Institucionet e drejtësisë kërkojnë më shumë para nga qeveria në buxhetin e 2026. Në komisionin e ligjeve, drejtuesi i KLGJ-së Ilir Rusi kërkoi të paktën 340 milionë lekë shtesë, për forcuar sigurinë në gjykata, kërkesë që sipas tij është bërë prej vitesh, por ka rënë në vesh të shurdhët.
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së Gjykatës së Apelit pak javë më parë, nxori zbuluar edhe dështimin e sigurisë në Gjykata. Për këtë arsye, Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkoi më shumë para në Komisionin e Ligjeve, teksa po diskutohej projekt-buxheti për vitin e ardhshëm.
Të paktën 340 milionë lekë shtesë duhen, tha drejtuesi i KLGJ Ilir Rusi, për të vënë në jetë projektin për forcimin e sigurisë në gjykata.
“167 milionë për mjetet e teknologjisë për sigurinë në gjykata, detektorë, kamera, skanerë, mjete alarmi 123 milionë për përmirësimin e infrastrukturës në gjykata: ka gjykata që nëse çon postë detektori, nuk ka ku ta vendosësh, ndaj duhet përmirësim i infrastrukturës lidhet me këtë: 50 milionë lekë të reja për pajisje të reja. Megjithatë, kemi 57 mln lekë nga buxheti” tha Rusi.
“Jo duhet të bëjmë përpjekje, por duhet ta merrni fondin për të rritur elementët e sigurisë në gjykata”, tha Manja.
Por, ende problem, tha Rusi është edhe gjetja e godinave të reja për Gjykatat si dhe më shumë punonjës.
“Ka gjykata që raporti është 1 me 5. 5 magjistratë kanë 1 sallë gjykimi”, tha Rusi.
“Për rrethet duhet të vihen në dispozicion edhe krerët e gjykatave atje me kryetarët e bashkive për të ofruar një truall të lirë për godinat”, tha Manja.
Më shumë para kërkuan, para ligjvënësve, edhe institucionet e tjera të drejtësisë.
“Gjithashtu është i disati vit që kërkojmë fond minimal prej 2 mln lekë për mbrojtjen nga zjarri, është i treti vit që e kërkoj edhe për shkak të amortizimit të ndërtesës. Se meqë jemi komshinj po na ra zjarri neve, ju bie dhe juve”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Eugen Papandile.
“Jemi komshinj të mirë sepse ajo godinë shumë shpejt do t’i kalojë Kuvendit. Në projektet afatmesme, Gykata Kushtetuese do të ketë një godinë të veten dinjitoze për një gjykatë Kushtetuese”, tha Manja.
Në total institucionet e drejtësisë marrin më shumë para për vitin 2026. Rritjen më të madhe e ka Këshilli i Lartë Gjyqësor me gati 12 milionë euro më shumë, duke marrë për vitin 2026 gjithsej 68 milionë euro. Edhe SPAK merr një buxhet më të madh për vitin 2026.

Për të diskutuar për projektbuxhetin e vitit 2026, në Komisionin e Ligjeve ishte dhe përfaqësuesi i Gjykatës Kushtetuese, sekretari i përgjithshëm, Eugen Papandile, i cili fonde shtesë për sigurinë e godinës, si dhe në raste zjarri.
Papandile thotë se godina është e amortizuar dhe se ka mungesë të theksuar infrastrukture, duke theksuar këtu dhe shtimin e një drejtorie të re me një staf prej 5 personash.
“Do u lutesha Ministrisë së Financës që të jetë më bashkëpunuese sa i përket kërkesave tona. Duke pasur dhe rritje të vendimeve, kërkesave, mendoj që sjell… pra pakësimi i buxhetit nuk është në dinjitetin e Gjykatës Kushtetuese të shtrijë dorën. Po flasim për zërin investim dhe për sa i përket situatës së krijuar, ashtu sa i përket dhe sigurisë kibernetike, ku kemi kërkuar shtesa në lidhje me serverin që kemi instaluar.
Duke qenë se kemi shtuar në strukturë një drejtori shtesë prej 5 vetash, ajo e marrëdhënieve për studimet, gjithashtu është i disati vit që kërkojmë fond minimal prej 2 mln lekë për mbrojtjen nga zjarri, është i treti vit që e kërkoj edhe për shkak të amortizimit të ndërtesës. Se meqë jemi komshinj po na ra zjarri neve, ju bie dhe juve“, u shpreh ai.
Drejtuesi i komisionit, Ulsi Manja, tha se godina ekzistuese e Gjykatës Kushtetuese do t’i kalojë Kuvendit dhe se GJK do të ketë një godinë të re.
“Godina e Gjykatës Kushtetuese shume shpejt do t'i kaloje Kuvendit! Gjykata Kushtetuese, do te ketë një godine tjetër dinjitoze, ashtu siç meriton”, tha Manja.
Prokurori i SPAK, Vladimir Mara theksoi edhe nevojën e krijimit të një portofoli për administrimin e kriptovalutave të sekuestruara. Ai u shpreh se duhet të bëhet ndërhyrje ligjore, por shtoi se edhe me disa dakordësi mund të bëhet pa pasur ndërhyrje. Sipas tij, menaxhimi dhe ruajtja e kriptovalutave, bazuar në praktikat ndërkombëtare, kërkon procedura teknike dhe speciale.
