TIRANË- Princ Leka u dënua me 1 vit burg për episodin e dhunës në oborrin mbretëror, dënim që iu konvertua në 16 muaj shërbim prove. Por, Princ Leka pritet që të ankimojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Kështu njofton Ekrem Spahia, ish-kryetar i Partisë së Legalitetit, i ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv me gazetarin Denis Minga.
“Nuk është ndier mirë për mënyrën si është hetuar dhe gjykuar kjo çështje. Nuk është dakord me vendimin e Shkallës së Parë dhe po përgatitet për ankimin”, thotë ai.
Madje ai pretendon për një gjyq me motive politike pasi gjyqtarja që dha vendimin, Migena Laska është vajza e Fatmira Laskës, gjyqtarja që gjatë regjimit komunist dënoi me vdekje poetin Havzi Nela. Spahia ngre pretendime edhe për konflikt interesi për prokurorin.
“Kemi të bëjmë me një dënim emocional, jo të mbështetur në prova. Kjo ka dhe motive politike. Nuk e dimë si ka nis sherri, princi ndodhej në rezidencën e familje së tij, personi që vjen nga shkallët është në ambientet e katit të dytë. Vajza jetonte aty, por vjehrri jo. Princi ka qenë në takim me vajzën, s’ka dashur prezencën e askujt aty. Ish vjehrri i tij ka qenë aty dhe s’ka qenë rehat princi me prezencën e tij dhe aty ka nisur sherri. Ndërkohë që ky është larguar, ai e ka goditur me bastun, princi ka dashur ti shmanget këtij provokimi. Leka ka qenë duke iu shmangur goditjeve që ata tentonin.
Laska është vajza e ish-gjyqtares Fatmira Laska. Them politike, po fakte tregojnë se nuk është një rastësi. Ku i ra shorti kësaj gjyqtareje, e ëma gjatë regjimit komunist dënoi me vdekje poetin Havzi Nela 6 muaj para se të ndërrohej sistemi. Është motiv politik, duan ta dënojnë për një banalitet që duan ta stisin. Prokuro është Dritan Nushi, me lidhje të afërta me ish-udhëheqjen e Gogo Nushit. Ka qenë në grupin e prokurorëve që ka hetuar çështjen e Lekës së Parë për ngjarjen e 1997. Ky prokuror ka patur një çështje të Princit për një përndjekje, dhe kjo rastësi? Kjo është politike. Vendim i padrejtë dhe i motivuar politikisht ndaj princit. Është simbol i familjes mbretërore, trashëgimtar i fronit mbretëror”, shprehet Spahia.
Sipas avokatit Përparim Çaça, do duhej të ishin dënuar të tre.
“Princi mundohet të shkëputet dhe mos të konfliktohet. Edhe vajzën është munduar ta largojë që aty. Në këtë pikë, nëse do duheshin dënuar, duhej të ishin dënuar të tre”, u shpreh Çaça.
Nga ana tjetër, avokatja Mirela Logu shprehet se situata është provokuar nga Princ Leka.
“Është normale që një grua që mbajt gjithë atë stres për një tradhti bashkëshortore të reagojë ashtu, u përpiq ti hiqte telefonin Lekës, ishte dhunë psikologjike, si mund ta filmosh atë situatë dhe ta hedhësh në opinion publik. Është filmuar me koshiencë të plotë dhe është provokuar nga Leka Zogu”, u shpreh Logu.
Edhe për psikologen Marsela Lekli, duhej të ishin dënuar të tre sa i takon aspektit ligjore.
“Dua të dal tek vendimi që është dhënë, ka qenë një arsye përderisa ka agravuar situata deri në këtë pikë. E kemi analizuar arsyen e dhunës, nuk ishte e sigurt atë kohë tradhtia dhe arsyeja e dhunës. Pa mbaruar procedurat gjyqësore, princi shoqërohet me një vajzë tjetër. Ka qenë e dhunuar psikologjikisht, e tradhtuar. Gjyqtarja ka dhënë një vendim human femërore nga ana emocionale, nga ana ligjore, të tre duhej të merrnin të njëjtin vendim”, vijon Lekli.