Europa synon që të përfundojë dhe modernizojë rrugët e transportit deri në vitin 2030, përmes Programit Trans-Europian të Rrjetit të Transporti(TEN-T). Shqipëria, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit, është pjesë e Zgjatimit Indikativ të këtij rrjeti. Cilat janë projektet rrugore e hekurudhore për Shqipërinë, që pritet të sjellin Europën më afër
Nuk ka një treg të vetëm europian pa transport. Transporti adreson nevojat e lëvizshmërisë të mbi 500 milionë qytetarëve europianë dhe siguron transportin e mallrave nga më shumë se 11 milionë industri europiane te klientët e tyre.
“Ne jemi këtu për t’u shërbyer nevojave të Bashkimit Europian, fqinjëve të saj dhe njerëzve që duan të angazhohen, bashkëpunojnë dhe të shijojnë përfitimet e një transporti të zgjuar, gjithëpërfshirës, të pastër dhe të sigurt”, pohoi Violeta Bulc, komisionerja për transportin në Komisionin Europian.
Znj. Bulc e bëri këtë deklaratë në ditët e TEN-T, që janë një event vjetor i Programit Trans-Europian të Rrjetit të Transportit të organizuar nga Komisioni Europian dhe këtë vit, u zhvillua në fund të muajit prill, në Lubjanë të Sllovenisë. Në të morën pjesë më shumë se 2300 të ftuar, të gjitha shtetet anëtare, me 17 ministra nga Bashkimi Europian dhe 9 ministra nga shtetet fqinjë, përfshirë edhe atë të Shqipërisë, z. Damian Gjiknuri.
Programi TEN-T u krijua në vitin 2006 nga Komisioni Europian për të mbështetur ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së transportit në të gjithë Bashkimin Europian, por tashmë është shtrirë edhe në Ballkan, që prej vitit 2015. Ai mundëson përkrahje financiare për realizimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës së transportit – në përputhje me synimin për rritjen e konkurrencës europiane, krijimin e vendeve të punës dhe ndërveprimin. Projektet e Programit TEN-T mbulojnë të gjitha mënyrat e transportit – ajri, hekurudha, rrugët, rrugët ujore, si dhe logjistika dhe sistemet e transportit inteligjent. Komisionerja për transportin në Komisionin Europian, Violeta Bulc, pohoi se po krijohet një ekosistem i fuqishëm lëvizjeje në BE, duke shkruar drejt një Unioni të vërtetë Transporti.
“Kjo është fuqia, këtu është vendi ku shfaqen ide gjithëpërfshirëse të cilat zhvillohen në përfitim të të gjithëve. Këto përfitime janë: Përmirësimi i efikasitetit (i rrjeteve tona logjistike, shërbimit ndaj udhëtarëve dhe investimeve), përmirësimi i ndërlidhjes (brenda BE-së dhe rajonit të fqinjësisë), dhe zvogëlimi i eksternaliteteve negative.
Aspirojmë Vizionin Zero, që synon: zero vdekje në rrugët europiane, zero-emetime nga Transporti dhe zero letra deri në vitin 2050, së bashku me sistemet e integruara të biletave dhe sistemeve integruese të logjistikës”, tha ajo.
Në vitin 2017, shtetet anëtare kanë komunikuar vlerësimet e tyre për nevojat për investime për rrjetin bazë dhe atë gjithëpërfshirës të transportit, duke bërë të ditur dhe nevojat që do të kenë për grante dhe instrumente financiare të BE-së (hua, garanci, pjesëmarrje në kapital). Në bazë të analizave, investimet e nevojshme për 27 vendet anëtare për të plotësuar rrjetet bazë të TEN-T janë rreth 500 miliardë euro dhe rreth 1 trilion euro për rrjetin gjithëpërfshirës TEN-T dhe investime të tjera transporti, si dekarbonizimi, dixhitalizimi, siguria, mirëmbajtja, etj.
Për të siguruar këto financime janë krijuar programe dhe instrumente të ndryshme. Znj. Bulc përmendi se Mekanizmi i Ndërlidhjes së Europës (Connecting Europe Facility -CEF) ka miratuar 22.3 miliardë euro grante për 641 projekte me vlerë më shumë se 50 miliardë euro.
Si do të ndërlidhet Ballkani dhe Shqipëria
Ndonëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë ende në Bashkimin Europian, që prej angazhimit të Samitit të Berlinit të vitit 2014, dhe më pas në një takim të ministrave përkatës në Riga në vitin 2015, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia janë pjesë e axhendës së ndërlidhjes europiane.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë përfshirë si një zgjerim indikativ në rrjetin transeuropian të transportit (TEN-T) duke përfshirë rrjetin bazë, korridoret e rrjetit bazë dhe projektet prioritare të paracaktuara për investime në infrastrukturë. Zgjerimi i korridoreve të rrjetit thelbësor TEN-T në Ballkanin Perëndimor siguron një integrim më të ngushtë me BE-në, si dhe bazën për shfrytëzimin e investimeve në infrastrukturë, siç është mbështetja e BE-së nëpërmjet Mekanizimit Investues të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe Mekanizimit të Ndërlidhjes së Europës (CEF).
Violeta Bulc, komisionerja për transportin në Komisionin Europian, pohoi në një takim me mediat në kuadrin e takimit TEN-T në Lubjanë se ka marrë konfirmim se në Serbi do të krijohet zyra qendrore, që do të menaxhojë projektet e Ballkanit Perëndimor. “Për Ballkanin kemi miratuar disa projekte, në kuadër të Samitit të Triestes zhvilluar vitin e kaluar, ku përfituesit kryesorë kanë qenë Bosnja, Serbia dhe Maqedonia”.
Ajo shtoi se në takimin e ardhshëm që do të zhvillohet në Sofje do të ketë një plan konkret financimi për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet një mekanizmi të ri financimi, që sipas saj do t’i japë një shtytje të mëtejshme këtij rajoni. “Presim propozime nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia”, tha ajo, duke shtuar se do të dëgjoni projekte konkrete nga Ballkani Perëndimor në të ardhmen.
Shqipëria përfshihet në rrjetin europian TEN-T, përmes autostradave Adriatiko – Joniane (që në pjesën më të madhe në territorin shqiptar përputhet me aksin rrugor Veri – Jug) dhe që është i Korridorit të Mesdheut, që fillon nga Spanja (Almeria) dhe kalon nëpër 6 vende Europiane (Spanjë, Francë, Itali, Slloveni, Kroaci dhe Hungari) në një gjatësi 6,000 km. Autostrada Adriatiko – Joniane lidh korridorin TEN-T Mesdhetar, që kalon në bregdetin kroat, me rrugët përgjatë bregdetit malazez dhe përshkon Shqipërinë nga Muriqani në Lezhë-Tiranë-Fier-Tepelenë-Gjirokastër dhe përfundon në Kakavijë.
Thimio Plaku, Drejtori i Politikave të Transportit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, pohon se ka dhe projekte të tjera me ndikim rajonal dhe që do të shërbejnë si zgjatimet për t’u lidhur me rajonin dhe Europën, si rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Durrësi në Tiranë dhe lidhja hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pjesë e Zgjatimit të Rrjetit Indikativ TEN – T për hekurudhat në Ballkanin Perëndimor; rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë – Shkodër – Hani i Hotit (kufi me Malin e Zi), me gjatësi 120 kilometra dhe rehabilitimi i 12 stacioneve hekurudhore të pasagjerit dhe mallrave; rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Pogradec – Lin dhe ndërtimi i linjës së re Lin – kufiri me Maqedoninë (korridori VIII hekurudhor); mundësia e lidhjes së rrjetit tonë hekurudhor, me korridorin hekurudhor TEN-T Orient/East Med në Greqi nëpërmjet Kapshticës dhe Follorinës, përkatësisht në linjën hekurudhore Durrës – Elbasan – Pogradec – Kapshticë – Follorinë Selanik /Athinë (Pireu) që lidh Portin e Durrësit në Detin Adriatik me portin e Selanikut dhe të Pireut në Athinë, të cilat janë nga portet më të mëdhenj të mallrave në Mesdhe, etj. (shiko intervistën në vijim).
INTERVISTA
Korridori i Mesdheut do të përfundojë në 2030-n, planet e Shqipërisë për ndërlidhjen me Europën
Flet Thimio Plaku, Drejtori i Politikave të Transportit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë
Shqipëria ndërlidhet në rrjetin Trans Europian të Transportit (TEN – T) përmes Korridorit të Mesdheut, që nis nga Igumenica dhe kalon përmes bregdetit shqiptar dhe del në Mal të Zi. Thimio Plaku, Drejtori i Politikave të Transportit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, pohon në një intervistë për “Monitor” se është dorëzuar një aplikim i përbashkët me Ministrinë e Transportit dhe Çështjeve Detare të Malit të Zi për projektin “Studim Fizibiliteti për autostradën rrugore Adriatiko – Joniane”. Projekti ka fituar, studimi i Fizibilitetit ka filluar me 15.11.2017 dhe do të zgjasë 18 muaj dhe pas përfundimit të tij, do të aplikohet për grante. Sipas metodologjisë TEN –T, ndërtimi i këtij korridori duhet të përfundojë deri në vitin 2030.
Sipas hartës së publikuar nga Komisioni Europian, Shqipëria ndërlidhet në rrjetin Trans Europian të Transportit (TEN – T) përmes Korridorit të Mesdheut, që nis nga Igumenica dhe kalon përmes bregdetit shqiptar dhe del në Mal të Zi. Konkretisht, në çfarë faze është ky korridor? A ka projekt dhe si do të veprohet për financimin e tij?
Në Samitin e Berlinit dhe Takimit të Ministrave të Transportit mbajtur në Riga, në vitin 2015 (WB6 TEN-T Days), u miratua Zgjatimi Indikativ i Rrjetit TEN-T Kryesor dhe Gjithëpërfshirës në Ballkanin Perëndimor dhe tashmë rrjeti ynë i transportit është pjesë e Rrjetit TEN – T (Trans European Network – Transport).
Autostrada Adriatiko – Joniane, (që në pjesën më të madhe në territorin shqiptar përputhet me aksin rrugor Veri – Jug) përfundimisht është pjesë (zgjatim) i Korridorit të Mesdheut (MEDITERRANEAN CORRIDOR) që fillon nga Spanja (Almeria) dhe kalon nëpër 6 vende europiane (Spanjë, Francë, Itali, Slloveni, Kroaci dhe Hungari) në një gjatësi 6,000 km. Autostrada Adriatiko – Joniane lidh korridorin TEN – T Mesdhetar, që kalon në bregdetin kroat, me rrugët përgjatë bregdetit malazez dhe përshkon Shqipërinë nga Muriqani në Lezhë-Tiranë-Fier-Tepelenë-Gjirokastër dhe përfundon në Kakavijë.
Korridori Orient – East Med fillon nga Igumenica Greqi, kalon në Athinë dhe Selanik dhe pasi përshkon pjesën më të madhe të vendeve të Europës Qendrore, përfundon në portet gjermane të Detit të Veriut dhe Detit Baltik. Korridori Mediteran nuk takon me korridorin Orient-East Med në asnjë pikë, as nëpërmjet Autostradës Adriatiko-Joniane.
Në kuadër të raundit të 14 të WBIF, u përgatit dhe dorëzua një aplikim i përbashkët me Ministrinë e Transportit dhe Çështjeve Detare të Malit të Zi për Projektin “Studim Fizibiliteti për autostradën rrugore Adriatiko – Joniane”. Projekti ka fituar dhe 3.5 milionë euro janë dhënë në formën e Grant-it për këtë studim (2.5 milionë euro për palën shqiptare dhe 1 milion euro për palën malazeze). Studimi i Fizibilitetit ka filluar me 15.11.2017 dhe do të zgjasë 18 muaj. Pas përfundimit të këtij studimi fizibiliteti do të aplikohet për fonde grant nga WBIF për Projektin e Detajuar dhe Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor dhe Social që e maturojnë projektin për t’u investuar. WBIF jep deri 20% të vlerës së investimit grant për ndërtimin e rrugëve (50% për Hekurudhat), por nuk përjashtohet mundësia e ndryshimit të kësaj politike nëpërmjet mekanizmave të reja që do të lançohen në Samitin e Sofjes. Sipas metodologjisë TEN–T, ndërtimi i këtij korridori duhet të përfundojë deri në vitin 2030.
Çfarë projektesh të tjera janë në plan për ndërlidhjen rajonale dhe europiane dhe në çfarë faze janë ato?
Janë një sërë projektesh me ndikim rajonal ku krahas Korridorit Adriatiko – Jonian mund të përmendim.
-Rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Durrësi në Tiranë dhe lidhja hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pjesë e Zgjatimit të Rrjetit Indikativ TEN – T për hekurudhat në Ballkanin Perëndimor: Route 2 – Podgoricë – Durrës / Tiranë, është një nga projektet më strategjike dhe të rëndësishme të qeverisë shqiptare. Kosto totale e projektit vlerësohet në shumën prej 90.45 milionë euro dhe pritet të përfundojë më 2020.
-Në kuadër të investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) me lider financiar BERZH, në fushën e investimeve hekurudhore, pritet të nisë shumë shpejt hartimi i projektit të zbatimit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Shkodër – Hani i Hotit (kufi me Malin e Zi), me gjatësi 120 kilometra dhe rehabilitimi i 12 stacioneve hekurudhore të pasagjerit dhe mallrave. Projekti është në një fazë të avancuar të përgatitjes. Granti prej 4.5 milionë eurosh i miratuar në dhjetor 2016, financon përgatitjen e projektit të detajuar dhe dokumenteve të tenderit për punimet e rehabilitimit. Ky projekt përveçse rehabiliton linjën e amortizuar nga Vora në Shkodër, mundëson dhe standardizimin e hekurudhës me Malin e Zi, si dhe fokusohet në krijimin e lidhjeve hekurudhore efikase midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
-Projekt tjetër hekurudhor, që është aktualisht në fazën e studimit të fizibilitetit, është Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Pogradec – Lin dhe ndërtimi i linjës së re Lin – kufiri me Maqedoninë (korridori VIII hekurudhor). Ky projekt ka për qëllim rehabilitimin e trungut hekurudhor Durrës – Pogradec – Lin (136 km), si dhe ndërtimi i 2.8 km linjë të re hekurudhore midis fshatit Lin dhe Maqedonisë. Ky investim do të përmirësojë lidhjet multimodale me Italinë, përmes Portit të Durrësit (Shqipëri), si dhe me Maqedoninë dhe Bullgarinë. Studimi është duke u përgatitur nga
Struktura e Projektit të Infrastrukturës (IPF 4), përmes një granti prej 720,000 eurosh të BE-së të alokuar nga WBIF, në qershor 2015.
Qeveria shqiptare po shikon sot mundësinë e lidhjes së rrjetit tonë hekurudhor, me korridorin hekurudhor TEN-T Orient/East Med në Greqi nëpërmjet Kapshticës dhe Follorinës, përkatësisht në linjën hekurudhore Durrës – Elbasan – Pogradec – Kapshticë – Follorinë Selanik /Athinë (Pireu) që lidh Portin e Durrësit në Detin Adriatik me Portin e Selanikut dhe të Pireut në Athinë, të cilat janë nga portet më të mëdhenj të mallrave në Mesdhe. Studimi i Parafizibilitetit për lidhjen hekurudhore Shqipëri – Greqi nga Kapshtica është një aplikim i përbashkët ndërmjet Hekurudhave Greke dhe Ministrisë sonë të Transportit, në kuadrin e Programit INTERREG të bashkëpunimit rajonal Shqipëri – Greqi, në vlerën 850,000 euro, i cili nis brenda muajit maj 2018.
-Po ashtu, investimet në Korridorin Nish – Prishtinë – Durrës (Route 7) i përfshirë në Rrjetin Kryesor të Ballkanit Perëndimor konsiderohen me rëndësi, duke qenë se ky korridor shihet si një lidhje e shkurtër ndërmjet Zgjatimit Indikativ TET – T të Korridorit Mesdhetar nëpërmjet Prishtinës me Zgjatimin Indikativ TEN –T të Korridorit ORIENT/EAST MED.
