” u shënua një moment i rëndësishëm për shëndetësinë shqiptare, erdhi në jetë foshnja e parë e lindur me metodën in vitro në një institucion publik. Kjo lindje u konsiderua si një sukses i zbatimi të paketës së fertilitetit, që ofrohet falas për çiftet.
Që prej asaj dite, në total janë trajtuar 162 gra, në të gjithë vitin 2024 e deri në gusht të këtij viti, me një përqindje suksesi që lëviz nga 42% në 55%.
Konkretisht, viti 2024 u mbyll me trajtimin e 30 pacientëve, nga të cilët 20 iu nënshtruan transferimit embrional dhe 9 arritën rezultate në shtatzani të suksesshme. Ky proces ishte ende në fazën e parë të zbatimit, me numrin e pacienteve në rritje gjatë vitit 2025.
Në katërmujorin e parë të këtij viti u trajtuan 45 çifte, ndërsa përqindja e suksesit u rrit në 55 për qind, me 26 shtatzëni të suksesshme. Gjatë kësaj periudhe është regjistruar edhe një lindje tjetër përmes programit të fertilitetit në “Koço Gliozheni”. Të dhënat e katërmujorit të dytë, konfirmojnë rritjen e interesit dhe të trajtimeve: 87 pacientë të përfshirë në proces, me një sukses deri tani prej 46 për qind dhe një kosto mesatare prej 18,436 lekësh për pacient.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, paketa e fertilitetit mbetet e përfshirë edhe në buxhetin për periudhën 2026-2028. Me një fond vjetor prej rreth 37.5 milionë lekësh, programi synon të ofrojë trajtim për rreth 200 çifte çdo vit, duke siguruar një mbështetje ata që kërkojnë asistencë për t’u bërë prindër.
Komente










