Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta duket se nuk bie dakord me disa përfaqësues të ‘Rithemelimit’ të cilët kanë thënë se më 12 nëntor do ta rrethojnë Edi Ramën në Kryeministri. Për protestën e thirrur nga Sali Berisha shprehet se do të jetë një shkëlqim i qytetarisë së Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë ndërsa dhunën nuk e cilëson aleat të opozitës.

Meta tha se tashmë në fushën e lojës tani kemi një opozitë të vërtetë kështu që kjo e bën gjithçka dhe më të vërtetë, të qendrueshme të sigurt dhe më fituese për opozitën, që do i shërbejë gjithë vendit dhe një pjesë e mirë e elektoratit socialist është duke vuajtur pasojat e kësaj keqeverisje e mungese totale të llogaridhënies, si qytetarët e tjerë të vendit.

Po ashtu, për dorëheqjen e Grida Dumës zgjodhi të mos bënte koment por të thoshte se e respekton megjithëse shtoi se parlamenti i zgjedhjeve të 25 prillit është i deformuar.

Gjatë konferencës për mediat nga selia e partisë së tij, u ndal te projekti i Portit të Durrësit dhe e cilësoi aferë tipike mafioze dhe pretendon se nuk ka transparencë.

“Qeveria është shprehur se do të mbulojë edhe kostot e shpenzimeve ndërkohë që 812 mijë metra katrorë tokë është tokë shtet.  Nuk ka asnjë vlerësim se sa do të kushtojë Porti tregtar i Durrësit .  Është e qartë se kjo është një aferë tipike mafioze, kundër interesave kombëtare dhe strategjike. Edhe në drejtim të pozitës tregtare, edhe në drejtim të pozicionit të Shqipërisë.  Mund të rezultojë me pasoja katastrofike për vendin, për shkak të detyrimeve që mund të lindin, por edhe për financat publike.  Ne do të vazhdojmë të hetojmë në lidhje me këtë aferë”, tha Meta.

Meta tha se për këtë projekt nuk ka asnjë informacion që do të parandalonin dëmet me miliona euro për qytetarët shqiptarë. Sipas tij më 27 tetor, sipas akteve të qeverisë na shfaqet si investitore dhe një kompani tjetër me bazë në Dubai e themeluar në 2015-ën, një kompani offshore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:53
Ikja e Grida Dumës, ja komenti i Ilir Metës (VIDEO)

 

Në konferencën për shtyp nga Selia e Partisë së Lirisë, Ilir Meta u pyet edhe në lidhje me lënien e mandatit të deputetes Grida Duma.

“Çdo akt individual është i respektuar dhe nuk më takon mua të komentoj arsyet e dorëheqjeve. Mund t’ju them me bindje të plotë se Parlamenti i 25 prillit është totalisht i deformuar, është shumë larg të qenit një Parlament funksional, shumë larg të qenit një Parlament që mbron institucionet e pavarura”, tha Meta.

Ora 12:20
Berisha ka thënë se më 12 nëntor Rama do të rrethohet në Kryeministri, Meta: Dhuna nuk është aleat i opozitës, do të ketë qytetari

 

Ilir Meta nuk është dakord me disa përfaqësues të ‘Rithemelimit’ të cilët kanë thënë se më 12 nëntor do ta rrethojnë Edi Ramën në Kryeministri. Për kreun e Partisë së Lirisë dhuna nuk është pjesë e opozitës.

“Unë jam i bindur se protesta e 12 nëntorit do të jetë një shkëlqim i qytetarisë së Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Opozita është e vendosur në këtë drejtim. Dhuna as ka qenë dhe as nuk është aleat i opozitës. Përkundrazi qytetarit dalin kundër dhunës sistematike që bëhet nga qeveria Rama, do ta dalin kundër dhjetëfishimit të gjobave, kundër nxjerrjes së fëmijëve nga kopshtet. Pra, kemi dhunë të vazhdueshme, duke i shtuar atë bullizmin e përditshëm. Ndërkohë që vjedhin çdo ditë shqiptarët”, tha Meta.

Ora 12:10
Primaret e Berishës për Tiranën, Meta: Secilin prej kandidatëve e shoh më të fortë se Veliaj, koha për të vendosur llogaridhënien

 

Kreu i Partisë së Lirisë ka komentuar procesin e primareve të Sali Berishës për Bashkinë e Tiranë. Ndonëse kanë një marrëveshje për zgjedhjet vendore me Berishën, Partia e Lirisë nuk ka dorëzuar asnjë kandidaturë për kryebashkiak për Tiranën. Meta tha se mbështet 7 prej kandidaturave dhe se secilin prej tyre e sheh më të fortë përballë Veliajt.

“Secilin prej tyre e shoh më të fortë. Ai që do përzgjidhet në këtë proces, cilido do gëzojë përkrahjen tonë. Situata në Tiranë është katastrofë në ët gjithë treguesit e qeverisjes vendore, shtoi asaj edhe gjithë kusuret e qeverisë qendrore, mungesën e transparencës dhe llogaridhënie zero që është sot në këtë nivel. Situata është shumë pozitive për opozitën, i ftoj kandidatët të përqendrohen te programi i tyre për t’ia rikthyer Tiranën qytetarëve dhe për të vendosur llogaridhënien në kryeqytetin e Shqipërisë”, tha Meta.

7 kandidatura do të garojnë në primaret e Rithemelimit për Bashkinë e Tiranës. Ata janë: Adriana Kalaja, Belind Këlliçi, Enkelejda Fejzo, Fatmir Merkoçi, Gerti Bogdani, Ilir Alimehmeti dhe Jul Deda.