Kryeministri Edi Rama pranoi në Kuvend se procesi i rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti ka ngecur në Tiranë dhe se një shumë e konsiderueshme parash nuk është vënë në përdorim. Teksa kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në paraburgim, Rama tha se Bashkia e Tiranës ka dy vjet “pa kokë”.
“Nëse ka një proces rindërtimi për të qenë krenar, është ai i rindërtimit në Shqipëri. Kemi problem me rindërtimin në Bashkinë e Tiranës, sepse ka dy vjet pa kokë. Një shumë e madhe nuk është vënë në lëvizje”, tha Rama.
Gjatë fjalës në Kuvend, kryeministri foli edhe për ligjin e ri për strehimin e përballueshëm. Sipas tij, nga kjo politikë pritet të përfitojnë 10 mijë familje.
"Një ligj, që ne do të kemi transformim rrënjësor ndaj qasjes së strehimit. Flasim për strehimin e përballueshëm. Nuk mund ta pranojmë si normalitet, që një çift i ri, ku të dy punojnë, kontribuojnë me taksa, përpiqen ta shohin të ardhmen në Shqipëri, ta kenë gjithmonë e më vështirë të kenë një çati. Një qytet mund të bëhet më i shtrenjtë nga zhvillimi, por nuk mund të bëhet i paarritshëm për njerëzit që jetojnë aty. Prandaj duhet PS, prandaj duhemi ne në këtë mes. Në total 10 mijë familje do të përfitojnë nga kjo qasje e re për strehimin. Nëse ka një proces rindërtimi për të qenë krenar, është ai i rindërtimit në Shqipëri. Kemi problem me rindërtimin në Bashkisë së Tiranës, sepse ka dy vjet pa kokë. Një shumë e madhe nuk është vënë në lëvizje. Nga ana tjetër, ne do të përfshijmë në këtë politikë, edhe zgjerimin e stokut të banesave që ndërtohet nga fondi i strehimit. Për të rritur taksën për apartamentet bosh, duke pasur parasysh ata që janë blerës të huaj", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ Rama: Buxhet historik, 10 mld euro! Ata që ulërasin, garën e statistikave e kanë humbur! Opozita braktis sallën, rikthehet pas fjalimit të kryeministrit









