Sofie Simaku jeton e vetme në një banesë dykatëshe të amortizuar në lagjen nr. 1, në qendër të Durrësit, mbi amfiteatrin antik.
Me zërin që i dridhet rrëfen se dy fëmijët i ka emigrantë në Francë, ndërsa bashkëshortin dhe një djalë kanë ndërruar jetë. Sot jeton me ankthin se do t’i shembin shtëpinë dhe për këtë arsye hezitoi fillimisht të hapë portën.
"Na mbytën hallet, nuk kemi parë haier nga asnjë qeveri. E kam zemrën plagë sepse më ka vdekur një djalë 22-vjeç. Po tani të lë fëmijët përjashta, mezi e kemi bërë këtë shtëpi", thotë e moshuara.
85-vjeçarja tregon se ka ardhur nuse ne vitet ’60 dhe e ka ndërtuar shtëpinë me sakrifica, bashkë me të shoqin, në truallin e trashëguar nga vjehrri.
"Këto i ka blerë vjehrri im para 70-vjetësh, bleu tokën së bashku me një shtëpi. E riparuam shtëpinë në kohën e Enverit. Nuk na e mori mendja që do vinte kjo gjë", rrëfen ajo.
Nënë Sofia thotë se pas viteve ’90 ka tentuar ta legalizojë banesën dhe të pajiset me hipotekë, por nuk është lejuar për shkak se ndodhet në zonën arkeologjike A. Pak ditë më parë, postieri i dorëzoi një njoftim nga bashkia, ku i kërkohej të lironte banesën deri më 16 shkurt.
“Kam çuar 2 herë letra për ta legalizuar, por më thonë nuk bëhen. Më kanë sjellë letër që të dalë nga shtëpia për tre-katër ditë, por nuk ia mora. Unë kam vendos të rri brenda, nuk dal përjashta nga shtëpia”, thotë ajo.
Nënë Sofia kërkon që institucionet të ulen në bisedime me banorët dhe pronat të vlerësohen me çmimin e tregut.
"Ai ka hallin e amfiteatrit për ta rregulluar, kurse unë kam pronën time këtu. Ata duhen të bëjnë pazarin me mua. Unë do t'i them që ose të më jap hyrje si kjo këtu ose të më japin lekë që ta blej. Kjo është Shqipëria. Unë kërkoj një zgjidhje”, shprehet e moshuara.
Nënë Sofia kërkon që institucionet të ulen në bisedime me banorët dhe pronat të vlerësohen me çmimin e tregut.
Në sytë e fqinjve, Nënë Sofia është kthyer në simbol të rezistencës.
Nëpër ballkone ata kanë varur parulla ku shkruhet “Larg duart nga prona”, si shenjë kundërshtimi ndaj procesit të shembjeve dhe mënyrës së kompensimit të pronave, me çmime disa here më të ulëta se vlera e tregut. Shpëtim Cankja, banor autokton në Durrës thotë se i kanë ofruar 80 mijë lek për metër katror, të cilat nuk mjaftojnë për të blerë shtëpi të re.
“Janë rreth 80 objekte. Në pjesën veriore dhe lindore të amfiteatrit ka banesa, biznese dhe edhe një hotel. Por projekti ka kursyer disa objekte që u përkasin njerëzve të afërt me pushtetin”, thotë Shpëtim Cankja.
Si pjesë e qendrës historike të qytetit, bulevardi “Epidamn” do t’i nënshtrohet projektit te rijetëzimit, njohur si TID Durrës. Qeveria ka akorduar 315.5 milionë lekë për shpronësimin e 74 familjeve. Për shkak të protestës së banorëve gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak, aksioni për lirimin e banesave është shtyrë me dy javë.
Komente











