Shpronësimi i 74 familjeve durrsake për jetëzimin e bulevardit historik ‘Edidamn’ i njohur si projekti TID, ka shkaktuar zemërim tek banorët, jo sepse janë kundër zhvillimit të kësaj zone historike, por për shkak vlerës monetare që shteti ka parashikuar t’i dëmshpërblejë pasi t’i largojë nga shtëpitë.

Një rast i tillë është dhe kjo e të moshuarës Sofie Simaku, e cila në protestën e djeshme përpara bashkisë, tha se ishte e vendosur për të mos dalë nga shtëpia dhe kur të shembet.

Në derë Simakut i ka mbërritur letra për të liruar banesën më datë 16 shkurt. E moshuara kërkon që shteti t’i sigurojë një apartament brenda në Durrës duke thënë se nuk do të largohet për në Spitallë apo zona të tjera. Sofie Simaku tregon se ka rreth 70 vite që banon në atë zonë e në atë shtëpi, ndërsa sot me një letër, i kërkohet që ta braktisë.

“Unë kam 70 vite që jetoj në atë shtëpi. E kam ble vetë, nuk ma ka dhënë shteti. I kemi bërë me fukarallëk. Më bëri përshtypje si nuk erdhi një zyrtar me thënë ‘do t’i prishin’, por vetë shkruanin, vetë vulosnin. Edhe sjellin postierët për të sjellë letrat, por nuk i morëm. Letra që do të dilnim nga shtëpia më datë 16 shkurt. Qeveri është kjo? Shtëpia është e imja, ai duhet të vijë të më kërkojë mua sesa ia jap unë shtëpinë. Ose të më japi apartament brenda Durrësit se unë në Spitallë nuk shkoj. E kam vendosur unë do të rri brenda në shtëpi, le ta shembin dhe ta marri vesh gjithë bota se çfarë qeverie kemi. Unë rri do rri brenda, e vdekur se e vdekur jam. Gjithë jetën vetëm kemi vuajtur, si më të parin si me të fundit, njësoj janë të gjithë”, Sofie Simaku.

Të shumtë janë dhe qytetarët e tjerë që protestojnë kundër bonusit të qirasë të parashikuar nga bashkia për banorët që do të shpronësohen. Ata nuk janë kundër zhvillimit, por kundër marrjes së banesave nga shteti dhe mossigurimit nga ana e tyre të një tjetër çatie.