REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Kuvendi
P R O J E K T L I GJ
Nr.________, datë ____________
PËR
ARMËT
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi dhe fusha e veprimit
1. Ky ligj rregullon kushtet për blerjen, mbajtjen, ruajtjen, prodhimin, riparimin, çaktivizimin, tregtimin, shitjen, gjurmimin, transportimin, importimin e armëve dhe municionit, për personat fizikë dhe juridikë, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe eksportimin nga Republika e Shqipërisë.
2. Me përjashtim të rasteve kur ky ligj përcakton ndryshe, dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për armatimin ushtarak, pajisjet, armët dhe municionin e dedikuar për nevojat e Forcave të Armatosura dhe të strukturave të tjera të armatosura shtetërore.
3. Nuk përfshihen në fushën e veprimit të këtij ligji veprimtaritë e import-eksportit të armëve dhe municionit të zhvilluara sipas dispozitave të ligjit nr.9707, datë 5.4.2007, “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar.
Neni 2
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Armë e zjarrit”, çdo armë e transportueshme, me tytë, që realizon, është projektuar për të realizuar ose mund të modifikohet lehtësisht për të realizuar të shtëna, plumba ose predha me anë të një lënde plasëse.
2. “Armë e shkurtër e zjarrit”, arma e zjarrit me tytë jo më të gjatë se 30 cm apo me gjatësi të përgjithshshme të armës jo më shumë se 60 cm.
3. “Armë e gjatë e zjarrit”, arma e zjarrit me tytë më të gjatë se 30 cm apo me gjatësi të përgjithshshme të armës më shumë se 60 cm.
4. “Armë automatike e zjarrit”, arma e zjarrit e cila mbushet automatikisht sa herë që shkrepet fisheku dhe që mund të shkrepë më shumë se një fishek me një tërheqje të këmbëzës.
5. “Armë gjysmautomatike e zjarrit”, arma e zjarrit që rimbushet në mënyrë automatike sa herë shkrepet fisheku dhe që mund të shkrepë vetëm një fishek me një tërheqje të këmbëzës.
6. “Armë të drejtuara me energji (ADE)”, lloji i armës që liron energji në një drejtim të shenjuar, pa përdorur predhën. Kjo armë e bart energjinë tek shënjestra për qëllim të efektit të dëshiruar.
7. “Armë me mbushje mekanike e zjarrit”, arma e zjarrit e cila, pas shkrepjes së plumbit, është e paracaktuar për t’u rimbushur me dorë nga karikatori apo nga cilindri.
8. “Armë me qitje një nga një”, arma e zjarrit pa karikator, e cila mbushet para çdo shkrepjeje përmes futjes me dorë të fishekut në fole apo në hapjen për mbushje në të prerën e tytës.
9. “Armë pneumatike”, arma përmes së cilës shkrepet predha me presion të ajrit apo gazrave të kompresuara, operacion ky i ngjashëm në parim me punën e sistemeve të gypave pneumatikë.
10. “Armë për përdorim të mjeteve të ndryshme”, të gjitha llojet e pushkëve, pistoletave, revolverëve apo mjeteve të tjera të cilat, nën shtypjen e barutit ose të gazrave, përhapin në një drejtim gaz ngacmues që ka ndikim në shëndetin e njeriut.
11. “Armë e zjarrit për sinjalizim të lehtë akustik”, arma e zjarrit që zakonisht përdoret si sinjal për ndonjë fatkeqësi, si dhe për qëllime të tjera sinjalizuese në det, duke përfshirë të gjitha llojet e pistoletave, revolverëve dhe mjeteve të tjera të cilat, nën shtypjen e armës, barutit apo të gazrave, shkrepin apo hedhin të shtëna sinjalizuese në një drejtim dhe lëshojnë predha, me përjashtim të pistoletave ndriçuese për përdorim ushtarak.
12. “Armë eksplozive” nënkupton, ndër të tjera, çdo lloj bombe, mine, rakete, granate apo mjeti tjetër që përmban substanca eksplozive apo materiale ndezëse ndaj të cilave, për shkak të proceseve të brendshme apo të jashtme (peshës, ndikimit, fërkimit, reagimit kimik, energjisë elektrike dhe të ngjashme) shkaktohet lirimi apo krijimi i energjisë dhe eksplodimit. Në bazë të këtij ligji, armë eksplozive, gjithashtu, konsiderohen pjesët e eksplozivëve, detonatorët, mjetet piroteknike apo pjesët e tjera për të cilat qartazi duket se janë të paracaktuara për përgatitjen e armëve eksplozive. Ky përkufizim është i paracaktuar të përfshijë armët termobarike, të cilat dallohen nga armët konvencionale eksplozive, për shkak se funksionojnë me oksigjen atmosferik dhe nuk kanë oksidues në eksplozivët e tyre. Armët termobarike, po ashtu, quhen armë termobarike me impuls të lartë (TIL), eksploziv karburant-ajër (EKA apo FAX), e nganjëherë quhen edhe municione karburant-ajër, armë me nxehtësi dhe shtypje apo bomba vakumike.
13. “Armët me tojë apo tetivë”, harqet dhe mekanizmat e tjerë që funksionojnë nën shtypjen e tojës apo tetivës së shtrënguar, të cilat gjuajnë me shigjetë apo predhë tjetër.
14. “Armë e ftohtë”, cilido mjet që mund të përdoret për sulm apo për shkaktim të lëndimeve trupore, duke përdorur forcë fizike nga sulmuesi, në rastet kur ato mbahen në tubime publike, në objekte publike apo në vende të ngjashme. Konsiderohen ‘armë të ftohta’ thikat me një teh dhe me dy tehe prerëse, bajonetat, shpatat dhe çdo mjet tjetër i ngjashëm, i përgatitur e i destinuar posaçërisht për sulm kundër personave ose për vetëmbrojtje.
15. “Armë me elektroshok”, arma që konsiderohet si armë paaftësuese, e cila përdoret për qetësimin e personit apo të shtazës përmes elektroshokut, që ka për qëllim pengimin e funksioneve të muskujve sipërfaqësorë. Ndër të tjera, janë ‘armë elektroshoku’ armët dhe shkopinjtë për paralizim të përkohshëm, që shkaktojnë shok elektrik përmes kontaktit të drejtpërdrejtë.
