/ATSH/- Ministria e Bujqësisë me mbështetjen e BE-së, nëpërmjet Projektit PAZA, po realizon në vendin tonë për të dytin vit radhazi, fushatën e vaksinimit të dhelprës së kuqe kundër tërbimit, me qëllim çrrënjosjen e kësaj sëmundje të rrezikshme për shëndetin e kafshëve dhe njeriut.
Në kuadër të 28 shtatorit, Ditës Botërore të Tërbimit, Projekti PAZA dhe Ministria e Bujqësisë ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Federatën e Gjuetarëve të Shqipërisë, me qëllim monitorimin e rezultateve të vaksinimit.
Në një aktivitet të organizuar të hënën në Durrës, ku morën pjesë gjuetarë nga gjithë Shqipëria u bë me dije se gjuetarët do të lejohen të gjuajnë një numër të caktuar dhelprash, të cilat më pas do të analizohen në laboratorët shtetërorë për të parë nëse janë imunizuar nga sëmundja e tërbimit. Memorandumi i bashkëpunimit përcakton detyrimet e secilës palë dhe është i nevojshëm për të arritur zhdukjen e sëmundjes së tërbimit nga Shqipëria.
Vaksinimi kundër tërbimit ka nisur që në pranverën e 2014-ës dhe do të bëhet te dhelprat, që janë dhe burimi kryesor i tërbimit, sëmundje me pasoja fatale që transmetohet te qentë dhe te njeriu. Për vetë natyrën e vaksinimit, i gjithë proçesi do të kryhet nga ajri, ku avionë të vegjël 2 herë në vit do të hedhin në mënyrë të kontrolluar një lloj vaksine që është e futur në ushqim të posaçëm për dhelprat. Vaksinimi bëhet dy herë në vit, në pranverë dhe vjeshtë. Për të arritur një imunizim të plotë të popullatës së dhelprave nga tërbimi është e nevojshme që vaksinime të tilla të bëhen për 5 vjet rresht.
Ky lloj vaksinimi është kryer me këtë mënyrë në të gjitha vendet e Ballkanit dhe tanimë me mbështetjen e Bashkimit Evropian po kryhet edhe në Shqipëri. Kështu, do të arrihet imunizimi nga tërbimi në të gjithë Ballkanin. Avionët e vegjël, nëpërmjet makinerive speciale do të hedhin 20 vaksina për kilometër katror dhe gjatë fazës së parë do të shpërndahen rreth 500,000 vaksina karrem.
Shëndeti i kafshëve shtëpiake dhe të egra është po aq i rëndësishëm sa shëndeti i njerëzve. Një prej rreziqeve kryesore që kanë njerëzit janë sëmundjet, infeksionet dhe shqetësimet shëndetësore që kanë si burim kafshët. Me qëllim përmirësimin e shëndetit dhe rritjen e sigurisë ushqimore, që prej vitit 2008, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, në Shqipëri po operon projekti PAZA.
Në këto vite, PAZA ka arritur të realizojë me sukses një sërë projektesh, si vaksinime mbarëkombëtare kundër sëmundjeve të ndryshme që kanë kafshët, trainime të veterinerëve apo dhe të investojë në përmirësimin e rrjetit të laboratorëve. Një ndër fushatat më të suksesshme dhe të vlefshme për Shqipërinë ka qenë vaksinimi i gjithë të imtave, nëpërmjet një fushate kombëtare vaksinimi. Kështu gjatë viteve 2012-2013 u arritën të vaksinoheshin rreth 2.6 milionë dele dhe dhi nga bruceloza, duke ulur ndjeshëm rastet e infektimit në njerëz dhe duke rritur sigurinë ushqimore.