Projektligji në konsultim publik/ Produktet me etiketë për sasinë e energjisë që konsumojnë! Gjoba për bizneset që nuk e respektojnë detyrimin

Të gjitha bizneset që tregtojnë produkte që konsumojnë energji elektrike (soba, furra, dushe, kondicioner, tharëse, lavatriçe, kompjuterë apo pajisje të tjera të thjeshta), duhet tu vendosin etiketa mbi to, ku të jetë i detajuar konsumi i energjisë.

Në një projektligj të hedhur për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thuhet se kjo nismë ndërmerret në funksion të rritjes së eficencës së energjisë, me qëllim reduktimin e konsumit, por edhe për ti dhënë mundësi qytetarëve të informohen mbi produktin që blejnë.

“Etiketimi i energjisë është një shtytës kryesor për të ndihmuar konsumatorët të zgjedhin produkte që janë më shumë eficiente në konsumin e energjisë si dhe inkurajon prodhuesit të nxisin inovacionin duke përdorur teknologji më eficiente në energji. Përveç informacionit në lidhje me konsumin e energjisë së produktit, etiketat mund të ofrojnë gjithashtu të dhëna specifike për veçori të tjera përkatëse të përdorimit, të tilla si emetimet e zhurmës së produktit ose konsumin e ujit” thuhet në relacion.

Etiketë do të vendoset edhe për produktet e reja që importohen. Në etiketë duhet të jepet informacion mbi efiçencën e energjisë, konsumin e energjisë dhe konsumin e burimeve të tjera gjatë përdorimit. Ky ligj nuk do të zbatohet vetëm për përdorura, përveç rasteve kur importohen që duhet të zbatojnë këto detyrime.

“Si rezultat i zhvillimit të produkteve gjithnjë e më efiçente në energji, klasat e energjisë të përcaktuara në legjislacionin  në fuqi A (A+, A++ dhe A+++) në etiketat e produkteve në treg do të ndryshohen. Rregullorja e re BE-së për etiketimin e energjisë përcakton një shkallë të re krahasuese për klasat e energjisë nga A (më efikase) në G (më pak efikase). Etiketimi i energjisë është një shtytës kryesor për të ndihmuar konsumatorët të zgjedhin produkte që janë më shumë efiçente në konsumin e energjisë si dhe inkurajon prodhuesit të nxisin inovacionin duke përdorur teknologji më efiçente në energji.”, vijon më tej relacioni.

Kontrollet për zbatimin e këtyre ndryshimeve do të zhvillohen nga Inspektoriati i Mbikëqyrjes së Tregut.

Për bizneset që nuk i zbatojnë këto detyrime janë të parashikuara edhe masa ndëshkuese, ku vlera e gjobave varion nga 10-fishi deri tek 30-fishi i çmimit të produktit të hedhur në treg pa etiketë.

Neni 14

Kundërvajtjet administrative

1. Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen nga struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut, si më poshtë:          

a. për shkelje të pikave 4 dhe 5 të nenit 6, të këtij ligji, me gjobë sa dhjetëfishi i çmimit për njësi të produktit të ofruar për përdoruesin fundor.

b. për shkelje të parashikimeve të nenit 8, me gjobë sa dhjetëfishi i çmimit për njësi të produktit të ofruar për përdoruesin fundor.

c. Për shkelje të pikave 2 dhe 6 deri në 9 të nenit 9, të këtij ligji, me gjobë sa tridhjetëfishi i çmimit për njësi të produktit të ofruar për përdoruesin fundor;

d. për shkelje të kërkesave të parashikuara në shkronjat “c”, “e” dhe “h” të nenit 7 dhe të pikave 2 e 3 të nenit 9 të këtij ligji, me gjobë sa tetëfish i çmimit për njësi të produktit të ofruar për përdoruesin fundor;

e. për shkelje të pikave 2 dhe 3 të nenit 5 dhe të pikave 5 dhe 10 të nenit 9 të këtij ligji, me gjobë sa pesëdhjetëfishi i çmimit për njësi të produktit të ofruar për përdoruesin fundor;

f. për shkelje të parashikimeve të nenit 10, me gjobë sa tridhjetëfishi i çmimit për njësi të produktit të ofruar për përdoruesin fundor;

g. për moszbatimin e masave referuar në parashikimet e nenit 12 dhe 13 të këtij ligji, me gjobë sa tri dhjetëfishi i çmimit për njësi të produktit të ofruar për përdoruesin fundor.

2. Çmimi që përdoret për llogaritjen e masës administrative është çmimi i importit.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë