Projektligjet/ Të gjithë subjektet me TVSH dhe OJF-të, detyrim për llogari bankare

Projektligjet/ Të gjithë subjektet me TVSH dhe OJF-të, detyrim për llogari bankare

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një paketë nismash ligjore të reja në përgjigje të vërejtjeve të bëra në fund të vitit të kaluar nga Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (Moneyval) të Këshillit të Evropës. Shqipërisë i është lënë një vit kohë për përmbushjen e rekomandimeve dhe adresimin e problematikave të evidentuara në raportin e fundit të këtij institucioni evropian.

Sipas hartuesve të tyre, një nga projektligjet synon rritjen e mëtejshme të transparencës lidhur me ndryshimet e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik, që mendohet të adresohen me ndryshime në ligjin nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, të cilat do të mundësojnë rritjen e mëtejshme të transparencës lidhur me ndryshimet e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik.

Ndërkohë, me një projektligj tjetër propozohet të sanksionohet në ligjin për procedurat tatimore detyrimi i të gjithë tatimpaguesve persona fizikë/juridikë, përfshirë edhe organizatat jofitimprurëse, për të pasur llogari bankare biznesi.

Regjistrimi
Me anë të projektligjit amendues në ligjin për regjistrimin e biznesit, parashikohet të vendoset detyrimi që aplikimi për ndryshimin e ortakut ose ndryshimin e strukturës së ortakërisë të personit juridik të bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ngjarjes së rrethanës faktike të ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji.

Gjithashtu, në këtë projektligj është parashikuar që moskryerja e detyrimit për regjistrimin e ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik brenda këtij afati të përbëjë kundërvajtje administrative dhe të dënohet me gjobë 100.000 lekë.

Ndërkohë, për shoqëritë aksionare mosplotësimi i detyrimit ligjor, sipas të cilit “shoqëria aksionare nuk detyrohet të njoftojë çdo transferim të aksioneve. Shoqëria, së bashku me bilancin vjetor kontabël dhe raportin e auditimit njofton listën e plotë të aksionerëve të regjistruar me të dhënat e tyre të identifikimit për aksionet nominative, si dhe numrin e përgjithshëm të të gjitha aksioneve të saj”, do të konsiderohet gjithashtu kundërvajtje administrative dhe do të dënohet me gjobë 100.000 lekë.

Llogaria bankare
Me projektligjin e dytë adresohet njëri prej rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (Moneyval), të Këshillit të Evropës, lidhur me përdorimin e parasë fizike dhe reduktimin e ekonomisë informale. Një ndër masat e parashikuara në kuadër të këtij plani, lidhet me reduktimin e ekonomisë informale dhe përdorimit të parasë fizike nga personat fizikë/juridikë tregtarë. Për këtë qëllim, propozohet të sanksionohet në ligjin për procedurat tatimore, detyrimi i të gjithë tatimpaguesve persona fizikë ose juridikë, përfshirë edhe organizatat jofitimprurëse, për të pasur llogari bankare biznesi. Ndërkohë, parashikohet që mos të jenë subjekte të këtij detyrimi tatimpaguesit, persona fizikë tregtarë, të cilët realizojnë qarkullim vjetor, rrjedhimisht edhe qarkullim të parasë fizike, në vlera të ulëta. Për këtë arsye, është marrë për referencë kufiri i regjistrimit për përgjegjësinë tatimore: tatimi mbi vlerën e shtuar. Pra, detyrimin e kanë të gjithë subjektet, e vvegjël e të mëdhenj, të cilët janë përfshirë së fundmi në listën e TVSH-së.

Sipas ndryshimeve më të fundit në ligjin për TVSH-në, nuk janë subjekt i detyrimit për t’u regjistruar për TVSH tatimpaguesit, të cilët realizojnë një qarkullim vjetor më të vogël se dy milionë lekë.

Projektligji parashikon që në ligjin aktual të procedurave tatimore të shtohen disa paragrafë, të cilët përcaktojnë dënimet administrative në rast të mospërmbushjes së detyrimit, konkretisht: tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar, me qarkullim deri në 8.000.000 lekë, marrin gjobë në masën 50 mijë lekë; tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi, si dhe tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, me qarkullim mbi tetë milionë lekë, marrin gjobë, në masën 100 mijë lekë, ndërsa organizatat jofitimprurëse, gjobë në masën 75.000 lekë.

Kritikat
Moneyval, mekanizimi i Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave, u bër thirrje në vitin 2018 autoriteteve shqiptare të shtojnë përpjekjet e tyre në ndjekjen e pastruesve të parave dhe konfiskimin e aseteve të tyre, të lidhura me aktivitete që gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme dhe në trajtimin e rreziqeve të financimit të terrorizmit të lidhura me to.

Sipas konkluzioneve të raportit, “korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe seriozisht dëmton funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Autoritetet janë të vetëdijshëm për rreziqet nga korrupsioni, por zbatimi i ligjit deri më tani ka pasur një vëmendje të kufizuar për të shënjestruar korrupsionin e lidhur me pastrimin e parave. Ndërkohë, një reformë e rëndësishme gjyqësore është duke u zbatuar për të adresuar më mirë rrezikun e korrupsionit që mbizotëron në vend”.

Moneyval pranon se autoritetet shqiptare kanë një kuptim të mirë të rreziqeve të pastrimit të parave të vendit në ekonominë formale dhe kanë mekanizma koordinues kombëtar për politikë-bërjen për të adresuar rreziqet. Megjithatë, këto mekanizma nuk kanë provuar të jetë plotësisht efektive dhe ka disa fusha ku mund të ishin arritur më shumë rezultate, thotë raporti. Ku shtohet se hetimet e Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin rrallë rezultojnë në aktakuza dhe procedurat penale të pastrimit të parave të lidhura me krime të rënda shpesh janë pezulluar nga prokuroria.

Raporti nënvizon se Shqipëria ka një kornizë të fuqishme ligjore për konfiskimin e të ardhurave kriminale, por numri dhe vlera e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nuk duket të jetë proporcionale me nivelin e kriminalitetit në vend.

Ndërsa në lidhje me financimin e terrorizmit, MONEYVAL vëren se perceptimi dhe të kuptuarit e rreziqeve të lidhura nuk duket se adreson në mënyrë të përshtatshme karakteristikat e veprimtarive të mundshme të financimit të terrorizmit në vend dhe në rajon. Nuk ka qasje sistematike për të identifikuar dhe për të hetuar aspekte të financimit të veprave të lidhura me terrorizmin.

Pas këtyre vërejtjeve, Komiteti për Bashkërendimin e Luftës Kundër Pastrimit të Parave, nën drejtimin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, ka miratuar një plan veprimi, duke caktuar për çdo masë afate dhe institucione përgjegjëse.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja