Projekti i ‘Muzeut të kulturës françeskane’ prezantohet në Shkodër, arkitekti Gjon Radovani shpjegon konceptin

Në mjediset e Provincës Franceskane në Shkodër prezantua “Projekti i Muzeut të Kulturës Françeskane” dhe themelimi i “Muzeut Lin Delija” përmes dhurimit te mbi 100 punëve të piktorit. Gjatë ceremonisë të pranishëm ishin shumë të ftuar nga të gjitha përfaqësitë fetare në vend, akademikë e studiues, por nuk  munguan as artistët e qytetarët e Shkodrës. Gjatë fjalës së tij projektuesi dhe arkitekti Gjon Radovani ndali tek koncepti për muzeun.

“Vendimi për ndërtimin e muzeut të kulturës françeskane në ndërtesën e gjimnazit illyricum është një ndër vendimet më të sakta të marra nga provinca françeskane “Zoja Nunciate” e Shqipërisë dhe e Malit të Zi. Vendndodhja e saj në rrugën kryesore pedonale të qytetit, përballë Muzeut “Marubi” është optimale në aspektin e aksesibilitetit të vizitorëve. Ndërtesa kryesore do t’i nënshtrohet një restaurimi të saktë në fasade për t’i lënë vendin një modernizimi total në brendësi te saj. Vizitorët do të gjenden në hyrje të ndërtesës në një ambient pritës të thjeshte por të ngrohtë, i cili i jep edhe mundësinë e blerjes së librave, suvenireve, por edhe të një pushimi aktiv në një “kafeteri françeskane”, tha ndër të tjera arkitekti Gjon Radovani.

Më pas fillon, shpjegon arkitekti, intinerari i muzeut ku hap pas hapi sektorët e veprimit të françeskaneve të mëdhenj shqiptarë, shpalosin veprën tyre. Paralel, narrativa shoqërohet me kronologjinë e ngjarjeve të rëndësishme të njerëzimit dhe ato të urdhërit Françeskan. Në fjalën e hapjes At Aurel Gjerkaj vlerësoi përpjekjet e përbashkëta, që çuan në këtë moment të rëndësishëm themelimi, duke theksuar vetëdijen e përhershme të françeskanëve shqiptarë se historia e urdhrit të tyre ka qenë e mbetet e pandarë nga historia e Shqipërisë.

“Ai popull që harron të shkuarën e tij është një popull i dënuar të mos ketë ardhur. Kjo gjë na ka nxitur ne si françeskan prej fillimit të ndërmarrim këtë nismë për ndërtimin e muzeut të kulturës françeskane. Besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se me kontributin e tyre të madh françeskanët në Shqipëri janë një prej kolonave të kulturës dhe identitetit kombëtar Shqiptar. Ne jemi të vetëdijshëm se historia jonë është e ndërthurur me historinë e vendit tonë”, u shpreh ndër të tjera, At Aurel Gjerkaj.

Ndërsa, më pas ministrja e Kulturës u shpreh optimiste për këtë projekt, sepse vetëm kështu të rinjtë nuk do të harrojnë të shkuarën e tyre.

“Jam e bindur që puna që ka nisur me hartimin e projektit do të gjejë aktorët e  duhur për të ecur para. Shkodra e bukur e ka mundësinë, që t’i tregojë të gjithë kombit se çfarë do të thotë që të ndërtosh të ardhmen, pa harruar të Shkodrën. Ky është vetëm një gur i vogël, që është mbi të gjitha një mesazh paqeje. Jam e lumtur edhe që mësoj sot se pikturat e Lin Delisë do t’i bashkohen këtij vendi”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti.

Studiuesi Ardian Ndreca ndali tek madhështia e veprave të piktorit Lin Delija.

“Lin Delia pas studimeve nisi që të ekspozojë në galeritë më të mira të Italisë. Një ndër mbështetësit e tij ka qenë Ernest Koliqi. Lini preferoi të ecë i vetëm Ngjyrat e veprës së tij ruajnë freski edhe ngjyra të ndezura, që shprehin vuajtjen e madhe shpirtëror. Ka dy tema kryesore në pikturën e Lin Delisë, sakralja dhe profania. Lin Delia është i paparashikueshëm në veprat e tij, mjafton që të përmendim përdorimin e ngjyrës së kuqe edhe blusë”.

Për muzeun që ka në qendër kontributin kulturor të françeskanëve shqiptarë foli edhe drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, studiuesja Persida Asllani.

“Muzeu i Kulturës Françeskane do të jetë një muze në zemër të Shkodrës, por me vlerë e  rëndësi kombëtare. Kjo lidhet së pari me vetëdijen e françeskanëve për misonin e tyre dhe më tej me impaktin e thellë që veprimtaria e tyre kulturore pati në qerthullin e historisë dhe kulturës kombëtare. Njohës të thellë të mendësisë e shpirtit të popullit mes të cilit jetonin, krijues të një elite dijetarësh e personalitetesh të lartë kulture, koherentë në besim e në vizion, françeskanët shqiptarë ishin të vetëdijshëm se vepra e tyre kulturore lidhej drejtpërsëdrejti me riformulimin e një identiteti kombëtar që ngërthente në vetvete vlerat më të larta të traditës kombëtare me vlerat më të mira qytetërimore emancipuese europiane. Ky ishte koncepti i tyre për një kulturë kombëtare, e tillë ishte vepra që ata ndërtuan e krijuan në funksion të jetës shpirtërore e mendore të kombit”, shpjegon Asllani.

Piktori Lin Delija mban titullin “Nderi Kombit”. Gjatë ceremonisë, të pranishmit shijuan koralet e Korit “At Martin Gjoka” të Kishë së Shën Françeskut – Gjuhadol, nën drejtimin e mjeshtrit  Zef Çoba, shoqëruar nga kuinteti për harqeve i Universitetit të Arteve.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve