Qeveria ka miratuar organizimin dhe zhvillimit të programit “PAS SHKOLLE”, një veprimtari, që do të zhvillohet jashtë orarit mësimor të detyruar me të gjithë nxënësit e regjistruar në 500 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në vend. Përveç ndihmës në kryerjen e detyrave të shtëpisë, nxënësit do të kenë mundësi të angazhohen në një gamë më të gjerë aktivitetesh sportive, artistike dhe kulturore.

Vendimi i qeverisë ka përcaktuar kategoritë dhe kriteret për përzgjedhjen e trajnuesve, mënyrën e aplikimit, dokumentacionin që paraqesin si edhe mënyrën e përzgjedhjes.

Pagesa për çdo orë për trajnuesit është 1 000 lekë. Kërkesa për aplikim për t’u angazhuar në programin “Pas shkolle” për mësuesin e klasifikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, do të kryhet në rrugë elektronike.

V E N D I M  PËR MIRATIMIN E ORGANIZIMIT DHE ZHVILLIMIT TË PROGRAMIT “PAS SHKOLLE” TË KATEGORIVE, KRITEREVE DHE MËNYRËS SË PËRZGJEDHJES, SHPËRBLIMIT TË TRAJNUESVE, SI DHE MËNYRËS SË FINANCIMIT TË KËTIJ PROGRAMI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 47/1, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. ORGANIZIMI DHE zhvilliMI i programit “pas shkolle”

1. Programi “pas shkolle” është i organizuar dhe i strukturuar në veprimtari, që zhvillohen jashtë orarit mësimor të detyruar dhe ka për qëllim përforcimin e të nxënit dhe zhvillimin gjithëpërfshirës të aftësive edukative, sociale, sportive, kulturore dhe krijuese të nxënësve.

2. Programi “pas shkolle” realizohet për nxënësit e regjistruar në institucionet arsimore parauniversitare publike të arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të lartë.

II. KATEGORITË dhe kriteret e TRAJNUESVE

1. Programi “pas shkolle” për veprimtaritë që lidhen me mbështetjen dhe përforcimin e të nxënit, të cilat synojnë konsolidimin e njohurive, aftësive, zhvillimin e kompetencave dhe përmirësimin e arritjeve të nxënësve, zhvillohen nga trajnuesit, të cilët ndahen në kategoritë e mëposhtme:

a) Mësuesi i punësuar në institucionet arsimore parauniversitare publike, me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar apo me kohëzgjatje të caktuar;
b) Individi, i cili plotëson kriteret e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për ushtrimin e profesionit të mësuesit, i është nënshtruar provimit të portalit “Mësues për Shqipërinë”, sipas akteve të posaçme që rregullojnë procedurën e konkurrimit në këtë portal dhe ndodhet në listë pritjeje për një vend të lirë pune në institucionet arsimore parauniversitare publike;
c) Individi, i cili ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë dhe ka ushtruar më parë mësimdhënie në institucionet arsimore publike;
ç) Individi, që është diplomuar në fushën e mësuesisë apo në fusha të përafërta në një program të ciklit të dytë të studimeve, në institucione të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë apo në institucione të huaja të arsimit të lartë, për të cilin është njohur dhe është njësuar diploma e huaj, bazuar në përcaktimet e legjislacionit në fuqi.

2. Programi “pas shkolle”, për veprimtaritë që lidhen me zhvillimin e aftësive artistike, kulturore, krijuese dhe praktike të nxënësve, zhvillohet nga trajnuesit, të cilët ndahen në kategoritë e mëposhtme:

a) Mësuesi, i cili ushtron profesionin e mësuesit në profilet artistike, i punësuar në institucionet arsimore parauniversitare publike, me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar apo me kohëzgjatje të caktuar;
b) Individi, i cili plotëson kriteret e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për ushtrimin e profesionit të mësuesit në profilet artistike, i është nënshtruar provimit të portalit “Mësues për Shqipërinë”, sipas akteve të posaçme që rregullojnë procedurën e konkurrimit në këtë portal dhe ndodhet në listë pritjeje për një vend të lirë pune në institucionet arsimore parauniversitare publike;
c) Individi, i cili ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë dhe ka ushtruar më parë mësimdhënien në profilet artistike në institucionet arsimore publike ose ka ushtruar profesionin në këto profile në institucionet kulturore publike;
ç) Individi, i cili është diplomuar në fushën e mësuesisë apo në programe studimi të ngjashme ose të përafërta me fushën/lëndën e mësimdhënies në arsimin parauniversitar në profilet artistike, në institucione të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë apo institucione të huaja të arsimit të lartë, për të cilin është njohur dhe është njësuar diploma e huaj, bazuar në përcaktimet e legjislacionit në fuqi;
d) Individi, i cili ka përfunduar një program studimi të ciklit të dytë në fushën e arteve;
dh) Artizanë të mjeshtërive të ndryshme të dijebërjes dhe zejeve, të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Bartësve të Folklorit ose në Regjistrin e Vlerave të Trashëgimisë Jomateriale.