16. “Armë për qëllime industriale”, arma e prodhuar për alarmim, sinjalizim, shpëtim të jetës, therje të kafshëve apo për peshkim me harpun, për qëllime industriale ose teknike, me kusht që ato të përdoren vetëm për qëllimin e sipërpërmendur.
17. “Armë zjarri për gjueti”, arma e zjarrit e prodhuar apo kryesisht e përdorur për gjueti të shtazëve për qëllime të të ushqyerit ose për sport, të cilat dallohen nga ato të kategorisë A apo nga armët që kryesisht përdoren për qëllime luftarake dhe që u përkasin kategorive B e C, përmes të cilave gjuetia lejohet në përputhje me dispozitat ligjore të zbatueshme për gjuetinë.
18. “Armë zjarri sportive”, arma e zjarrit e prodhuar apo kryesisht e përdorur për ngjarje specifike dhe të paracaktuara sportive, armë zjarri që u përket kategorive B, C dhe D, që është në përputhje me dispozitat e veçanta që rregullojnë sportet e qitjes.
19. “Armë dekorative” nënkupton gjësend të prodhuar për qëllime dekorative, i cili nuk mund të përdoret si armë zjarri.
20. “Imitim i armës”, mjeti, dukja e jashtme e të cilit ngjason me atë të armës, por që nuk mund të përdoret si armë zjarri apo nuk mund të prodhohet pa ndonjë mekanizëm të nevojshëm të qitjes e as që mund të përshtatet për qitje.
21. “Armë antike e zjarrit”, çdo armë e zjarrit që ndizet me shkrepëse, gur stralli apo me kapsollë ose me sistem të ngjashëm të ndezjes, e prodhuar para vitit 1899.
22. “Riprodhim i armës së zjarrit antike”, kopja e armës së zjarrit antike, mekanizmi shkrepës i së cilës është modifikuar përmes teknologjisë moderne.
23. “Pjesa kryesore e armës së zjarrit”, çdo element që është i projektuar në mënyrë specifike për armë të zjarrit dhe është thelbësor për funksionimin e saj, duke përfshirë, mes të tjerash: mekanizmin e këmbëzës së shkrepjes, gjilpërën goditëse, tytën me folenë e fishekut, kutinë e tytës, shulin me shtratin e shulit dhe pjesët përbërëse të tyre, sustën paraprurëse, pistonin e gazrave me sustën, siguresën etj.
24. “Pajisje e posaçme për armë të zjarrit”, çdo mekanizëm që është i prodhuar dhe i dedikuar për përmirësimin e konstruksionit (shabllonit) bazë të armës së zjarrit, e cila përmes aplikimit të saj, e rrit performancën dhe cilësinë e përdorimit të armës së zjarrit, përveç shënjestrës optike.
25. “Zbutësi i zhurmës”, pajisje që i bashkëngjitet tytës apo është pjesë e saj me qëllim zvogëlimin e zhurmës dhe të flakës së krijuar nga qitja me armë zjarri.
26. “Shënjestra optike”, pajisje e posaçme për armë të zjarrit apo për armë të ftohta, që është e prodhuar si mjet ndihmës për shënjestrim apo mjet optik dhe që përdoret si ndihmë në caktimin e shënjestrës, duke e udhëhequr syrin dhe duke e përshtatur atë me armën apo me mjetin tjetër që duhet të drejtohet kah shënjestra. Shënjestra optike mund të përdoret për të përmirësuar armët e gjuetisë dhe ato sportive, të cilat përdoren për qëllime përkatëse të autorizuara, sipas autorizimeve nga organi kompetent, siç është shoqata e qitjes apo ajo e gjuetisë.
27. “Përshtatësit e kalibrit apo të tytës”, pajisje të dedikuara për përdorim në gjueti dhe në qitje sportive, të cilat futen në tytë me qëllim ndryshimin e dimensionit apo kalibrit të tytës dhe armës së zjarrit, përmes të cilave arma e zjarrit nuk e ndryshon kategorinë ekzistuese, në përputhje me këtë ligj.
28. “Arma e zjarrit që në mënyrë të përhershme është paaftësuar për përdorim (çaktivizuar)”, armët e zjarrit të kategorive “B”, “C” dhe “D”, të cilat në mënyrë të përhershme janë bërë jofunksionale, përmes zbatimit të procedurës teknike në njërën nga pjesët kryesore të tyre dhe që janë certifikuar nga organi kompetent.
29. “Municion”, cikli i plotë ose komponentët e tij, përfshirë gëzhojën, kapsollën, barutin shtytës, plumbin ose predhën, që përdoren në një armë zjarri. Përkufizimi përfshin, por, duke marrë parasysh avancimet teknologjike, nuk është i kufizuar në:
29.1. Fisheku paraqet kombinimin në një njësi të vetme të gëzhojës, plumbit, mbushësit dhe ndezësit (kapsollës).
29.2. Plumbi është element i fishekut me gëzhojë, në armët e kalibrit të vogël.
29.3. Numri i madh i predhave të vogla (saçme), qëllimi i të cilave është shkrepja e përnjëhershme me një të shtënë të vetme. Armët që mund të mbahen me dorë, të prodhuara për këtë lloj të municionit, janë kryesisht të njohura si pushkë gjuetie.
29.4. Plumbi i pushkës me ajër është predhë josferike, e paracaktuar për qitje nga pushka me ajër.
30. “Municioni me plumb blindshpues”, municioni plumbi i të cilit është i destinuar për të depërtuar në metal apo në blind.
31. “Municioni me predhë eksplozive”, municioni i paracaktuar vetëm për përdorim ushtarak, plumbi i të cilit përmban mbushje që eksplodon në momentin e goditjes apo që ka fitil të përcaktuar me kohë ose të vonuar, që rezulton me eksplodimin e municionit në kohën e paracaktuar.
32. “Municioni me plumba të ndezshëm” nënkupton por nuk kufizohet në municionin e paracaktuar për përdorim ushtarak, plumbat e të cilit përmbajnë përzierje kimike të ndezshme, dhe mund të përfshijë municion që përmban metal të përzier ekzotermik dhe piroforik në formë të predhës, i paracaktuar për qëllim të hedhjes apo përhapjes së flakës për të nxitur hedhësin e flakës.
33. “Municioni gjurmëlënës”, municioni që është i destinuar për të lënë gjurmë tymi apo ndriçimi gjatë trajektores për në takim me objektivin. Ky lloj municioni përdoret për të ndihmuar në ndryshimin e trajektores për gjetjen e kontaktit të plumbit me objektivin.
34. “Municioni për armët për përdorim të agjentëve kimikë”, municioni që përmban mbushje kimike në plumb, që ndikon në shëndetin e njerëzve apo të kafshëve.
35. “Përdorues i fundit” ka kuptimin e dhënë nga ligji nr.9707, datë 5.4.2007, “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, i ndryshuar.
36. “Organi kompetent”, në përputhje me dispozitat e këtij ligji për autoritetin shtetëror që miraton licencën e veprimtarisë, nënkupton organin përkatës, sipas përcaktimit me akt nënligjor të organit brenda institucionit, në përbërje ose varësi të Ministrisë së Mbrojtjes apo të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
KREU II
KUPTIMI DHE KATEGORIZIMI I ARMËVE
Neni 3
Kuptimi i armës dhe llojet
1. Armë, sipas këtij ligji, konsiderohet, por nuk kufizohet në, çdo mjet ose vegël e punuar me qëllim që, nën presionin e gazrave, të cilat shkaktohen gjatë djegies së materialeve shpërthyese, elektricitetit, gazrave nën presion ose energjisë tjetër potenciale, të hedhë predha në formë plumbi, grumbulli prej saçmash, gazi, lëngu, shigjete ose përbërësish të tjerë, që është e përcaktuar ose është përdorur për të shkaktuar dëm trupor, fizik e psikologjik, si dhe çdo mjet tjetër qëllimi i të cilit është të bëjë sulm fizik ndaj integritetit të njerëzve ose pronës.
2. Sipas këtij ligji, armë, konsiderohen:
a) armët e zjarrit;
b) armët e koleksionit;
c) armët pneumatike (ajrore);
ç) armët për përhapjen e gazrave irrituese;
d) armët shpërthyese;
dh) armët me hark, tojë apo mekanizëm elastik;
e) armët e ftohta;
ë) armët për sinjalizim me dritë dhe me zë;
f) paralizuesit elektrikë;
g) armët me drejtim energjetik;
gj) mjetet speciale;
h) çdo mjet tjetër i përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Si armë konsiderohen, po ashtu, municioni dhe pjesët kryesore përbërëse të armës, nëse në këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe. Ky kuptim i zgjeruar i termit ‘armë’ vlen, ndër të tjera, edhe për licencat dhe autorizimet e parashikuara në këtë ligj.
4. Si armë, sipas këtij ligji, nuk konsiderohen:
a) armët për qëllime industriale;
b) armët dekorative;
c) imitimet e armëve;
ç) armët të cilat janë bërë të papërdorshme në mënyrë të përhershme (të çaktivizuara), përmes zbatimit të procedurave teknike, të cilat janë të garantuara apo të njohura nga organi kompetent;
d) harpunët për peshkim nën ujë;
dh) çdo mjet tjetër i përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 4
Kategorizimi i armëve
1. Armët, sipas këtij ligji, kategorizohen, si më poshtë vijon:
1.1. Kategoria A, armët e zjarrit të ndaluara, të cilat jnë:
a) predhat ushtarake plasëse dhe sistemet për lëshim (A1);
b) armët e zjarrit automatike (A2);
c) armët e zjarrit të kamufluara në formë të një mjeti tjetër (A3);
ç) municioni me shkallë të lartë depërtuese, municioni me predha shpërthyese, municioni me predha ndezëse, si dhe predhat për municion të tillë (A4);
d) municioni për pistoleta dhe revolver me predhë shpërndarëse dhe hapëse si dhe predhat për municion të tillë, përveç në rastet e armëve për gjueti apo ato sportive të personave që kanë të drejtë t’i përdorin ato (A5);
dh) armët e zjarrit me zbutës zhurmash të montuar (A6);
e) armët e zjarrit me tytë të vjaskuar, me kalibër mbi 12,7 mm (A7);
ë) armët e zjarrit të gjata gjysmautomatike për përdorim civil, që duken si armë zjarri automatike (A8);
f) mjetet plasëse dhe pjesët e tyre (A9);
g) armët me gaz dhe municioni i tyre (A10);
gj) pajisja e veçantë për armë zjarri (A11);
h) paralizuesit elektrikë (A12);
i) municioni gjurmëlënës (A13);
j) municioni me veprim të dyfishtë (A14);
k) municioni me kalibër 5.7 x 28 mm SS190 (A15);
l) armët e drejtuara me energji (A16);
ll) armët e zjarrit me vjaska poligonale (A17);
m) armë të tjera të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
1.2. Kategoria B, armët e zjarrit për të cilat kërkohet autorizim e që janë:
a) armët e shkurtra të zjarrit gjysmautomatike apo vetërimbushëse (B1);
b) armët e zjarrit të shkurtra për një qitje, me ndezje qendrore (B2);
c) armët me ndezje anësore të shkurtra për një qitje, me gjatësi të përgjithshme më të vogël se 28 cm (B3);
ç) armët e zjarrit të gjata gjysmautomatike, me gushë ose fole për fishekë, që mund të mbajnë më tepër se tre fishekë (B4);
d) armët e zjarrit të gjata gjysmautomatike, me gushë ose fole për fishekë, që mund të pranojnë deri në tre fishekë. Kur mbushësi i tyre ndërrohet, këto armë mund të konvertohen, me ndihmën e një mjeti të zakonshëm, dhe të pranojnë më tepër se tre fishekë (B5);
dh) armët e zjarrit të gjata gjysmautomatike ose me përsëritje, me tytë të pavjaskuar, të gjatë deri në 60 cm (B6);
e) armët e zjarrit pneumatike, me energji të predhës mbi 7,5 J dhe kalibër mbi 4,5 mm (B7);
ë) armë të tjera të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
1.3. Kategoria C, armët e zjarrit me cilësi teknike më të kufizuara, për të cilat kërkohet autorizim e që janë:
a) armë zjarri e gjatë me përsëritje, që nuk është përfshirë në shkronjën “dh” të nënpikës 1.2, të kategorisë B (C1);
b) armë zjarri e gjatë me një gjuajtje me tytë të vjaskuar (C2);
c) armë zjarri e gjatë gjysmautomatike, që nuk është përfshirë në shkronjat “ç” e “dh”, të kategorisë B (C3);
ç) armë e shkurtër zjarri me një qitje me goditje anësore, gjatësia e përgjithshme e së cilës nuk është më e vogël se 28 cm (C4);
d) armë zjarri me një qitje, e gjatë, me tytë të pavjaskuar (C5);
dh) armët pneumatike me energji të predhës deri në 7.5 J dhe kalibër deri 4.5 mm (C6);
e) armët e zjarrit për sinjalizim me dritë dhe me zë (C7);
ë) adaptues (C8);
f) armë të tjera të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
1.4. Kategoria D, armë për të cilat bëhet lajmërim e që janë:
a) armët e zjarrit antike (D1);
b) armët me hark apo tojë (D2);
c) armët e ftohta (D3);
ç) armë të tjera të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Armët e zjarrit të kombinuara do të jenë të klasifikuara/grupuara në kategorinë e armëve të zjarrit me tytë të vjaskuar ose kalibrit më të madh me tytë të pavjaskuar, në rast se nuk ka tytë të vjaskuar.
3. Përjashtimisht nga nënpika 1.1, e pikës 1, të këtij neni, si armë zjarri të ndaluara nuk konsiderohen armët e zjarrit të gjuetisë dhe ato sportive të pajisura me shënjestër optike.
Neni 5
Moscenimi i legjislacionit për armët ushtarake
Kategorizimi i armëve sipas nenit 4, të këtij ligji, bëhet për qëllimet e këtij ligji dhe nuk cenon parashikimet e legjislacionit në fuqi për armët dhe pajisjet ushtarake.
Neni 6
Regjimi juridik për kategoritë e armëve
Për armët e përcaktuara në nenin 4, të këtij ligji, ka regjim të veçantë juridik, duke respektuar përfshirjen në kategoritë e ndryshme, si më poshtë vijon:
a) Në kategorinë “A” përfshihen armë të cilat nuk lejohen të përdoren dhe për të cilat nuk lëshohet autorizim.
b) Në kategorinë “B” përfshihen armë për mbajtjen e të cilave lëshohet autorizim në favor të personit që ka të drejtën e armës, sipas dispozitave të këtij ligji.
c) Në kategorinë “C” përfshihen armë me cilësi teknike më të kufizuara, për mbajtjen e të cilave është e nevojshme pajisja me autorizim.
ç) Në kategorinë “D” përfshihen armë për të cilat nuk lëshohet autorizim dhe subjekti përkatës është i detyruar të njoftojë organin kompetent të Policisë së Shtetit, duke qenë i lirë t’i marrë ato në posedim pas kohës së llogaritur për mbërritjen e njoftimit në organin kompetent.
KREU III
VEPRIMTARITË E LEJUARA ME ARMËT
Neni 7
Pronësia dhe veprimet juridike në lidhje me armët
1. Armët, që janë objekt i këtij ligji, mund të jenë në pronësi shtetërore ose private.
2. Veprimet juridike për kalimin e pronësisë ose të të drejtave të tjera mbi armët kryhen në përputhje me kushtet e kërkesat e përcaktuara në këtë ligj dhe në vendimin e Këshillit të Ministrave të dalë në zbatim të tij. Për sa nuk parashikohet në këto akte, zbatohen dispozitat e Kodit Civil.
Neni 8
Prodhimi, riparimi dhe çaktivizimi
1. Licenca për prodhimin, riparimin dhe çaktivizimin e armëve, pjesëve të tyre dhe municioneve përkatëse lëshohet nga Ministria e Mbrojtjes, pasi të jetë marrë mendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
2. Prodhimi, riparimi dhe çaktivizimi i armëve, pjesëve të tyre e municioneve përkatëse lejohen të kryhen nga subjektet shtetërore dhe private. Miratimi në heshtje nuk zbatohet në rastin e këtyre licencimeve.
3. Në licencën e lëshuar përcaktohen veprimtaritë dhe llojet e caktuara të armëve për të cilat ajo miratohet.
4. Dokumentacioni, kushtet dhe kriteret për lëshimin e këtyre licencave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 9
Tregtimi i armëve të gjahut, atyre sportive dhe armëve të tjera
1) Veprimtaritë e tregtimit të armëve të gjahut dhe atyre sportive, pjesëve të tyre e municioneve përkatëse licencohen, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, nga struktura përkatëse në përbërje ose varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Miratimi në heshtje nuk zbatohet në rastin e këtyre licencimeve.
2) Licenca, sipas pikës 1, të këtij neni, lëshohet edhe për armët e tjera, objekt i përcaktimeve të këtij ligji, të cilat nuk përfshihen në objektin e rregullimit të ligjit nr.9707, datë 5.4.2007, “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar, dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave të dalë në zbatim të tij.
3) Në licencën e lëshuar përcaktohen veprimtaritë dhe llojet e caktuara të armëve për të cilat ajo miratohet.
4) Veprimtaritë e tregtimit, të përmendura në pikën 1, të këtij neni, përfshijnë tregtimin e brendshëm, importin dhe eksportin.
5) Dokumentacioni, kushtet dhe kriteret për lëshimin e këtyre licencave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 10
Tjetërsimi i armës nga përdoruesi i fundit
1) Për aq sa nuk rregullohen nga dispozitat e ligjit nr.9707, datë 5.4.2007, dhe nuk mbulohen nga licencat dhe autorizimet e lëshuara mbi bazën e tij, veprimet e mëpasshme të kryera nga “përdoruesit e fundit” për tjetërsimin ose transferimin e të drejtave të tjera mbi armët e përmendura në nenet 3 dhe 4 të këtij ligji, me origjinë importin sipas ligjit nr.9707, datë 5.4.2007, kryhen nëpërmjet një autorizimi të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Në këtë rast vlejnë parashikimet e nenit 7, të këtij ligji.
2) Për veprimin juridik sipas pikës 1, të këtij neni, subjekti i interesuar njofton, brenda një afati dhjetëditor, Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.
Neni 11
Autorizimi për tjetërsim në kushtet e përdorimit vetjak
1) Veprimet për tjetërsimin ose transferimin e të drejtave të tjera mbi armët, të kryera brenda vendit ose me origjinë importi apo destinacion eksporti, kur motivohen nga nevoja për përdorim e vetë subjektit, nuk ushtrohen mbi bazën e një licence. Në rastin e çdo veprimi të tillë juridik, organi kompetent i Policisë së Shtetit lëshon autorizim të veçantë në favor të personit fizik ose juridik.
2) Personat që fitojnë dhe ata që humbasin të drejtën e përdorimit ose një të drejtë tjetër më të lartë, mbi armët, në kushtet e përmendura në pikën 1, të këtij neni, brenda një afati dhjetëditor nga humbja apo vendosja në mënyrë faktike në posedim mbi armën, njoftojnë organin vendor kompetent të Policisë së Shtetit, për të kryer regjistrimin e armës.
