Me një ndjesë publike që Partia Demokratike nuk arriti të zgjidhte çështjen e pronave në Shqipëri, Lulzim Basha e ktheu këtë çështje në një prej pikave kryesore të programit të tij.
Me një premtim ambicioz, kryedemokrati Basha garantoi zgjidhjen e ngërçit të pronave dhe kthimin tek ish-pronarët në masën 100%. Ato që janë të lira do të shkojnë tek i zoti, ndërsa pjesës tjetër do t’i garantohet kompensimi.
“Ky angazhim nuk merret lehtë, fatura është mbi 8 miliardë euro. Marrim përsipër brenda dy viteve të para të qeverisë tonë krijimin e obligacionit për pronarët me vlerën e plotë të tregut për pronat e shpronësuar nga regjimi komunist, të paguar çdo vit në masën 1/20, të tregtueshme që në masën e emetimit, emetimi me vlerë të plotë i obligacionit të shtetit shqiptar për gjithë pronarët e shpronësuar të Shqipërisë”, tha Basha.
Në programin për drejtësinë, PD garanton mbështetje ndaj SPAK me burime financiare dhe njerëzore, dhe reformim të thellë të Kontrollit të Lartë të shtetit duke e shndërruar në Gjykatë Auditi.
“Anëtarët e saj të vetohen para emërimit, kryetari të zgjidhet nga Kuvendi me shumicë të cilësuar, bazuar në propozimi e opozitës, vendimet e saj të jenë titull ekzekutiv”, thuhet në programin e shpalosur këtë të shtunë.
Për luftën ndaj korrupsionit dhe mirëqeverisjen, PD propozon aplikimin e ligjit anti-mafia për verifikimin e kontratave koncensionare, PPP-ve dhe partneriteteve strategjike. Ndërsa për të hetuar dhe verifikuar të gjitha kontratat e qeverisë Rama që PD i quan korruptive do të ndërmarrin një moratorium 1-vjeçar për të rishikuar të gjitha kontratat PPP. Reformim të thellë premton edhe në Inspektoratin Kombëtar, duke bashkuar sigurinë Ushqimore, të Shëndetit Publik dhe atë teknike në një të vetme.
Për pensionistët premtimi këtë herë shkoi jo vetëm për rritje pensioni por edhe për një bonus periodik prej 250 mijë lekësh.
Mbështetje garantuan edhe për fermerët me 100 mln euro subvencion për bujqësinë dhe blegtorinë ndërsa 50 mln euro mbështetje në infrastrukturë për 150 mijë fermerë. Programi i PD parashikon mbështetje për sistemin arsimor duke garantuar 60% rritje të pagave për mësuesit, infrastrukturë moderne, siguri për fëmijët dhe drekë të garantuar për të gjithë nxënësit.
Ndërsa për arsimin e lartë, PD-ja e Lulzim Bashës premton dy-fishim të buxhetit dhe ndërtimin e 3 kampeve universitare, në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër brenda mandatit të parë.
Komente











