Parku arkeologjik Bylis-Klos pritet të marrë më shumë vëmendje në turizmin kulturor në Shqipëri kjo falë projekteve të qeverisë për ruajtjen dhe promovimin e qytetit antik.
Sipas ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, Bylisi, një nga qendrat më të mëdha ilire, së bashku me Nikajan përbëjnë dëshmi të rëndësishme të organizimit politik, urban dhe kulturor të antikitetit dhe lidhen me historinë e Koinonit të Bylinëve.
Për këtë arsye, ministria po punon me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Agjensinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim për ndërmarrjen e hapave të duhur për administrimin dhe promovimin e parkut arkeologjik.
Sipas ministrit ndërhyrjet synojnë ruajtjen e vlerave historike dhe arkeologjike të zonës, si dhe zhvillimin e saj si një destinacion të rëndësishëm kulturor dhe turistik në vend. Investimet dhe projektet e përbashkëta, sipas tij, pritet të rrisin vizitueshmërinë dhe të promovojnë më tej trashëgiminë kulturore shqiptare brenda dhe jashtë vendit.
Komente