III. APLIKIMI I KANDIDATËVE PËR TRAJNUES

1. Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar shpall në faqen zyrtare thirrjen për aplikim për kandidatët për trajnues për t’u angazhuar në programin “pas shkolle”.

2. Kandidatët për trajnues kanë të drejtë të aplikojnë brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e publikimit të shpalljes, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij kreu.

3. Kandidati, i cili ushtron profesionin e mësuesit, sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 1, dhe të shkronjës “a”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, aplikon për t’u angazhuar në programin “pas shkolle” në Sistemin e Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP).

4. Kandidati, sipas përcaktimit të shkronjës “b”, të pikës 1, dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, aplikon për t’u angazhuar në programin “pas shkolle”, duke përzgjedhur opsionin përkatës në shërbimin elektronik “aplikim për konkurrim për punësim”, “Mësues për Shqipërinë”, në portalin “e-Albania”.

5. Kandidatët për trajnues të kategorive të tjera, të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të kreut II, të këtij vendimi, dorëzojnë dosjen e aplikimit në zyrën vendore të arsimit parauniversitar (në vijim ZVAP), nën juridiksionin e së cilës ndodhet institucioni arsimor.

6. Të dhënat elektronike të dosjes për aplikimin e kandidatëve, sipas përcaktimit të shkronjave “a” dhe “b”, të pikave 1 dhe 2, të kreut II, të këtij vendimi, merren përmes ndërveprimit nga SMIP-ja ose nga portali “Mësues për Shqipërinë”.

7. Dosja e aplikimit për kandidatët, sipas përcaktimit të shkronjave “c”, “ç” dhe “d”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, përmban dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kopjen e diplomës/ave të arsimit të lartë dhe listës së notave/suplement i diplomës;
b) Vërtetimin mjeko-ligjor;
c) Certifikatën e gjendjes gjyqësore (dëshmi penaliteti);
ç) Vërtetimin nga prokuroria, që kandidati nuk është në ndjekje penale për kryerjen e një vepre penale;
d) Vërtetimin nga gjykata, që kandidati nuk është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) Kopjen e certifikatave/dëshmive për trajnime të kryera (nëse ka);
e) Deklaratën nga kandidati për autorizimin e institucionit arsimor, që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura;
ë) Vërtetimin e pensionit për kandidatët, sipas përcaktimit të shkronjës “c”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi.

8. Dosja e aplikimit për kandidatët, sipas përcaktimit të shkronjës “dh”, të pikës 2, të kreut II, përmban dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Vërtetimin e lëshuar nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale, që janë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Bartësve të Folklorit ose Regjistrit të Vlerave të Trashëgimisë Jomateriale;
b) Certifikatën e gjendjes gjyqësore (dëshmi penaliteti);
c) Vërtetimin nga prokuroria, që kandidati nuk është në ndjekje penale për kryerjen e një vepre penale;
ç) Vërtetimin nga gjykata, që kandidati nuk është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
d) Kopjen e certifikatave/dëshmive për trajnime të kryera (nëse ka);
dh) Deklaratën nga kandidati për autorizimin e institucionit arsimor, që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura.

IV. MËNYRA E PËRZGJEDHJES SË TRAJNUESVE

1. Kandidatëve, mësues të arsimit fillor, të punësuar në institucionin arsimor parauniversitar publik përkatës, u jepet përparësi për angazhimin në programin “pas shkolle”, që zhvillohet në klasat e arsimit fillor, për veprimtaritë që lidhen me mbështetjen dhe përforcimin e të nxënit. Në mungesë të kandidatit të interesuar, kanë të drejtë të aplikojnë për t’u angazhuar në programin “pas shkolle” mësuesit e arsimit të mesëm të ulët të institucionin arsimor parauniversitar publik përkatës.

2. Kandidatëve, mësues të profileve përkatëse, sipas veprimtarive, të punësuar në institucionin arsimor parauniversitar publik përkatës, u jepet përparësi për angazhimin në programin “pas shkolle”, që zhvillohet në arsimin e mesëm të ulët, për veprimtaritë që lidhen me zhvillimin e aftësive artistike, kulturore, krijuese dhe praktike të nxënësve.

3. Kandidatët e përcaktuar në pikat 1 dhe 2, të këtij kreu, kanë të drejtë të aplikojnë vetëm në institucionin arsimor parauniversitar publik, në të cilin janë të punësuar.

4. Pikëzimi i dosjeve dhe përzgjedhja e kandidatit, të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, dhe në shkronjën “a”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, të punësuar në institucionin arsimor parauniversitar publik përkatës, bëhet nga një komision në nivel shkolle, me 3 (tre) anëtarë me përbërje, si më poshtë:

a) Drejtori i shkollës;
b) Një mësues i zgjedhur nga këshilli i mësuesve;
c) Kryetari i këshillit të prindërve të institucionit.

5. Në rast se numri i aplikimeve është më i ulët se numri i kërkuar nga institucioni arsimor parauniversitar publik, drejtori i shkollës përcjell me shkresë zyrtare në ZVAP kërkesën për plotësimin e vendeve të lira.