Neni 12
Futja dhe nxjerrja nga vendi e armëve të gjuetisë e atyre sportive
1) Organi kompetent i Policisë së Shtetit miraton autorizimin e veçantë në favor të personave fizikë e juridikë për futjen dhe nxjerrjen nga territori shtetëror të armëve të gjuetisë e atyre sportive, për nevoja të vetë personit, në kuadër të pjesëmarrjes në veprimtari që zhvillohen brenda ose jashtë vendit.
2) Shtetasit e huaj që marrin pjesë në veprimtaritë e përmendura në pikën 1, të këtij neni, pajisen me autorizim të përkohshëm për mbajtjen e armës, në kushte lehtësuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 13
Licenca për transportin e armëve, pjesëve dhe municioneve të tyre
1. Licenca për transportin e armëve dhe municionit, që përfshihen në fushën e veprimit të këtij ligji, lëshohet nga organi kompetent i Policisë së Shtetit në favor të personave fizikë apo juridikë, të cilët e kryejnë transportin e armëve në kuadër të veprimtarive të tyre tregtare, të ndryshme nga transporti e të licencuara sipas dispozitave të këtij ligji.
2. Për veprimet juridike të kryera me armët, që motivohen nga nevoja për përdorim e vetë subjektit, sipas nenit 11, të këtij ligji, veprimet e transportit kryhen në bazë të një autorizimi të lëshuar nga organi kompetent i Policisë së Shtetit. Në këtë rast, autorizimi për transport mund të merret në të njëjtin akt administrativ me autorizimin për tjetërsim ose transferim të të drejtave të tjera mbi armët, sipas nenit 11.
3. Transporti i armëve i kryer nga personat fizikë e juridikë në kuadër të mbajtjes së armës, për të cilën është lëshuar autorizim, kryhet në bazë të një autorizimi që mbulon të drejtën e zhvendosjes së armës për periudhën e caktuar në aktin përkatës. Ky autorizim mund të marrë formën e një akti të vetëm administrativ, në mënyrë të ngjashme me parashikimin e nenit 22, të këtij ligji.
Neni 14
Licenca për poligon civil qitjeje
Çdo subjekt që kërkon të administrojë një poligon civil qitjeje, të luajtshëm ose të paluajtshëm, të përdorur vetëm ose jo vetëm për qëllime rekreative, sportive ose të praktikës me shënjestër, duhet të aplikojë për licencë në organin kompetent të Policisë së Shtetit.
Neni 15
Kushtet e përgjithshme të licencimit
1. Kushtet e përgjithshme të licencimit, për licencat e parashikuara në dispozitat e këtij ligji, janë këto:
a) subjekti të jetë regjistruar si subjekt tregtar dhe të ketë zyrën qendrore në territorin e Republikës së Shqipërisë;
b) subjekti të ketë përcaktuar drejtuesin administrativo-teknik.
2. Licenca jepet, me të drejtë ripërtëritjeje, në afatin e vlefshmërisë të caktuar, sipas pikës 4, të këtij neni.
3. Drejtuesi administrativo-teknik dhe personeli që do të ushtrojë këtë veprimtari duhet të plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 23, të këtij ligji.
4. Çështjet e lidhura me përcaktimin e kushteve të posaçme të licencimit, rregullave të hollësishme për ushtrimin e veprimtarive të licencuara me armët, administrimin dhe ruajtjen e tyre, dokumentacionin që duhet të paraqitet nga subjekti, procedurat e shqyrtimit e të vendimmarrjes dhe afatet për kryerjen e tyre, procedurat për dhënien, revokimin dhe afatin e vlefshmërisë së licencës, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 16
Detyrimet e subjektit të licencuar
Gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, subjekti i licencuar duhet të përmbushë këto detyrime:
a) të paguajë detyrimet financiare ndaj organeve shtetërore në afatin e përcaktuar, sipas legjislacionit në fuqi;
b) të mos e përdorë aktivitetin, për të cilin është licencuar, për të kryer, lehtësuar apo fshehur një veprimtari të kundërligjshme;
c) të fillojë veprimtarinë brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e licencës;
ç) të mos transferojë armë dhe municione te subjekte të cilët nuk janë të pajisur me autorizim/licencë përkatëse nga organi kompetent;
d) të raportojë në organin kompetent për aktivitetin mujor që kryen brenda datës 10 të muajit pasardhës;
dh) të mbajë evidenca të plota për veprimtarinë që kryen, me të dhëna për personat, armët dhe municionet. Për këto regjistrime duhet të jetë në çdo moment i mundshëm inspektimi nga organi kompetent. Formati i regjistrit miratohet me urdhër të ministrit të Brendshëm.
e) të marrë masat e nevojshme për sigurimin teknik të armëve dhe municioneve, me qëllim parandalimin e aksidenteve, ngjarjeve të mundshme gjatë prodhimit, lëvizjes, administrimit, ruajtjes e tregtimit të tyre. Masat e nevojshme për këtë qëllim përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
ë) të mos e transferojë veprimtarinë, për të cilën është lëshuar licenca, te një subjekt tjetër;
f) të kujdeset për certifikimin nga organi kompetent të personelit që punëson për ushtrimin e veprimtarisë së licencuar. Rregullat për certifikimin e personelit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
g) të përmbushë brenda afateve të caktuara detyrat e lëna me shkrim, sipas ligjit, nga organi kompetent.
Neni 17
Inspektimi nga organi kompetent
Ushtrimi nga personat fizikë dhe juridikë i veprimtarisë së licencuar/autorizuar i nënshtrohet inspektimit të rregullt nga organi kompetent për lëshimin e titullit, gjatë të cilit zbatohen dispozitat e ligjit “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” dhe dispozitat e tjera të zbatueshme në fuqi.
