Shqipëria po ecën paralelisht me tre kapituj të rëndësishëm të negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa synon të avancojë procesin e akreditimit dhe të nisë sa më shpejt zbatimin e programit IPARD III. Kjo ishte një nga mesazhet kryesore të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andi Salla, gjatë lançimit të projektit EU4FoodSafetyTiranë.

Salla tha se projekti i ri i mbështetur nga Bashkimi Evropian vjen në një moment vendimtar për vendin, teksa institucionet shqiptare po punojnë për harmonizimin e sistemit të sigurisë ushqimore me standardet evropiane.

“Siguria ushqimore është një shtyllë themelore për shëndetin publik, për mbrojtjen e konsumatorit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit agro-ushqimor. Ajo është gjithashtu një element kyç për rritjen e aftësisë konkurruese të prodhuesve shqiptarë dhe për afrimin e tyre me tregun evropian”, u shpreh ministri.

Ai tha se Ministria e Bujqësisë mbetet e angazhuar në forcimin e kapaciteteve institucionale, koordinimin ndërinstitucional, përmirësimin e sistemeve të kontrollit dhe inspektimit, rritjen e standardeve për operatorët e biznesit ushqimor dhe zbatimin e legjislacionit në përputhje me acquis të BE-së.

“Projekti EU4FoodSafety vjen në një moment kyç për Shqipërinë. Ai përbën një mbështetje të rëndësishme për konsolidimin e reformave dhe për forcimin e kapaciteteve tona në fushën e sigurisë ushqimore. Ky projekt do të na ndihmojë të kalojmë nga identifikimi i sfidave drejt zbatimit të zgjidhjeve konkrete dhe të qëndrueshme, duke garantuar një nivel më të lartë sigurie ushqimore për qytetarët”, deklaroi Salla.

Ministri e lidhi projektin edhe me procesin e integrimit evropian, duke theksuar se Shqipëria po punon njëkohësisht në disa fusha kyçe të sektorit.

“Ne jemi duke ecur paralelisht në Kapitullin 12 – Siguria Ushqimore, Politika Veterinare dhe Fitosanitare, Kapitullin 11 – Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, si dhe Kapitullin 13 – Peshkimi, si pjesë e një qasjeje të integruar për zhvillimin e sektorit dhe përmbushjen e detyrimeve tona në procesin e anëtarësimit”, tha ai.

Duke u ndalur te fondet evropiane për bujqësinë, Salla tha se programi IPARD mbetet një instrument strategjik për sektorin.

“Siç kemi theksuar edhe më parë, jemi plotësisht të angazhuar për avancimin e procesit të akreditimit dhe për fillimin sa më të shpejtë të zbatimit të IPARD III, në mënyrë që të sjellim përfitime konkrete për fermerët dhe sipërmarrjet agro-ushqimore.Objektivi ynë është i qartë: ndërtimi i një sistemi funksional dhe të besueshëm, i cili garanton ushqim të sigurt për qytetarët dhe njëkohësisht përmbush standardet e Bashkimit Evropian.”, deklaroi ministri.