Progres-raporti/Peleshi: Vijimësia e reformave mbetet domosdoshmëri

/ATSH/ - Zv.kryeministri Niko Peleshi në një dalje publike nga Kryeministria mesditën e së martës, e cilësoi progres-raportin e fundit të KE-së për vendin  tonë, si  udhërrëfyes për klasën politike shqiptare dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi.
Për numrin dy të qeverisë, konstatimet e progres- raportit janë optimiste, por vijimësia e reformave mbetet domosdoshmëri. "Është inkurajues konstatimi se Shqipëria është nën rrugën e duhur të progresit. Jemi të vendosur të ecim në këtë rrugë, në rrugën e thellimit të reformave dhe kthimit të rezultateve të tyre në dobi të qytetarëve", theksoi ai.
Ndër arritjet e konstatuara në dokumentin e KE-së, Peleshi përmendi reformën në administratën publike, ku tha se "Qeveria shqiptare do vazhdojë të dëshmojë një proces transparent dhe të bazuar në merita për rekrutimin dhe shkarkimin e nëpunësve civilë në të gjitha institucionet shtetërore, me qëllim arritjen e objektivit për një administratë publike profesionale dhe të depolitizuar".
Përsa i përket reformës në drejtësi,  ai tha se "progres-raporti vlerëson hapin e marrë për krijimin e Komisionit të Posaçëm parlamentar që kontribuon në një proces gjithëpërfshirës të kësaj reforme. Komisioni aktualisht ka përgatitur Strategjinë për Reformën në Drejtësi dhe Planin e Veprimit, ku përcaktohen objektivat e përgjithshme dhe specifike të reformës në sistemin e drejtësisë si dhe ndërhyrjet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore për realizimin e këtyre objektivave. Grupi i ekspertëve të nivelit të lartë pranë këtij komisioni ka përgatitur propozimet për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë në konsultime me aktorë të ndryshëm si dhe pritet opinioni i Komisionit të Venecias (KV).
Peleshi evidentoi gjithashtu arritjet e konstatuara si të tilla në progres-raport, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku vecoi nxjerrjen e Shqipërisë nga lista e zezë e vendeve të origjinës për trafikimin e lëndëve narkotike dhe vendeve të monitoruara nga Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. "Në vitin 2014, tha ai,  janë shkatërruar 460% më shumë parcela kanabis se në vitin 2013, ndërkohë që në 10 muajt e parë të vitit 2015 numri i bimëve të shkatërruara u rrit me 40% krahasuar me një vit më parë".  Heqja e Shqipërisë nga lista e vendeve të monitoruara nga Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (Moneyval) në procesin e saj të vazhdueshëm të përputhshmërisë për të luftuar financimin e terrorizmit, cituar në progres raport, është një hap më tej në konsolidimin e mekanizmave funksionues të shtetit tone", nënvizoi zv.kryeministri Peleshi.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai