Banorët e Durrësit që preken drejtpërdrejt nga projekti TID në Durrës, u është mundësuar sot një takim me kryeministrin Edi Rama. Bëhet fjalë për 74 familje, që do të shpronësohen me qëllim rijetëzimin e bulevardit historik “Edidamn”.

Pas rreth 2 orëve diskutime në ambientet e brendshme të bashkisë, banorët arritën një marrëveshje me qeverinë. Në dalje, kryeministri bëri të qartë projekti do të vijojë dhe se banesat që janë kapur nga plani do të shemben. Ai tha se do të bëhet rivlerësimi i disa banesave që pretendohet se mbartin vlera kulturore, do të rishikohet problemi i disa shtëpive që nuk disponojnë hipotekë dhe se do të rishikohen referencat e reja sa i përket vlerës së shpronësimit.

“Kemi rënë dakord se si do të shkojmë përpara, qoftë me atë verifikimin e nevojshëm për objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Do të ketë prishje, nuk do të ndalet, por do të bëhet verifikim për disa shtëpi që pretendohet se janë trashëgimi kulturore dhe disa shtëpi që nuk kanë marrë regjistrimin në hipotekë. E kemi diskutuar edhe çështjen e çmimit dhe do të duhet të shohim referencat e reja”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri foli dhe për protestën e banorëve të Durrësit me 10 shkurt përpara bashkisë ku pati përplasje të forta me policinë, më këshilltarë të bashkisë, goditje me vezë të godinës dhe përplasje fizike me drejtorin e IMT-së Durrës dhe një inspektor.

Pjesëmarrës në protestë përveç banorëve që preken nga projekti TID, kishte dhe anëtarë të Partisë Demokratike, përmendim këtu Orest Berberin. Rama tha se kushto tjetër që nuk është pjesë e problemit dhe shkakton trazira, i shkon pas një 80-vjeçari të rrjedhur nga rrugët e arsyes, referuar Sali Berishës.

"Ata që kanë hallin, me ta kemi folur. Biseda ka qenë konstruktive, me opinione të ndryshme. 35 të tjerë atje, që nuk përfaqësojnë as qytetin as qytetarët, por vetëm hallin e një 80 e kusur vjetari, të rrjedhur nga çdolloj rruge të arsyes, krijojnë situata që janë qesharake dhe që tregojnë se ku është katandisur ajo parti", tha Rama.

Prej ditësh banorët protestojnë duke u shprehur kundër bonusit të qirasë që bashkia ka planifikuar për banorët pas shpronësimit, një fond prej 315.5 milionë lekësh. Ata nuk janë kundër zhvillimit, por kundër marrjes së banesave nga shteti dhe mossigurimit nga ana e tyre të një tjetër çatie.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:25
Debate në mbledhjen e Ramës me banorët e Durrësit: Ika fare, ju do dilni të humbur, mos më bëni karshillik me komunista (VIDEO)

Mbledhja e Ramës me banorët e Durrësit është zhvilluar mes tensioneve dhe debateve. Rama u ka bërë të qartë që në fillim të mbledhjes, së projekti është i panegociueshëm, por ka pranuar se shpërblimi i llogaritur nuk është në nivelin e duhur. Mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura, por një prej banoreve ka hapur live në facebook përgjatë mbledhjes.

"S’kam ardhur këtu të diskutoj projektin fare. Kam ardhur të diskutoj që vlera që ju kanë dhënë është e padrejtë”, ka thënë Rama.

Rama u ka kërkuar banorëve që të mos “bëjnë karshillëk me komunista”, në të kundërt ai do largohej ta takimi.

“Nëse filloni karshillëk me komunista, ju me tuajën, shteti më të vetën.  Ju do dilni të humbur se unë kam parë shumë vetë. Unë kam ardhur këtu që ju mos dilni të humbur. Po nuk dëgjuat çfarë them, atëherë do ngatërroheni me fjalët e juaja.

Unë thash që vlera e cila kanë përcaktuar nuk është e drejtë. Tani ngrihet ajo dhe me ma tregon prapë. Unë e thash vetë që në fillim dhe për këtë kam ardhur. S’kam ardhur këtu të diskutoj projektin fare. Kam ardhur të diskutoj që vlera që ju kanë dhënë është e padrejtë” ka deklaruar Rama.

Biseda është shoqëruar me ndërhyrje nga banorët të cilët i kanë përmendur rastin e shpronësimeve të Marinës së Vlorës, por Rama i është kthyer me ton të ashpër.

“Nëse nuk dëgjoni unë çohem dhe thotë ai pastaj pse bërtet. Unë bërtas se s’dua të iki. Po deshët unë ju them mirupafshim! Dhe po iki e ju vazhdoni vetë. Por unë dua të bisedojmë për shpronësimin, jo për gjë tjetër”, është shprehur më tej kryeministri Rama.

Ora 14:31
Takimi me banorët e Durrësit, Rama përplaset me qytetarët: Ju jeni PD, çfarë lidhje keni ju (VIDEO)

 

Pasi ka dalë nga takimi me përfaqësuesit e familjeve që preken nga projekti TID në bashkinë e Durrësit, kryeministri Edi Rama është përplasur me disa protestues. Ata dëgjohet teksa akuzojnë Ramën si “hajdut” ndërsa kryeministri i përgjigjet “Çfarë qytetarësh, ju jeni Partia Demokratike, këta janë qytetarët. Çfarë lidhje keni ju, unë ja ku jam me ta. Ju jeni PD. Unë me këta jam…”.

Dy prej tyre janë shoqëruar nga policia dhe më pas janë lënë përsëri të lirë.

 

K.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bravo: 14/02/2026 14:36

    Fajin e ka Saliu dmth, u zgjidh problemi, si çdo problem 13 vitet e fundit.

    Përgjigju
    • Denisa: 14/02/2026 22:06

      Prit kur te dali nje kulle e bere nga shkreli tek zona historike

  • Sondazhi i ditës: 10 Shkurt, 10:30

    Haga kërkon dënimin me 180 vite burg për ish-krerët UÇK, si e vlerësoni?