“Ngritja e një portofoli për të administruar kriptovalutat është domosdoshmëri për ne. Mendojmë se do edhe ndërhyrje ligjore por edhe aktualisht nëse gjenden dakorësitë e duhura mund të aplikohet dhe nuk ka pengesa ligjore. Për sa kohë nuk ka pengesa ligjore për hetimin, edhe sekuestrimi i kriptovalutave kërkon të njëjtën procedurë të parashikuar në Kodin e procedurës penale si të gjithë sekuestrimet e tjera. Por kërkon edhe kapacitete teknike për ruajtjen e tyre pasi procesi fillon me sekuestrimin dhe deri në përfundim të konsfiskimit ka procedura teknike dhe speciale për ruajtjen dhe administrimin e tyre. Referuar praktikave ndërkombëtare që ka lidhur me këto raste. Kemi pasur komunikim me partnerët tanë në çdo hetim por shpresojmë që të zgjidhet dhe ky problem.”, u shpreh Prokurori.
Prokurori Vladimir Mara u pyet edhe për një spekulim se para dy ditësh SPAK është bërë objekt i një sulmi kibernetik dhe se janë hakeruar dosje. Në Komisionin për Nismat Qytetarë, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, prokurori se nuk ka pasur asnjë sulm dhe se vëmendja e institucionit në këtë aspekt ka qenë i shtuar për të ruajtur sistemet e IT-së.
"Sa i përket fondeve të parashikuara për laboratorë financiare mendojmë se për nevojat që kanë hetuesit financiarë, kemi kërkuar fonde të përshkruara në zëra të ndryshëm. Sa i përket hackerimit të sistemeve kompjuterike, nuk kemi pasur në dijeninë time problematikë. Nuk kam çfarë përgjigje të jap për këtë sepse nuk kemi pasur problematikë. Deri sot kur unë kam ardhur këtu nuk kemi pasur problematikë. Gjatë gjithë kohës është treguar një kujdes i shtuar për ruajtjen e sistemeve të IT duke updetuar programet më të sofistikuara pasi ndërhyrja në këto sisteme është problematik.", tha Mara.
Prokurori i SPAK, Vladimir Mara tha në Komisionin për Nismat Qytetarë, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u fol për projektbuxhetin e vitit 2026, tha se menaxhimi financiar i Prokurorisë së Posaçme është fokusuar në financimin e shpenzimeve dhe përmbushjen e objektivave prioritare.
Ai theksoi se në projektbuxhetin e vitit 2026 ka disa kërkesa të tyre të paadresuara, por që sipas tij, nuk ndikojnë në fuksionimin buxhetor të SPAK. Këto kërkesa, tha ai, arrijnë në shumën 109.4 mln lekë, dhe kanë të bëjnë me pagat, sigurimet, shpenzime të tjera në mallra apo transferta të huaja.
“Në projektligjin për 2026, konstatohen se kërkesat shtesë thuajse janë reflektuar, në zërin paga 120 mln, në sigurime 27 mln, në shpenzime mallra e shpenzime shtuar me 80 mln. Krahasuar me parashikimin buxhetor në projektligjin për vitin 2026, me kërkesat shtesë të paraqitura nga ana jonë, ka disa diferenca të paplotësura por nuk ndikojnë në funksion buxhetor të SPAK. Ka disa diferenca në zërin e pagave dhe sigurimeve në shumën 96.4 mln lekë, në shpenzime dhe mallra 5 mln, në transferta të huaj 2.1 mln dhe në transferta për buxhet familjar 2.3 mln. Në total kërkesa të paplotësuara në projektligjin për buxhetin 2026 në kërkesat shtesë janë në shumën 109.4 mln lekë.”, u shpreh Mara.
Sipas Marës, për vitin 2026, janë planifikuar 220 mln lekë vetëm për rritjen e kapaciteteve të hetimit të prokurorisë. Ndalur te siguria, ai tha se janë marrë të gjitha masat që garantojnë sigurinë e punonjësve të SPAK. Ai theksoi se nevojë është krijimi i një portofoli për të administruar kriptomonedhat e sekuestruara. Ai tha se janë në komunikim me Agjencinë e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara (AAPSK), por shtoi se është e nevojshme që të bëhet edhe ndërhyrje ligjore.
“Në 2026 janë planifikuar edhe 220 mln lekë që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve të hetimit. Një pjesë e këtij buxheti shkon për rritjen e kapaciteteve hetimore. Sa i përket ngjarjes së ndodhur për sigurinë, janë marrë të gjitha masat lidhur me sigurinë e godinës, në të cilën ushtron aktivitetin SPAK, nuk mendoj se ka problematikë lidhur me sigurinë e punonjësve brenda këtij institucioni. Po ashtu edhe për prokurorët ka masë të shtuar të sigurisë së tyre. Në lidhje me portofolin e kriptomonedhave është një fakt i bërë publik nga drejtuesi i SPAK, kjo ka lindur realisht nga nevoja gjatë hetimeve të kryera sidomos ato që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, ka pasur raste të sekuestrimit të kriptovalutave dhe ne nuk kemi patur portofol për t’i ruajtur këto kriptovaluta. Mendoj se ka nevojë edhe për ndërhyrje ligjore lidhur me këtë problematikë por jemi në komunikim edhe me Agjencinë e Sekuestrimit dhe Konfiskimit të aseteve kriminale për të mundësuar që ne të kemi një portofol të administruar nga kjo agjenci. Në fakt është problematikë e ngritur dhe që e shikojmë çdo ditë në hetimet tona.", tha Mara.
Komente