KREU IV
E DREJTA DHE KUSHTET E MBAJTJES SË ARMËS
Neni 18
Autorizimi për mbajtje arme
Kanë të drejtë të pajisen me autorizim për mbajtje arme zjarri nga organi kompetent i Policisë së Shtetit:
a) deputetët, anëtarët e Këshillit të Ministrave, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë, prokurori i Përgjithshëm, zëvendësministrat, prefektët;
b) kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, gjyqtarët, prokurorët, punonjësit e Policisë Gjyqësore dhe ata të cilëve, me ligj, u njihen funksionet e Policisë Gjyqësore;
c) punonjësit e shoqërive të ruajtjes dhe të sigurisë fizike;
ç) punonjësit e ngarkuar për sigurinë e brendshme të objekteve të Bankës së Shqipërisë, ku administrohen vlera monetare;
d) punonjësit e forcës së sigurisë portuale në varësi të Autoritetit Portual;
dh) drejtuesi i automjetit, i cili, sipas ligjit nr.10160, datë 15.10.2009, “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”, të ndryshuar, është vënë në dispozicion të secilit prej subjekteve të përmendura në këtë nen. Të drejtën e pajisjes e gëzon edhe drejtuesi i automjetit të vënë në dispozicion të funksionarëve të pushtetit gjyqësor, të përmendur në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni.
e) drejtuesit dhe ortakët e shoqërive tregtare, zyra qendrore e të cilëve ndodhet në Republikën e Shqipërisë, kur shoqëria zotëron një kapital të përgjithshëm jo më pak se pesëdhjetë milionë lekë ose kapital bankar jo më pak se njëzet milionë lekë;
ë) subjekte të tjera, për të cilat e drejta e mbajtjes së armës parashikohet nga një dispozitë ligjore.
Neni 19
Pajisja me armë zjarri
1. Në varësi të gjendjes së armatimit në dispozicion të organeve të Policisë së Shtetit, pajisja me armë zjarri e subjekteve, për të cilat lëshohet autorizim sipas nenit 18, të këtij ligji, mund të bëhet nga vetë institucionet apo subjektet përkatëse, duke e prokuruar armatimin nga subjektet e licencuara/autorizuara sipas dispozitave në fuqi për tregtimin e armëve të zjarrit, dhe, kur është e mundur, mund të bëhet nga organi kompetent i Policisë së Shtetit.
2. Në çdo rast dhe pavarësisht nga mënyra e pajisjes me armë të subjektit përkatës, organi kompetent i Policisë së Shtetit mbikëqyr dhe mban evidenca për procesin e inventarizimit dhe shpërndarjes së armatimit. Kategoritë e punonjësve që pajisen me armë zjarri dhe lloji i armatimit, kur nuk përcaktohen në legjislacionin përkatës, përcaktohen në bashkërendim ndërmjet institucionit përkatës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Neni 20
Mbajtja e armës nga autoritetet e huaja
1. Të drejtën për t’u pajisur me autorizim për mbajtje arme, mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe parimit të reciprocitetit, e kanë edhe personat e autoritetet e huaja, si më poshtë vijon:
a) Diplomatë të huaj, nëpunës të konsullatave dhe persona të huaj të barazuar në funksion me ta.
b) Punonjës të misioneve ushtarake të huaja të vendosura në territorin e Republikës së Shqipërisë.
c) Persona të cilët kanë për detyrë mbrojtjen e mjeteve të transportit ajror dhe të anijeve detare.
ç) Misionet e ndryshme policore e ushtarake, të akredituara në vendin tonë, për sigurimin personal ose të objekteve (rezidencave) të tyre me roje policore të brendshme që janë sjellë nga vetë ata.
d) Shtetasit e huaj që vijnë në Republikën e Shqipërisë për veprimtari sportive të qitjes dhe të gjuetisë.
dh) Subjekte të tjera, për të cilat e drejta e mbajtjes së armës parashikohet nga një marrëveshje ndërkombëtare ose dispozitë ligjore.
2. Autorizimi për personat e përmendur në pikën 1, të këtij neni, lëshohet për një afat të kufizuar dhe përmban të dhënat përkatëse të personit dhe të armës për të cilën lëshohet autorizimi.
3. Për futjen dhe nxjerrjen e armëve nga territori shtetëror, si dhe transportin brenda vendit, në favor të subjekteve të përmendura në pikën 1, të këtij neni, lëshohet autorizim, i cili mund të marrë formën e një akti të vetëm administrativ, të lëshuar së bashku me autorizimin e mbajtjes së armës.
Neni 21
Autorizimi për mbajtje arme gjahu, sportive e armët e tjera
Autorizimi për mbajtje arme gjahu ose sportive, si dhe për armët e tjera të ndryshme nga armët e zjarrit, që janë objekt i parashikimeve të këtij ligji e për të cilat kërkohet autorizim, jepet nga organi kompetent i Policisë së Shtetit në favor të subjekteve:
a) për të cilat e drejta e mbajtjes së armës parashikohet nga dispozitat ligjore të zbatueshme për gjuetinë;
b) që ushtrojnë në mënyrë profesionale apo amatore veprimtari që përfshihen në sportin e qitjes ose të praktikës me shënjestër;
c) për të cilat e drejta e mbajtjes së armës parashikohet në dispozita ligjore.
Neni 22
Akti i vetëm administrativ
Autorizimet për të blerë dhe për të mbajtur armë, që përfshihen në fushën e veprimit të këtij ligji, mund të marrin formën e një akti të vetëm administrativ.
Neni 23
Kushte të përgjithshme për pajisjen me autorizim
1. Shtetasit që janë përfitues të autorizimeve, sipas parashikimeve të këtij ligji, duhet të plotësojnë këto kushte:
a) të kenë mbushur moshën 22 vjeç;
b) të jenë të aftë nga ana fizike e mendore;
c) të mos kenë qenë të dënuar më parë për vepra penale që përbëjnë krime;
ç) të zotërojnë dëshminë për kryerjen e kursit të aftësimit teorik dhe praktik për përdorimin e armës;
d) të gëzojnë besueshmëri.
2. Parashikime të hollësishme për kushtet e pajisjes, për kushtet e tjera të nevojshme ose për përjashtimin nga zbatimi, në raste të veçanta, të kushteve të përgjithshme jepen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Të njëjtat kushte të caktuara në pikën 1, të këtij neni, vlejnë edhe për drejtuesin administrativo-teknik dhe personelin e personave juridikë që aplikojnë për autorizim apo licencë, sipas dispozitave të veçanta të këtij ligji.
Neni 24
Licenca për aftësimin e personave të autorizuar
Organi kompetent i Policisë së Shtetit licencon personat juridikë të interesuar për ushtrimin e veprimtarisë së aftësimit teorik e praktik të personave fizikë, kërkues të autorizimit për mbajtje arme.
