Arsyeja kryesore është pezullimi nga detyra i zv/kryeministres Balluku nga GJKKO, pas mos-vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nga shtatë lëvizje dhe ndryshime në kabinet, pesë kanë të bëjnë me zëvendësimin, në njëfarë mënyre, të dimensionit, rolit dhe punës së derisotme të zv/kryeministres së pezulluar. Dy lëvizjet e tjera kanë të bëjnë me zëvendësime për efekt të performancës.
Njëra është zëvendësimi në detyrën e ministrit të Jashtëm. Në krye të kësaj detyre vjen një diplomat karriere, me eksperiencë të gjatë dhe njohje ndërkombëtare. Procesi i negociatave me Bashkimin Evropian kërkon intensifikim reformash në drejtësi, ekonomi, administratë publike dhe në luftën kundër korrupsionit. Ndryshimi është një përpjekje për të vendosur një figurë më teknike dhe më të përshtatshme për fazën e re intensive të negociatave, ku kërkohet ritëm dhe performancë më e matshme.
Zëvendësimi i ministrit të Mbrojtjes në kuadër të riformatimit të qeverisë nuk duhet të lexohet si një lëvizje e izoluar. Ai duhet parë në kontekstin e sfidave të sigurisë rajonale, angazhimeve të Shqipërisë në NATO dhe dinamikave të vetë qeverisjes.
Shqipëria ndodhet në një fazë ku mbrojtja dhe siguria kanë marrë rëndësi të shtuar. Lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe pasiguritë në rajonin e Ballkanit Perëndimor e kanë kthyer mbrojtjen në prioritet strategjik. Përfshirja e Korridorit VIII si infrastrukturë kritike për NATO-n dhe investimet në bazat ajrore (si ajo e Kuçovës, për shembull) e kanë rritur përgjegjësinë politike të ministrit të Mbrojtjes.
Modernizimi i ushtrisë shqiptare, rritja e buxhetit të mbrojtjes drejt objektivit 2% të PBB-së dhe përmbushja e standardeve të NATO-s kërkojnë menaxhim më efektiv. Nëse ka pasur vonesa në projekte, problematika me tenderë apo kritika mbi performancën administrative, zëvendësimi i ministrit mund të jetë edhe një mesazh për rritje llogaridhënieje.
Sektori i mbrojtjes ka një dimension të fortë ndërkombëtar. Çdo ndryshim në krye të tij shihet me vëmendje nga partnerët strategjikë. Me ndryshimin e bërë, qeveria ka synuar të japë sinjal për seriozitet më të madh, për intensifikim reformash dhe për thellim të bashkëpunimit me SHBA-në dhe NATO-n.
Ardhja në krye të dikasterit të Infrastrukturës dhe Energjisë e zotit Enea Karakaçi është sprova për të zëvendësuar disi boshllëkun që lë zv/kryeministrja e pezulluar, e cila ka qenë shumë energjike dhe me rezultate konkrete në çuarjen përpara të punëve publike në infrastrukturë dhe në diversifikimin e prodhimit të energjisë. Z. Karakaçi është i specializuar në Holandë për jurisprudencë në energji dhe, në dy vjet e tetë muaj që ka qenë në drejtimin e një ndërmarrjeje jetike shtetërore, si Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), ka bërë mirë në drejtim të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve, të shëndoshjes financiare të këtij enti gjigand dhe të investimeve për ta shndërruar në një strukturë moderne dhe me standardet e duhura.
Në nivel të detyrës së zv/kryeministres, ish-ministrja e Brendshme, zj. Albana Koçiu, ka eksperiencë të gjerë të punës me administratën publike, si ish-drejtuese e Departamentit të Administratës Publike, dhe do ta kryejë mirë detyrën e koordinatorit të efektshëm të kryeministrit pranë çdo dikasteri, një nga detyrat parësore të një zv/kryeministri.
Ndryshimi i shtatë ministrave njëherësh është një akt i fortë politik. Ai riafirmon faktin se drejtimi i qeverisë është i centralizuar dhe se kryeministri mban kontrollin e plotë mbi ekipin e tij. Është një kryemesazh brenda dhe jashtë partisë dhe vendit se kriza e ardhur përpara derës me pezullimin e zv/kryeministres evitohet dhe gjendja e vështirë përballohet, se performanca e secilit anëtar të kabinetit qeveritar monitorohet, në mos çdo ditë, të paktën çdo muaj, si dhe se askush nuk është i pazëvendësueshëm.
Edhe nëse zgjedhjet nuk janë në prag të derës dhe duan dy vjet e gjysmë të vijnë, çdo riformatim lexohet në funksion të tyre. Testimi i figurave të reja, ndërtimi i profilit publik të disa ministrave dhe largimi i atyre që mbartin kosto menaxheriale janë pjesë e një strategjie afatmesme për të ruajtur kapitalin elektoral.
Në kohë kur debati publik dominohet nga kritika për korrupsionin, transparencën, cilësinë e shërbimeve apo investimet publike, ndryshimi i qeverisë krijon narrativën e vetëkorrigjimit. Edhe nëse politikat mbeten të njëjta, ndryshimi i njerëzve gjeneron pritshmëri të reja dhe zhvendos fokusin e debatit.
Komente