-Projekti i Detajuar i Bypassit të Tiranës (Kashar – Arbanë – TEG) dhe Vlerësimi i Ndikimit Social Ambiental fillon shumë shpejt me një grant prej 1.5 milionë eurosh nga WBIF. Pas kësaj, projekti maturohet dhe është i gatshëm për investim.
-Po kështu ka filluar studimi i fizibilitetit dhe projekti i detajuar i bypass-it të Lezhës me një grant prej 75,000 euro nga WBIF.
-Dublimi i rrugës Milot – Rrëshen, ndërtimi i Rrugës së Arbrit, ndërtimi i rrugës Thumanë-Kashar/Vorë, ndërtimi i bypass-eve të Tepelenës, Fierit, Vlorës, Gjirokastrës dhe atij të Tiranës, janë disa projekte të tjera me ndikim edhe rajonal, të cilët janë të përfshirë në listën e projekteve prioritare.
Komisionerja Europiane për Transportin, Violeta Bulc, theksoi se në takimin e ardhshëm në Sofje do të ketë një plan financimi për Ballkanin Perëndimor, përmes një mekanizmi të ri, që do t’i japë shtytje të mëtejshme projekteve në Ballkan. Nëse mund të jepni më shumë informacion se për çfarë bëhet fjalë?
Nuk ka ende asnjë informacion zyrtar për këtë mekanizëm të ri. Mendohet se bëhet fjalë për zgjerim të CEF (CONNECTING EUROPE FACILITY) drejt Vendeve të Ballkanit Perëndimor WB6. CEF është një Program Investimesh për periudhën 2014-2020, për të investuar në infrastrukturën prioritare të Transportit, Energjisë dhe Telekomunikacionit në vendet e EU-së.
Sa ka qenë në gjendje qeveria shqiptare që të tërheqë projekte rajonale dhe për çfarë projektesh po punohet konkretisht?
Të gjitha projektet e përmendura më sipër janë projekte të rëndësisë rajonale, pasi bëjnë pjesë në rrjetin bazë SEETO apo të Ballkanit Perëndimor WB6 dhe, për këtë arsye janë financuar dhe po financohen me grante nga WBIF dhe kredi të buta nga BERZH e BEI, pikërisht se janë në përputhje me strategjinë e integrimin të rrjetit të transportit Core Network SEETO/WB6, pra edhe të rrjetit shqiptar të infrastrukturës se Transportit, në korridoret Trans Europiane të Transportit TEN-T.
Në kuadër të procesit të Berlinit, qeveria e Shqipërisë ka ngritur mekanizmat e duhur me një theks të veçantë në përgatitjen dhe financimin e projekteve konkrete për investime në infrastrukturë rajonale, të kombinuara me zbatimin e Planit të Menaxhimit të Masave të Reformës së Ndërlidhjes. Investimet në rrjetin dhe korridoret kryesore të transportit janë prioritarizuar përmes Single Sector Project Pipeline, një proces i nisur në vitin 2015.
Shqipëria, nëpërmjet institucioneve përkatëse, ka marrë pjesë aktive dhe mbështet nismën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6) dhe në bashkëpunim me institucionet homologe të rajonit po punon për paraqitjen e projekteve me rëndësi rajonale, duke qenë në të njëjtën linjë me ata të paraqitura nën ombrellën e SEETO-s.
Përmes instrumentit të WBIF janë financuar dhe po financohen një sërë projektesh sikurse u përmendën dhe më lart. Rritja e bashkëpunimit rajonal do të ndikojë në përthithjen e investimeve në projektet infrastrukturore me rëndësi rajonale. Përfshirja e rrjetit kryesor dhe gjithëpërfshirës i SEETO-s në TEN –T na shtyn të rrisim standardet e rrjetit tonë kombëtar, për ta përputhur me ato BE-së./ Monitor
(Harta e transportit evropian)