Projektligji i rikthimit të basteve, Fidel Ylli: Më mirë sesa të jenë në ‘të zezë’! Shyti: I nevojshëm, por problem do jetë kalimi në legalitet! Gupi: Ka dështuar shteti

Projektligji për hajen e basteve online ka shkaktuar debate ditën e sotme në emisionin “Përballje” me gazetaren Rovena Neziri në Report Tv. Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli përsëriti argumentet e tij në mbrojtje të këtij projektligji duke theksuar se duke qenë se një ves i tillë nuk ndalohet dot, është më mirë që të ketë një legalizim të kompanive të basteve, gjë që do të sjellë edhe fitime në arkën e shtetit që më pas do të investohen për sportin.

“Janë fenomene që nuk mbyllen me ligj. Kemi bërë debate për këtë edhe Amerika e mbylli alkoolin në vitet 1923-1930 se gratë ankoheshin se burrat po i rrihnin. U mbyll dhe më pas u kapën nga Al Capone, u korruptuan zyrtarë e gjyqtarë  Ne themi se basti është ves por në një mënyrë edhe atraksion. Unë nuk luaj baste, as nuk i promovoj, por si është më e mira, t’i lëmë në të zezë? Se unë dyshoj se mund të ketë edhe politikanë e deptuetë që nuk dalin më fytyrë atje”- u shpreh Ylli.

Nga ana tjetër, avokati Marsid Gupi u shpreh kundër këtij projektligji duke theksuar se sipas tij kjo tregon se shteti ka dështuar me fuqinë për të ndaluar aktivitete të tilla që u shpallën të paligjshme në vitin 2018.

“Bastet sportive janë ves, jo virtyt. Pretendimi që ka ngritur qeveria nuk besoj se është argument pozitiv sepse kjo tregon se ka dështuar fuqia e shtetit. I bie të legalizojmë edhe korrupsionin meqë nuk e ndalojmë dot. I bie që fuqia e shtetit dhe sigurimi i rendit, ka rënë dhe meqë nuk e ndalojmë po mundohemi të përfitojmë materialisht.  Unë mendoj se nuk shkohet tek pjesa sesa do ketë përfitime sepse nuk ka një studim lidhur me këtë.  Ka shumë raste që ofrojnë nëpër lokale një veprimtari të tillë, por mendoj se duhet të ketë shtrëngim të masave ndaluese. Sepse është ves që e dëmton shoqërinë shqiptare”- tha Gupi.

Ndaj këtij argumenti të avokatit, Fidel Ylli u përgjigj duke thënë se është e pamundur që shteti të kontrollojë vese të tilla dhe mori shembullin e Francës, Italisë dhe SHBA-ve.

Ndërsa ish-kreu i Shoqatës së Basteve, Artan Shyti tha se projektligji mund të kishte qenë edhe më i mirë duke mos penalizuar kompani të caktuara të basteve që nuk kanë licenca në 3 vende. Ndërsa theksoi se pjesa më e vështirë do të jetë kthimi i një aktiviteti të tillë të paligjshëm në të ligjshëm.

“Në këtë kontekst mund të ishte bërë më mirë, disa gjëra mund të jenë rregulluar. Do jetë më e komplikuar të kalojmë pjesën e paligjshme në pjesë të ligjshme sepse ky ligj nuk e favorizon. Sepse është më i ashpër me lojtarin. Ligji ynë e ka që duhet të japësh të dhënat për cdo lloj loje. Bastet stigmatizohen si pjesa kriminale. Problemi është se nëse duam ta kthejmë nga e paligjshme në të ligjshme mund të ishte bërë një ligj më i mirë ku shteti edhe të mblidhte më shumë para. Na doli e drejtë ajo që thonim që mos të mbylleshin kompanitë e basteve dhe të reformoheshin më mirë. Nëse kushtet nuk do jenë të tilla që lojtarët të lënë të paligjshmen dhe të kthehen në të ligjshme e kam të vështirë ta besoj se këta lojtarë do jenë të prirur të kthehen në legalitet.  Kjo do e kushtëzojë sepse shteti ka kërkesa të shumta për këtë gjë”- tha Shyti.

Drejtori i Këshillit Shqiptar për problemet e lojërave të fatit, Henri Telharaj tha se është më e rëndësishme që në sektorin ku do të investohen të ardhurat e mbledhura nga shteti sa i takon kësaj veprimtarie, të investohen edhe në shëndetësi e jo vetëm në sport.

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Eneo: 05/02/2024 16:21

    Po kur do i hapni erdhi europiani gjermani 2024

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb