Projektet e infrastrukturës, hapi i 
parë i bashkëpunimit Shqipëri-Serbi

Projektet e infrastrukturës, hapi i <br />parë i bashkëpunimit Shqipëri-Serbi
TIRANE - Një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore e presin Shqipërinë në muajt e ardhëm duke nisur nga autostradat e deri tek hekurudhat.

Projektet e rëndësishme të zhvillimit janë prezantuar sot nga Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe zv/kryeministren serbe Zorana Milajlovic.  

Projektet e rëndësishme të dy vendeve janë:  ndërtimi i autostradës Nish-Prishtinë-Tiranë, Beograd-Bar dhe projektet hekurudhore  Beograd-Bar-Durrës-Vlorë, si dhe autostrada Adriatiko-joniane ose “Autostrada e kaltër”. Të dy përfaqësuesit theksuan se ky është hapi i parë që dy vendet bëjnë në kuadër të bashkëpunimit institucional.
 
Më poshtë deklarata e plotë e Ministrit Ahmetaj dhe zv/kryeministres serbe Milajlovic

Ministri Ahmetaj

Është një privilegj për mua sot që në Tiranë të mirëpres Zëvendëskryeministren e Serbisë dhe njëkohësisht ministre e Ndërtimit, Transporteve dhe Infrastrukturës, Zorana Milajlovic, të cilës më lejoni t’i uroj dhe mirëseardhjen në Tiranë për herë të parë.
Ky takim bilateral sot është zhvilluar në kuadër të procesit të ndërlidhjes apo të kolektivitetit të Ballkanit Perëndimor, proces që nisi vjet me nismën e Kancelares Merkel në Berlin, me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Procesi do të vijojë dhe këtë vit me një takim në Vjenë në muajin gusht, ndërkohë që kemi pasur një sërë takimesh të rëndësishme të nivelit të lartë të vendeve të ndryshme të rajonit për të rakorduar bashkëpunimin në kuadër të përgatitjes së këtij procesi.
Siç është theksuar edhe nga Kryeministri Rama në Berlin, kjo është hera e parë që liderët e Ballkanit Perëndimor ulen së bashku në emër të bashkëpunimit rajonal. Ulen së bashku në emër të bashkëpunimit rajonal pa pasur asnjë konflikt mes tyre. Me të njëjtën frymë jemi duke vazhduar bashkëpunimin me Serbinë dhe të gjithë vendet e tjera të rajonit, në mënyrë që të ketë një përgatitje të denjë dhe konkrete në Samitin e Vjenës.
Qeveritë e Shqipërisë dhe Serbisë janë duke rakorduar projektet e përbashkëta të infrastrukturës që do të paraqitën në Vjenë dhe në Bashkimin Evropian nga dy Kryeministrat e dy vendeve. Ky është një hap i rëndësishëm i bashkëpunimit bilateral dhe rajonal pasi edhe fjala kyçe e Samitit të Berlinit vitin e kaluar, ishte konektiviteti apo ndërlidhja.

Në këtë kuadër, por edhe duke pasur parasysh nevojat infrastrukturore të rajonit, përballë mundësive të kufizuara buxhetore të vendeve tona, po përgatitet një listë projektesh rajonale, të cilat do të ndërlidhin vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke krijuar njëkohësisht premisat për një bashkëpunim akoma të thellë, si tregtar, ashtu edhe ekonomik.

Ky takim shënon nisjen zyrtare të bashkëpunimit mes nesh si shtete në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe infrastrukturor rajonal. Nga takimi i sotëm mund të them se janë caktuar piketat e këtij bashkëpunimi, i cili do të shtrihet tanimë me vendet e tjera të rajonit të përfshira në këtë proces.
Do të ketë një grup teknik me përbërje nga të dy vendet. Grupi teknik i përbashkët do të mund të përcaktojë qartë gjithë specifikat teknike dhe nevojat e projekteve rajonale të zhvillimit.

