I pari kryebashkiak mysliman dhe socialist i Nju Jorkut fitoi me një program që synon të luftojë koston e lartë të jetesës, kryesisht i financuar nga taksat ndaj super të pasurve. Por përballë tij qëndron pengesa e guvernatores demokrate dhe milionerëve që po largohen nga qyteti.

Fjala kyçe: Qasje për të gjithë

Programi i Zohran Mamdanit ka në qendër idenë e “aksesueshmërisë”. Ai fitoi në Nju Jork duke premtuar ta bëjë qytetin më të shtrenjtë të Amerikës – dhe një nga më të shtrenjtët në botë – më të përballueshëm për 8,5 milionë banorët e tij.
Programi i tij fokusohet në uljen e kostove që “po i shtypin punëtorët”. Në faqen e tij zyrtare lexohet slogani:

“Zohran do të ulë kostot dhe do ta bëjë jetën më të lehtë.”

Popullariteti i këtij mesazhi u sigurua edhe nga një sërë videosh virale në rrjete sociale, ku Mamdani shfaqet si komunikues i aftë dhe krijues idesh origjinale. Në njërën prej tyre, ai ecën nëpër rrugë e flet me qytetarët për temën qendrore të fushatës së tij: koston e papërballueshme të jetesës.

Tani që ai ka bindur shumicën e newyorkezëve, pyetja është: çfarë mund të bëjë realisht 34-vjeçari demokrat-socialist, i cili u bë kryebashkiaku i parë mysliman i Nju Jorkut, për ta ndryshuar qytetin?

 

Qiratë e ngrira – e mundur

Mamdani është zotuar të përballet me krizën e banesave në Nju Jork duke “ngrirë” për katër vjet qiratë e kontrolluara nga shteti, sipas kërkesave të punëtorëve me të ardhura të ulëta. Në një video të xhiruar dimrit, ai shfaqet duke u hedhur në detin e ftohtë të Coney Island për ta ilustruar simbolikisht premtimin e tij.

Ai synon të ushtrojë presion mbi Rent Guidelines Board që të bllokojë rritjen e qirave për këto banesa vitin e ardhshëm. Kryebashkiaku emëron të nëntë anëtarët e këtij bordi, që vendosin çdo vit rregullimet e çmimeve të qirave. Ai emëron gjithashtu shumicën e anëtarëve të Komisionit të Planifikimit Urban, duke i dhënë ndikim në politikat e përdorimit të tokës. Megjithatë, kryebashkiaku në detyrë, Eric Adams, mund të ndryshojë përbërjen e këshillit përpara largimit të tij në dhjetor, duke vënë në rrezik planet e Mamdanit.

Transporti publik – e vështirë

Në një nga debatet televizive me Cuomo-n, Mamdani mbërriti 25 minuta me vonesë, pasi kishte ardhur me autobus — një vonesë që ai e shfrytëzoi për të përsëritur premtimin e tij për përmirësimin e transportit publik dhe për ta bërë atë falas. Sipas vlerësimeve të ekipit të tij, autobusët falas në gjithë qytetin do të kushtonin rreth 800 milionë dollarë në vit. Por zbatimi i këtij plani është i vështirë, pasi bashkia ka një pakicë votash në bordin drejtues të Metropolitan Transport Authority (MTA), që kontrollon transportin publik të qytetit.

Supermarkete komunale dhe licenca – e mundur

Mamdani planifikon të krijojë dyqane ushqimore dhe supermarkete në pronësi të bashkisë, që do të blejnë dhe shesin me çmime shumice, për t’i bërë ushqimet më të përballueshme. Ai mund ta realizojë këtë duke përdorur tokë në pronësi të qytetit. Ai është zotuar gjithashtu të ulë çmimin e ushqimit halal të shitësve ambulantë nga 10 në 8 dollarë, duke e quajtur fenomenin aktual “inflacion halal”, për shkak të kostos së lartë të licencave që bashkia jep në numër të kufizuar. Mamdani mund të ndërhyjë për të rritur numrin e licencave dhe ulur kostot për shitësit.

Çerdhe publike me taksat e super të pasurve – shumë e vështirë

Një nga shtyllat e programit të tij është ofrimi i çerdheve dhe kopshteve publike për fëmijët nën 6 vjeç, i financuar përmes taksimit të ultra të pasurve. Plani i tij për të ardhurat përfshin: Rritjen e taksës për korporatat në 11,5% (sa në New Jersey), që do të sillte rreth 5 miliardë dollarë; Një taksë shtesë prej 2% mbi të ardhurat mbi 1 milion dollarë, që do të sillte rreth 4 miliardë dollarë.Por problemi është se shteti i Nju Jorkut ka të drejtë vetoje mbi ndryshimet tatimore të bashkisë. Guvernatorja Kathy Hochul, e cila kandidon për rizgjedhje, ka deklaruar se nuk do të rrisë taksat për të pasurit. Për më tepër, shumë milionerë po largohen nga Nju Jorku, duke ulur të ardhurat tatimore të qytetit: sipas The Economist, pjesa e tyre ka rënë nga 13% në 2010 në 9% në 2022. Disa kompani të mëdha si JP Morgan kanë më shumë punonjës në Teksas, ndërsa figura si Carl Icahn janë zhvendosur në Florida.

Emigrantët – e vështirë

Mamdani ka premtuar ta mbajë Nju Jorkun si “qytet strehues” për emigrantët, çka e vë përballë Donald Trump-it, i cili ka vënë në dyshim shtetësinë e tij amerikane dhe ka kërcënuar ta arrestojë nëse pengon punën e ICE (Immigration and Customs Enforcement), agjencia federale që Trump përdor për deportimet masive. Administrata Trump do të ketë fjalën e fundit për veprimet e ICE në qytet. Trump e ka quajtur Mamdanin “një komunist 100% i çmendur”, duke shtuar: Nëse ai ndalon bastisjet e ICE në Nju Jork, atëherë do të duhet ta arrestojmë.

Arrestimi i Netanyahut – e vështirë

Një tjetër pikë përplasjeje me Trump-in është ideja e arrestimit të Benjamin Netanyahut. Mamdani ka thënë se do të respektojë urdhrin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), e cila e ka akuzuar liderin izraelit për krime lufte dhe kundër njerëzimit në Gaza. Në teori, kryebashkiaku mund të urdhërojë policinë ta arrestojë, por Nju Jorku nuk mund të paraqesë akuza, pasi SHBA nuk është nënshkruese e Statutit të Romës që themelon ICC-në.

 

///Corriere Della Sera