Neni 25
Përgjegjësia për ruajtjen, përdorimin dhe raportimin
1. Personi që mban me autorizim armë të çdo lloji, mban përgjegjësi, sipas dispozitave të këtij ligji, në rast përdorimi të armës nga persona të tretë. Mbajtësi nuk përgjigjet nëse provon se ka treguar kujdesin e nevojshëm për ruajtjen e armës në mënyrë të sigurt, duke marrë masat e duhura për të shmangur kontaktin e personave të tretë me armën.
2. Ndalohet përdorimi i armës jashtë destinacionit të saj. Qitja me armë zjarri lejohet vetëm në poligonet ose në vendet e caktuara për këtë qëllim, me masa sigurie.
3. Mbajtësit me autorizim të armëve dhe municionit raportojnë çdo gjashtë muaj në organin kompetent për lëshimin e autorizimit, për gjendjen teknike të armës dhe rrethanat e tjera që shoqërojnë procesin e mbajtjes së saj. Në rast se ka episode të përdorimit të armës, sipas destinacionit të saj, raportimi i mësipërm kryhet në mënyrë periodike, por jo më shumë se tre muaj nga përdorimi.
Neni 26
Pushimi i së drejtës për mbajtje arme
1. Kur shtetasit që janë përfitues të autorizimeve, sipas neneve 18 e 21, të këtij ligji, largohen nga detyra ose kur nuk ekziston më rrethana tjetër në bazë të së cilës u konsideruan përfitues, u pushon vetiu e drejta për mbajtjen e armës dhe detyrohen që, brenda tri ditëve, ta dorëzojnë atë në organin kompetent të Policisë së Shtetit.
2. Organi i Policië së Shtetit, i cili është vënë në ruajtje të armës, sipas pikës 1, të këtij neni, e mban armën:
a) deri në lëshimin sërish të autorizimit për zotëruesin e armës;
b) deri kur të vërtetohet transferimi, sipas ligjit, i armës te një person tjetër që zotëron autorizim.
Neni 27
Armët e koleksionit
1. Armët e koleksionit, në varësi të dispozitave ligjore në fuqi për trashëgiminë kulturore, mund të përbëjnë ose jo objekte të trashëgimisë kulturore materiale të luajtshme.
2. Armët e koleksionit ruhen në muze ose në mjediset e caktuara nga personat fizikë e juridikë, që janë zotërues të tyre, me të drejtën e municioneve mësimore të çaktivizuara.
3. Zotëruesit e armëve dhe muzetë publikë e privatë paraqesin, në mënyrë periodike, në organin kompetent të Policisë së Shtetit, listën e armëve të koleksionit që janë në zotërim ose në ruajtje të tyre apo që synojnë t’i përfshijnë në koleksion në periudhën në vazhdim.
4. Për koleksionin e armëve, përfshirë edhe rastin e objekteve të trashëgimisë kulturore, që plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si armë në kuptim të këtij ligji, organi kompetent i Policisë së Shtetit lëshon autorizimin përkatës në favor të institucionit ose personit që kryen ruajtjen e tij.
5. Për armët e koleksionit që përbëjnë objekte të trashëgimisë kulturore, administrimi i tyre respekton gjithashtu dispozitat ligjore në fuqi për trashëgiminë kulturore të luajtshme.
Neni 28
Mbledhja e të dhënave personale
1. Organet kompetente për zbatimin e këtij ligji mund të mbledhin të dhëna personale nga institucionet dhe subjektet e tjera publike e private, në rastet kur administrimi i së dhënës përkatëse është i nevojshëm për qëllimet e lëshimit të licencave dhe autorizimeve të parashikuara në këtë ligj. Të njëjtat të dhëna mund të mblidhen edhe pa pëlqimin e subjektit të së dhënës, në rast shqyrtimi të rrethanave, me qëllim revokimin e licencës apo autorizimit.
2. Gjatë veprimtarisë së mbledhjes dhe trajtimit të të dhënave zbatohen dispozitat në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Neni 29
Evidentimi i të dhënave për armët
1. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit zbaton dispozitat në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore lidhur me të dhënat për armët, licencat, autorizimet, blerësit, zotëruesit dhe ish-zotëruesit e armëve.
2. Personat fizikë dhe juridikë të licencuar dhe të autorizuar sipas dispozitave të këtij ligji, mbajnë evidenca të sakta e të hollësishme, në formë të shkruar dhe elektronike, për të gjitha veprimet e veçanta të kryera me armët. Formati i regjistrit miratohet me urdhër të ministrit të Brendshëm.
Neni 30
Detyrimet financiare
1. Aplikimi për lëshimin e licencave dhe autorizimeve, sipas dispozitave të veçanta të këtij ligji, kryhet kundrejt pagesës për shërbimin administrativ, e cila duhet të mbulojë vetëm koston dokumentare.
2. Në rast lëshimi të licencës apo autorizimit, subjekti përkatës paguan tarifën e licencimit/autorizimit në afatin e caktuar nga organi kompetent për lëshimin e titullit. Mospagimi i tarifës sjell revokimin e titullit, sipas dispozitave të neneve 31 e 32, të këtij ligji.
3. Masa, kriteret dhe procedura për detyrimet financiare sipas këtij neni përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
KREU V
MASAT SHTRËNGUESE
Neni 31
Pezullimi e revokimi i licencës
1. Pa cenuar zbatimin e procedurave paraprake, të përcaktuara në pikat e tjera të këtij neni, pezullimi ose revokimi i licencës vendoset ndaj titullarit të saj, në këto raste:
a) kur titullari humbet kushtet e licencimit, të parashikuara në nenin 15, të këtij ligji, dhe në vendimin e Këshillit të Ministrave të dalë në zbatim të tij;
b) kur konstatohet se titullari, në dokumentacionin e dorëzuar, ka paraqitur të dhëna të pasakta ose të rreme;
c) me kërkesë të titullarit për të hequr dorë nga licenca;
ç) kur titullari nuk përmbush sipas ligjit detyrimin për pagimin e gjobës së vënë si masë administrative;
d) kur titullari nuk përmbush detyrimet e parashikuara në nenin 16, të këtij ligji.
2. Përpara marrjes së vendimit të revokimit, organi kompetent, si rregull, urdhëron ripërmbushjen e kritereve apo ndreqjen e shkeljeve të detyrimeve, brenda një afati të arsyeshëm, pa pezullim të titullit ose pezullimin e titullit për një afat të arsyeshëm, deri në zbatimin e urdhrit për ripërmbushjen e kritereve apo ndreqjen e shkeljeve të detyrimeve. Ky parashikim nuk zbatohet në rastet e parashikuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij neni, për të cilat revokimi i licencës bëhet automatikisht.
