TIRANE - Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës që do të mblidhet në 9 prill pritet të miratohen disa projektvendime ndër të cilët  është edhe ai i grantit nga shteti i Katarit për financimin e zbatimit të Projektit “Zgjatimi i Bulevardit verior dhe Rehabilitimin e Lumit të Tiranës", sipas  projektit të studios arkitekturore britanike “Grimshaë”, është 7 milion Euro.

Por nënshkrimi dhe hyrja në fuqi dhe zbatimi i Marrëveshjes së Grantit, sjell një detyrim financiar për Bashkinë e Tiranës në vlerë 200 milionë lekë, e cila përfaqëson vlerën e TVSH për punimet që do të kryhen dhe financohen nga granti i përfituar. Me përfitimin e këtij granti, Bashkia e Tiranës ka disa detyrime.

Ato nisin me lehtësimin e procedurave dhe praktikave që do të aplikohen gjatë zbatimit të projektit. Bashkia do të bëjë mbulimin e të gjitha taksave direkte dhe indirekte, si dhe taksave doganore që aplikohen sipas legjislacioni shqiptar.

Ajo do të bëjë organizimin e punës për dërgimin e termave të referencës ku përfshihen, planifikimi, projektet dhe specifikimet teknike për zbatimin e projektit, menaxhimin teknik dhe financiar të këtij projekti nëpërmjet; lehtësimit të procedurave dhe asistimin e Autoriteteve Investitore të Shtetit të Katarit për mundësi të tjera investimi.

Një tjetër projektvendim që pritet të miratohet është edhe ai i fondit të garancisë  ku do të vendoset të  miratohet  vënia në zbatim e Programit të Zhvillimit Ekonomik dhe Punësimit të parashikuar në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2013 (përkatësisht në artikullin 606 –transfertat për individë) në formën e projektit “Skema e Fondit të Garancisë”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)