Qëllimi ynë i përbashkët është të paraqitim një dokument të përbashkët dhe një listë të unifikuar projektesh përpara Bashkimit Evropian. Një listë, e cila të jetë e qartë dhe në funksion të lidhjes dhe zhvillimit rajonal. Së fundmi, falënderoj zonjën Zv.Kryeministre për rolin e saj tepër aktiv në të gjithë këtë proces. Duke theksuar edhe një herë se mes vendeve tona, në të mirë të qytetarëve dhe të zhvillimit ekonomik, është kaluar në një fazë të re bashkëpunimi aktiv. Jam besimplotë se ky bashkëpunim dhe bashkëpunimi me të gjithë partnerët e tjerë rajonalë do të japë frytet e kërkuara në shërbim të mirëqenies të qytetarëve të vendeve tona.
Faleminderit për vizitën.
 
Zv.Kryeministrja e Serbisë, Zorana Milajloviç:

Në fillim dua të shpreh solidaritetin për përmbytjet që kanë ndodhur në Shqipëri. Serbia është një vend që ka kaluar këto fatkeqësi dhe ju ofron ndihmën e saj në këto ngjarje.
Siç ishte e rëndësishme dita kur u takuam në Berlin, ashtu është e rëndësishme edhe dita e sotme, që krijuam një grup të përbashkët.
Dua t’ju falënderoj për mikpritjen.

Kemi qëllime të përbashkëta, që të përcaktojmë një dokument të përbashkët për projektet me impakt rajonal. Ne synojmë ta paraqesim këtë projekt të përbashkët në muajin maj, gjë që do të shënojë fillimin e bashkëpunimit.
Ndërlidhja e përbashkët është një instrument për të nxitur rritjen ekonomike të vendeve tona. Po gjithashtu është dhe një mënyrë që të shkojmë në mënyrë të përbashkët drejt Bashkimit Evropian.
Serbia dhe Shqipëria duan të ecin përpara dhe patjetër që janë partnerë.

Në këtë mënyrë, duke qene e autorizuar nga Kryeministri im për të punuar për këto çështje me ju, dua të them që bashkëpunimi nga ana jonë do të jetë i vazhdueshëm, energjik dhe efikas. Në datën 10 prill besoj se do të kemi sugjerimin e parë të dokumentit të përbashkët, që ka të bëjë me rindërtimin e rrugëve, të cilat lidhin jo vetëm Serbinë dhe Shqipërinë, por të gjithë Ballkanin. Dhe në këtë mënyrë do të jemi më të afërt edhe me vendet e tjera të Evropës. Gjithashtu, do të kemi projekte të qarta për rindërtimin e hekurudhave, gjë që do të mundësojë rritjen ekonomike dhe nxitjen e punësimit.
Ju faleminderit për mikpritjen dhe shpresoj se do të punojmë për këtë çështje, në të njëjtën mënyrë siç bashkëpunojnë Kryeministrat tanë.
 
Projektet janë:

Autostrada Nish-Prishtinë-Tiranë;
Hekurudha Beograd-Bar-Durrës-Vlorë;
Autostrada që ka filluar nga Beogradi për në Bar
Autostrada Adriatiko-joniane ose “Autostrada e kaltër”.

 
Referuar situatës së përmbytjeve Milajloviç tha se tashmë Shqipëria po kalon një situatë të vështirë, njësoj si ajo që kaloi më parë Serbia. Ndërkohë Ahmetaj tha se ngjarjet klimaterike, e kanë testuar gatishmërinë e instrumenteve qeveritarë në të gjithë rajonin pothuajse dhe sa herë që ndodhin janë shumë të vështira. Është shumë e rëndësishme që nuk patëm asnjë humbje në njerëz dhe sigurisht që përderisa kemi edhe përballje klimaterike gati të njëjta. Ka shumë vend për të bashkëpunuar dhe mësuar nga njëri-tjetri për parapërgatitjen dhe për reagimin.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet parlamentare 2025, sipas jush si duhet të votojë diaspora?



×

Lajmi i fundit

Mashtruan me microcredite në vlerën 7.2 mln euro, Banka e Shqipërisë revokon licencën për 'Micro Credit Albania' dhe 'Final'

Mashtruan me microcredite në vlerën 7.2 mln euro, Banka e Shqipërisë revokon licencën për 'Micro Credit Albania' dhe 'Final'