6. Kandidati që ka konkurruar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 1, dhe në shkronjën “b”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, përzgjidhet në përputhje me profilin e mësuesit të kërkuar nga institucioni arsimor, duke respektuar renditjen e tyre në portal, sipas pikëve totale të fituara. Procedura për angazhimin e trajnuesit kryhet nga komisioni ad hoc i ngritur nga ZVAP-ja, i cili përbëhet nga drejtuesi i ZVAP-së dhe nga dy anëtarë.

7. Pikëzimi i dosjeve për kandidatët e përcaktuar në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 1, dhe në shkronjat “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, bëhet nga një komision vlerësimi ad hoc i ngritur nga zyra vendore e arsimit parauniversitar, i cili përbëhet nga 3 (tre) anëtarë, nga të cilët dy janë përfaqësues të zyrës vendore arsimore parauniversitare dhe 1 (një) përfaqësues nga drejtoria rajonale arsimore parauniversitare.

8. Anëtarët e komisionit të vlerësimit nuk marrin pjesë në shqyrtimin dhe vlerësimin e dosjeve të personave me të cilët kanë konflikt interesi. Deklarimi dhe konstatimi i konfliktit të interesit bëhet sipas procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për konfliktin e interesit.

9. Komisioni i vlerësimit kryen vlerësimin dhe pikëzimin e dosjes së kandidatit, sipas kritereve dhe metodologjisë, të përcaktuar me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.

10. Vendimet e komisionit merren me shumicën e të gjithë anëtarëve.

11. Përzgjedhja e kandidatëve të përcaktuar në pikën 6, të këtij kreu, bëhet sipas renditjes në pikat 1 dhe 2, të kreut II, të këtij vendimi.

12. Procedura e ankimimit bëhet sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative.

13. Në rast mungese të kandidatit ose largimit të tij, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar rishpall thirrjen për trajnues, në kuadër të programit “pas shkolle”.

14. Pas përzgjedhjes së trajnuesit, lidhet kontrata e shërbimit ndërmjet tij dhe institucionit arsimor parauniversitar, ku trajnuesi angazhohet për programin “pas shkolle”.

V. MËNYRA E FINANCIMIT dhe shpërblimi i trajnuesve PëR PROGRAMIn “PAS SHKOLLE”

1. Programi “pas shkolle” financohet nga fondi buxhetor i miratuar për këtë qëllim, për çdo vit buxhetor, nëpërmjet akordimit të fondeve për zyrat vendore të arsimit parauniversitar për realizimin e këtij programi.

2. Shpërblimi i trajnuesve të programit “pas shkolle” trajtohet si pagesë për shërbim të veçantë arsimor, të kryer jashtë detyrimeve, që rrjedhin nga kontrata e punës.

3. Për shkollat me status të veçantë, fondi për pagesën e mësuesve të angazhuar në program akordohet drejtpërdrejt në buxhetin e institucionit arsimor përkatës.

4. Pagesa për çdo orë për zbatimin e programit “pas shkolle” për trajnuesit, për veprimtaritë që zhvillohen jashtë orarit mësimor të detyruar, është 1 000 (një mijë) lekë. Shpërblimi për realizimin e programit “pas shkolle”, për trajnuesit e punësuar në institucionet parauniversitare publike, nuk përbën pjesë të pagës mujore dhe nuk ndikon në ngarkesën mësimore të detyrueshme.

VI. MONITORIMI, RAPORTIMI DHE ADMINISTRIMI I DOKUMENTACIONIT

1. Institucioni arsimor parauniversitar publik mban dokumentacionin përkatës për zhvillimin e veprimtarive, pjesëmarrjen e nxënësve dhe realizimin e orëve, sipas formatit të miratuar nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar.

2. Institucioni arsimor parauniversitar publik administron portofolin digjital të arritjeve të nxënësve pjesëmarrës në programin “pas shkolle”.

3. ZVAP-ja raporton periodikisht në drejtorinë rajonale të arsimit parauniversitar për realizimin e programit “pas shkolle”, përfshirë numrin e institucioneve arsimore përfituese, numrin e trajnuesve, numrin e nxënësve pjesëmarrës, veprimtaritë e zhvilluara dhe realizimin e fondit të akorduar.

4. Drejtoria rajonale e arsimit parauniversitar monitoron realizimin e programit “pas shkolle” dhe raporton periodikisht në Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, e cila raporton në ministrinë përgjegjëse për arsimin.

5. Realizimi i programit “pas shkolle” është objekt monitorimi dhe kontrolli nga drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar dhe nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar.

6. Zbatimi i programit “pas shkolle” vlerësohet mbi bazën e treguesve që lidhen me numrin e institucioneve arsimore përfituese, numrin e trajnuesve, numrin dhe frekuentimin e nxënësve pjesëmarrës, realizimin e veprimtarive, nivelin e përdorimit të fondit, shtrirjen territoriale dhe rezultatet e arritura.

VII. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Përjashtimisht, për vitin shkollor 2026-2027, kërkesa për aplikim për t’u angazhuar në programin “pas shkolle” për mësuesin e klasifikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, kryhet në rrugë elektronike.

2. Vendimi nr.606, datë 14.9.2022, i Këshillit të Ministrave “Për zbatimin e programit “pas shkolle””, i ndryshuar, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.