Nis nga Gjirokastra projekti i BE me vlerë 19 milionë euro për ekonominë qarkulluese dhe menaxhimin e mbetjeve

Nis nga Gjirokastra projekti i BE me vlerë 19 milionë euro për ekonominë qarkulluese dhe menaxhimin e mbetjeve

Qeveria e Shqipërisë, Bashkimi Evropian (BE) dhe Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) prezantuan sot programin e ri “BE për Ekonominë Qarkulluese – Programi Rajonal i Menaxhimit të Mbetjeve (EU4CE-ReWaM)”. Plotësisht i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga AFD-ja, në partneritet me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë, projekti prej 19 milionë Eurosh do të përmirësojë menaxhimin e mbetjeve në Gjirokastër, në Vlorën e Jugut dhe në Kukës.

Programi do të mbështesë Shqipërinë për rritjen e riciklimit, krijimin e vendgroposjeve dhe strukturave për trajtimin e mbetjeve në përputhje me BE-në, si dhe reduktimin e ndikimeve mjedisore të mbetjeve të ngurta. Kjo nismë do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës në zonat e prekura, si dhe do të mbështesë përafrimin e Shqipërisë me standardet e BE-së për rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE.

Aktiviteti përurues në Gjirokastër shënoi fillimin zyrtar të programit në zonën e mbetjeve Gjirokastër-Vlora e Jugut. Ai mblodhi së bashku bashkitë dhe aktorët vendorë dhe u ndoq nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit znj. Mirela Kumbaro, ambasadori i BE-së në Shqipëri z. Silvio Gonzato, kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës z. Flamur Golemi, zëvendësshefi i Misionit në Ambasadën Franceze z. Samuel Richard, si dhe përfaqësues të AFD-së.

Një ekip konsulentësh ndërkombëtarë dhe vendas, të emëruar nga AFD-ja, do të jetë përgjegjës për realizimin e aktiviteteve programore në muajt në vijim, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, si dhe me 12 bashki nga të dy qarqet.

Ministrja Kumbaro theksoi rëndësinë e koordinimit në nivel vendor për zbatimin e këtij programi kyç. Lidhur me menaxhimin e mbetjeve dhe rolin e qytetarëve dhe autoriteteve në kufizimin e ndikimit në mjedis, “kryetarët e bashkive kanë një rol për të luajtur në ndryshimin e mendësive”, vuri në dukje Kumbaro.

Ambasadori i BE-së z. Silvio Gonzato theksoi se programi është një etapë e rëndësishme drejt zbatimit të reformave në përputhje me BE-në dhe investimeve që lidhen me ekonominë qarkulluese dhe rritjen e gjelbër. Ai përsëriti gjithashtu mesazhet kryesore të fushatës së BE-së pro ambientit “Bëhu pjesë e rrugëtimit të gjelbër”. Një fushatë ndërgjegjësimi dhe një thirrje e hapur për qytetarët, bizneset dhe politikëbërësit shqiptarë që të ndërhyjnë me një sërë veprimesh, të cilat shtrihen që nga zgjedhjet individuale deri te nismat dhe politikat publike, me qëllim ruajtjen e mjedisit sipas standardeve evropiane.

“Në procesin e negociatave të anëtarësimit që Shqipëria ka nisur, respektimi i standardeve mjedisore të BE-së është një nga detyrat më sfiduese. Arsyeja për këtë është se nuk bëhet fjalë vetëm për miratimin e legjislacionit. Kjo kërkon gjithashtu investime të konsiderueshme, një ndryshim të politikave publike, si dhe ndryshime në mënyrën se si njerëzit jetojnë dhe sillen. Projekti që po prezantojmë sot kërkon të kontribuojë në këtë ndryshim politik dhe shoqëror”, deklaroi Ambasadori i BE-së.

Gjatë fjalës së tij, z. Richard, i cili merr pjesë në aktivitet si i Ngarkuar me Punë a.i. i Ambasadës Franceze, theksoi bashkëpunimin në rritje Francë-Shqipëri në çështjet mjedisore, si dhe kontributin vendimtar të AFD-së në këtë hov partneriteti.

“Bashkia Gjirokastër ka një përvojë të konsoliduar bashkëpunimi me donatorët dhe me Bashkimin Evropian, specifikisht në disa projekte të tjera. Dua të theksoj se projekti “BE për Ekonominë Qarkulluese” e ndihmon shumë edhe perspektivën turistike të Gjirokastrës. Nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm të turizmit nëse nuk zgjidhim në afatgjatë probleme thelbësore siç është trajtimi i mbetjeve urbane”, deklaroi kryebashkiaku Golemi.

Ky aktivitet prezantues nënvizoi angazhimin e bashkive vendore për të promovuar ekonominë qarkulluese dhe praktikat e qëndrueshme të menaxhimit të mbetjeve. Në kuadër të “Fushatës së Gjelbër të BE-së”, aktiviteti shërbeu edhe si një rast për t’i kujtuar publikut ndikimin e veprimeve të tyre dhe për të nënvizuar se si po e ndihmon BE-ja vendin për mbrojtjen e biodiversitetit të tij dhe luftën kundër degradimit të mjedisit. Ky i fundit, së bashku me EU4CE, përbëhet nga tre programe të ndryshme (me vlerë 44 milionë Euro) që do të kontribuojnë për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave, si dhe do të rrisin mbrojtjen e biodiversitetit në zonat e mbrojtura. Një aktivitet i ngjashëm do të zhvillohet të premten, më 19 janar, në Kukës, për të nisur zyrtarisht projektin në 4 bashki të këtij qarku.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja