BERAT - Qyteti i historisë, Berati shumë shpejt do të ketë edhe një ishull.  Ky projekt është prezantuar nga zv/kryeministri Niko Peleshi gjatë pjesëmarrjes së tij në ditën e ujit të bekuar në Berat. 

Zv/kryeministri ka thënë se pas përfundimit të investimeve për qendrën e Beratit, lulishten dhe Urën e Goricës, do të hapet projekti për ndërtimin e “Ishullit të Beratit”. 

Niko Peleshi shton se për këtë projekt të ri do të hapet një konkurs ndërkombëtar, ku do të zgjidhet projekti më i mirë dhe menjëherë do të nisin punimet e zbatimit të tij. 


“Disa nga projektet e tjera janë në zbatim e sipër siç është rikonstruksioni i lulishtes i parkut në qendër të qytetit, do fillojë shumë shpejt rikonstruksioni i trotuareve që lidh urën e varur me urën e Goricës ku jemi sot. Ura e Goricës që sapo ka përfunduar është një vlerë e trashëgimisë kulturore unikale.

Projekti që ne do të jetësojmë pas konkursit kombëtar që do jetësojmë së shpejti është ndërtimi i ishullit në qendër të Osumit pranë qendrës së qytetit të Beratit. Një ishull që mund të akomodojë struktura që mund t’i rrisin vlera qytetit të Beratit për ta bërë atë ashtu siç ka filluar të jetë një qytet me të vërtetë turistik”- u shpreh Peleshi.

I ndodhur mes besimtarëve Ortodoksë Niko Peleshi dhe Nasip Naço kanë uruar besimtarët për ditën e Ujit të Bekuar. Besimtarët e mbledhur në urën shekullore të Goricës kanë hedhur kryqin në ujërat e lumit Osum. 11 djem ishin futur në ujërat e ftohta të lumit, por kryqi u kap nga 30-vjeçari Erald Marini.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)