3. Urdhri i pezullimit revokohet nga organi kompetent, kur vlerësohet se titullari i ka plotësuar të gjitha urdhërimet, sipas rastit.
4. Si rregull, licenca revokohet:
a) kur rrethanat janë të tilla që s’do të kishte kuptim ose mundësi për ripërmbushjen e kritereve apo ndreqjen e shkeljes së detyrimeve nga titullari, brenda çdo afati të arsyeshëm pezullimi;
b) në rast moszbatimi të urdhërimeve brenda afateve të arsyeshme të pezullimit;
c) në rastin e shkeljeve të rënda me faj nga titullari dhe/ose kur shkelja ka shkaktuar dëmtim të interesit publik, që garantohet nga titulli përkatës apo legjislacioni në fuqi.
Neni 32
Pezullimi e revokimi i autorizimit
1. Organet e Policisë së Shtetit kanë të drejtë të revokojnë autorizimin për mbajtjen e armës, kur mbajtësi i autorizuar shkel rregullat për mbajtjen e përdorimin e armës, kur paraqet rrezik se mund ta përdorë atë si mjet për kryerjen e një vepre penale, kur pushon së përmbushuri kushtet për pajisjen me autorizim, si dhe për rrethana të tjera që cenojnë të drejtën e titullarit për ta pasur në vazhdim këtë status.
2. Kur revokohet autorizimi për mbajtjen e armës, arma dorëzohet në organet e Policisë së Shtetit. Për armët e gjahut, ato sportive, si dhe armët e tjera që janë në pronësi të subjektit përkatës, organet e Policisë së Shtetit e mbajnë armën, sipas rastit,:
a) deri në kalimin e gjendjes së rrezikut që u bë shkak për revokimin e autorizimit për mbajtjen e armës;
b) deri në lëshimin sërish të autorizimit për zotëruesin e armës;
c) deri kur vërtetohet transferimi sipas ligjit i armës tek një person tjetër që zotëron autorizim.
3. Revokimi i autorizimit mund të vendoset nga organi kompetent për miratimin e tij, sipas dispozitave të këtij ligji, edhe në rastin e autorizimeve të tjera të parashikuara në këtë ligj, për rrethana që cenojnë të drejtën e titullarit për ta pasur në vazhdim këtë status.
4. Në mënyrë të ngjashme me parashikimet e pikës 4, të nenit 30, të këtij ligji, përpara revokimit organi kompetent mund të shqyrtojë nëse është e mundur dhe e drejtë të procedohet më parë me pezullimin e titullit.
Neni 33
Kundërvajtjet administrative
1. Personat fizikë dhe juridikë që veprojnë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave në zbatim të tij, kur veprimet e tyre përkatëse nuk përbëjnë vepër penale, mbahen përgjegjës për kundërvajtje administrative.
2. Dënohet me gjobë prej 50 mijë deri në 200 mijë lekë personi fizik ose juridik i cili tregton, furnizon, posedon, prodhon, riparon, çaktivizon, shkëmben, dorëzon ose kryen çdo veprim tjetër të lidhur me armë, kur veprimet e tij janë të ndaluara, jo të licencuara/autorizuara, në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave të dalë në zbatim të tij.
Për shkeljet e përmendura në këtë pikë të nenit personi dënohet, gjithashtu, me masat plotësuese të konfiskimit të armës dhe të ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë përkatëse në afat nga dy deri në pesë vjet.
3. Dënohen me gjobë prej 30 mijë deri në 100 mijë lekë personi juridik dhe me gjobë 15 mijë deri 80 mijë lekë personi fizik, kur:
a) e mban armën në kundërshtim me dispozitat në fuqi;
b) në afatin e caktuar nuk parashtron kërkesën për regjistrimin e armës pranë organit kompetent të Policisë së Shtetit;
c) nuk paraqet armën e koleksionit për regjistrim pranë organit kompetent të Policisë së Shtetit;
ç) shkel rregullat e caktuara për ruajtjen dhe evidentimin e armëve;
d) shkel rregullat e caktuara në rast zhdukjeje, humbjeje, vjedhjeje të armës ose të dokumentit që njeh të drejta mbi të;
dh) nuk aplikon për ripajisje me autorizim për mbajtje arme, në rast ndryshimi të vendbanimit, vendqëndrimit apo selisë;
e) pas vdekjes së mbajtësit, anëtarët e familjes nuk dorëzojnë përkohësisht armën në organin vendor të Policisë së Shtetit;
ë) nuk kryen apo kryen me mangësi mbajtjen e evidencës së armëve dhe të veprimeve të kryera me to;
f) nuk vë në dispozicion të organit kompetent kërkues të dhënat përkatëse të nevojshme për lëshimin apo revokimin e licencës/autorizimit për personin subjekt i të dhënave.
Për shkeljet e përmendura në shkronjat “a”, “dh”, “e”, të kësaj pike, personi dënohet, gjithashtu, me masën plotësuese të konfiskimit të armës.
4. Me gjobë nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë dënohet personi juridik ose fizik, i cili:
a) shkel rregullat e parashikuara për shitjen dhe shkëmbimin e armëve të zjarrit;
b) e ruan armën në mënyrë që bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi;
c) nuk fillon ushtrimin e veprimtarisë së licencuar në afatin e caktuar nga dispozitat ligjore në fuqi;
ç) në veprimtaritë e riparimit e çaktivizimit të armëve vepron me armë të paevidentuara nga organi kompetent i Policisë së Shtetit ose, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, lejon nxjerrjen e armës nga vendi i punës përpara riparimit;
d) pa lejen e organit përgjegjës kthen sërish në gjendje pune armën e çaktivizuar më parë ose shkel dispozitat e tjera ligjore në fuqi për trajtimin e armëve të çaktivizuara;
dh) lëshon në qarkullim armë të cilat nuk janë shenjuar, testuar në pajtim me dispozitat në fuqi;
e) transporton armë pa leje ose në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi për marrjen e masave të posaçme për siguri gjatë transportit;
ë) gjatë transportit ose në çdo rast tjetër që i kërkohet nga organi shtetëror përgjegjës nuk paraqet dokumentet që vërtetojnë të drejta mbi armët.
Shkel








