Projektligji “Për punën vullnetare” miratohet në Komisionin e Ligjeve

Projektligji “Për punën vullnetare”, nismë e deputeteve të LSI-së, Kejdi Mehmetaj dhe znj. Silva Caka, është miratuar në parim nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Duke prezantuar projektligjin para anëtarëve të komisionit, Kejdi Mehmetaj tha se puna për hartimin e këtij drafti ka nisur dy vite më parë përmes konsultimeve të shumta me grupet e interesit dhe duke bashkëpunuar ngushtë me organizata të njohura nga shoqëria civile. Deputetja e LSI-së theksoi se gjatë hartimit të këtij projektligji i janë referuar praktikave më të mira të vullnetarizmit, që mund të jenë të BE-së, por edhe vendeve të rajonit si rasti i Kroacisë, Malit të Zi, Maqedoni, etj.

“Kërkesa për ta sjellë këtë projektligj në Kuvend ka qenë në radhë të parë nga votuesit tanë, të cilët kryesisht kanë qenë të rinj në moshë dhe e kanë ndjerë në përditshmërinë e tyre nevojën e këtij projektligji. Por në të njëjtën kohë në mënyrë të herëpashershme ka ardhur nga BE-ja nevoja për ta pasur këtë ligj në Shqipëri. Mund t’iu përmend këtu edhe udhërrëfyesin që është miratuar para disa muajsh nga Ministria e Integrimit së bashku me Ministrinë e mirëqenies Sociale dhe Rinisë mbi nevojën e hartimit dhe miratimit të një projektligji për punën vullnetare në Shqipëri”, - tha deputetja e LSI-së, teksa më tej shpjegoi edhe pikat kryesore të projektligjit të tij.

“Puna vullnetare është investim me vullnet të lirë i kohës njohurive dhe aftësive për kryerjen e aktiviteteve ose shërbimeve vullnetare në dobi të ofruesit apo përfituesit të punës vullnetare. Puna vullnetare kryhet pa pagesë apo ndonjë përfitim tjetër material. Vullnetarizmi ofrohet për të mirën publike në mënyrë individuale, spontane dhe të lirë. Vullnetarizmi është për njerëzit që ndihmojnë, mësojnë dhe janë pjesëmarrës aktivë në komunitet. Ky ligj rregullon marrëdhëniet midis aktorëve pjesëmarrës në fushën e vullnetarizmit si dhe do të përcaktojë hapësirën vepruese dhe gjithashtu do të shërbejë si urë që do të lidhë institucionet shtetërore qendrore dhe lokale me vullnetarët si proces. Ky ligj qartëson detyrat dhe evidenton të drejtat duke bërë të mundur bashkëpunimin e subjekteve në arritjen e asaj që quhet e mira e përgjithshme. Instrumenti rregullues i parashikuar në ligj për funksionimin e marrëdhënies juridike do të jetë kontrata e lidhur midis vullnetarit dhe ofruesit të punës vullnetare në përmbajtje të së cilës do të jenë të parashikuara të gjitha specifikat për kryerjen e këtij shërbimi”, - tha Kejdi Mehmetaj ndër të tjera gjatë prezantimit.

Mbledhja vazhdoi me pyetje e diskutime në lidhje me projektligjin, ndërsa kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj tha se e mbështet nismën e paraqitur nga koleget deputete.
“Së pari, sepse siç dihet jam partizan i iniciativave ligjvënëse të deputetëve, sepse at dëshmojnë për përgjegjshmërinë dhe rolin aktiv që duhet të luajnë deputetët në procesin ligjvënës. Së dyti, nisma me atë çfarë synon të sjellë në shoqërinë shqiptare është një gjë që synon të përshëndetet dhe të vlerësohet, jo thjesht dhe vetëm që kemi për nevojën e kësaj pune, por më shumë për kulturën që duhet të injektojmë në shoqëri në mënyrë të veçantë të brezat e rinj në këtë aspekt”, - tha Xhafaj.
Deputeti i LSI-së, Petrit Vasili ka përshëndetur iniciativën dhe cilësinë e draftit apo edhe argumentimin.

“Sigurisht që sot ndjehemi më mirë që në fund të fundit disa qasje të reja që evropianizojnë mentalitetin e këtij vendi bëhen pjesë e korpusit të shumë ligjeve që ne miratojmë, por të tilla kanë qenë dhe janë të pakta. Mazhoranca ka dhënë shembujt të shumtë që qasjen e saj ndaj vullnetarizmi, ndaj qasjeve komunitare për çështje të mëdha e ka pasur një mënyrë shumë pozitive sjelljeje. Ishte shumë pozitive që të kishim një rregullim ligjor, sepse abuzivizmin e shoh dhe më tremb kur shikoj që një veprimtari e tillë nuk ka rregulla dhe nuk ka mbrojtje, nuk ka qartësi në raportin e asaj që ofrohet dhe asaj që përfitohet”, - tha z. Vasili, ndërsa anëtarët e komisionit e miratuan në parim projektligjin “Për punën vullnetare”. 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Turqia në flakë, zjarret përhapen në provincën perëndimore të Izmirit! Evakuohen banorët