TIRANE, 17 Dhjetor/ATSH/- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, eshte shprehur se me qeverinë kineze dhe përfaqësuesit e kompanive kineze është diskutuar edhe për projektet në zhvillimin e sistemit hekurudhor shqiptar, përveç projekteve të nënshkruara tashmë si "Rruga e Arbërit" për të cilin Haxhinasto i përgjigjet edhe akuzave të opozitës.
Në një intervistë për Top Channel në Beograd, Haxhinasto tha se samiti pati një zhvillim të ri cilësor përsa i takon bashkëpunimit të Kinës me të gjithë vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Pati gjithashtu edhe një evolim cilësor edhe sa i takon projekteve konkrete me Shqipërinë, tha ai. Vetëm një ditë më parë, nënvizoi ministri Haxhinasto, u nënshkruan dy memorandume mirëkuptimi për programet në përgjithësi dhe duke përfshirë edhe Rrugën e Arbërit në veçanti. "Mendoj se jemi në fazën e fundit të marrëveshjes për Rrugën e Arbërit me kompaninë kineze, por kemi gati edhe projekte të tjera për t'i shqyrtuar me kompani serioze kineze. Këtu e kam fjalën për segmente të tjera rrugore, për sistemin hekurudhor, por edhe për projekte të tjera", deklaroi Haxhinasto. Sipas tij, në këtë samit u konsolidua edhe mekanizmi që do të shqyrtojë këto projekte dhe u vu re në mënyrë të qartë se vendet janë në gjendje që të paraqesin projekte të përbashkëta me njëri-tjetrin me qëllim që të rrisin atraksionin e tyre për t'u mbështetur sa më mirë nga fondi ekzistues kinez, por edhe nga fondi që do të hapet shumë shpejt pikërisht për këto projekte të rajonit.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për rrugën e Arbërit, ministri Haxhinasto u shpreh se përgjigjja më e drejtë u dha nga ai dokument zyrtar që ekziston në Ministrinë e Transporteve, ku thuhet qartë që nuk ekziston ekspertiza për të bërë vlerësimin e këtyre projekteve./a.gjonaj//a.ke/