Projekti “Fruta të freskëta në shkollë” shtrihet edhe në qytetin e Korçës. Lajmin e ka bërë vetë të ditur ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi gjatë një vizite në shkollën 9 vjeçare “Ismail Qemali”.

Ky projekt i Ministrisë së Bujqësisë ka gjetur mbështetje nga donatorë dhe subjekte të ndryshme në bashkëpunim me bashkitë e vendit. Ministri Peleshi është shprehur shumë i kënaqur si dhe theksoi shtrirje të projektit në të gjithë Shqipërinë.

Jemi duke e shtrirë projektin me të paktën 2-3 shkolla në çdo qytet. Është projekt modest por ka një mesazh shumë të madh. I adresohet shëndetit të shoqërisë në radhë të parë që padyshim duhet të fillojë nga fëmijët. Ata janë pjesa më e ndjeshme ku edhe ia vlen të investosh pasi janë e ardhmja. 

Niko Peleshi, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Projekti synon kthimin në një edukatë të konsumimit të frutave të freskëta, të cilat do t’u shpërndahen fëmijëve falas, me qëllim jo vetëm t’i ndihmojë nga ana ekonomike, por edhe të shërbejë si shhtysë për një jetë më të shëndetshme.