Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, e cilëson marrëzi legalizimin e kanabisit, ndërsa për Ramën thotë se është i vendosur t’i shkojë deri në fund ‘kësaj marrëzie’.

Në një reagim në Facebook për hedhjen për konsultim publik për ligjin për legalizimin e kanabisit, Alibeaj thotë se Rama është kryeministri i vetëm në Evropë dhe më gjërë që ish-ministri i tij Brendshëm gjendet në burg, për shkak të përfshirjes në grupet kriminale të trafikut të kanabisit.

“Edi Rama duket i vendosur t'i shkojë deri në fund marrëzisë së tij për legalizimin e kanabisit në Shqipëri. Njeriu që në vitet 2015 - 2017 e mbushi gjithë Shqipërinë me kanabis, duke u shndërruar në një problem ndërkombëtar për trafikun e lëndëve narkotike, ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin "Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale".

Njeriu që për shkak të problemeve me kanabisin, la vendin e tij në vendnumëro për vite të tëra në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Edi Rama pra, është kryeministri i vetëm në Evropë dhe më gjërë që ish-ministri i tij brendshëm gjendet në burg, për shkak të përfshirjes në grupet kriminale të trafikut të kanabisit.

Alibeaj thotë se kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore është thjesht një maskë për të mbuluar prodhimin masiv të kanabisit dhe trafikimin e tij të paligjshëm. Ai tha se nga projektiligji do të përfitojnë persona që Rama i ka të afërt, dhe akuzoi se vetë drejtuesit e qeverisë së Ramës janë të përfshirë në trafikun e drogës. 

Por, të gjitha këto duket se ai ka harruar ose bën sikur, dhe tashmë nën maskën e kultivimit për qëllime mjekësore dhe industriale, kërkon të legalizojë prodhimin e kanabisit.

Kriteret dhe procedurat e përcaktuara në projektligj, e bëjnë të qartë se lejet dhe licencat për këtë veprimtari do t'i përfitojnë vetëm miqtë dhe aleatët e Ramës. Kushdo e di se në një vend ku kriminaliteti dhe korrupsioni është në nivelet më të larta, mbajtja nën kontroll e kësaj veprimtarie është e pamundur. Këtë e dëshmojnë edhe rritja e procedimeve me 42.92% dhe e të dënuarve me 66.67% gjatë vitit 2021 për veprat penale të lidhura me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike (sipas raportit të Prokurorit të Përgjithshëm).  Aq më tepër, me një qeveri që ka treguar se drejtuesit e saj janë jo vetëm konsumatorë, por drejtpërdrejtë të përfshirë në trafikun e  narkotikëve.

Për këtë arsye, Alibeaj dhe se Partia Demokratike dhe opozita nuk do të votojnë pro këtij projektligji.

Prandaj, për Partinë Demokratike dhe Opozitën, qëndrimi ndaj kësaj marrëzie të pushtetit të Edi Ramës, duhet të jetë i qartë: Jo vetëm votë kundër në Parlament, por betejë në të gjitha frontet për të ndaluar kriminalizimin e ekonomisë shqiptare”, shkruan Alibeaj.

Qëndrimi i shumicës së shqiptarëve pro legalizimit, kultivimit dhe përdorimit të kanabisit për qëllimet mjekësore, është reflektuar në një draft nga ana e qeverisë, draft i cili pritet të miratohet në Këshillin e Ministrave dhe më pas do të depozitohet në Kuvend. Nisma ligjore parashikon rregullimin dhe kontrollin të kultivimit, përpunimit dhe eksportimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj, të destinuar për qëllime mjekësore dhe industriale.

Për zbatimin e ligjit Krijohet Agjencia Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit, e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Agjencia është e ngarkuar për të kontrolluar dhe monitoruar procesin në të gjitha hallkat që nga farërat, mbjellja, korrja, tharja dhe destinacioni fundor i kanabisit. Sipas nismës ligjore, që një kompani të fitojë të drejtën për kultivimin dhe eksportimin e kanabisit, duket të pasijet me licencë përkatëse. Licenca për çdo kompani të interesuar miratohet nga qeveria bazuar mbi disa kritere dhe procedura përzgjedhëse  të organizuara nga Agjencia Kombëtare e Kanabisit.  Vendimi i qeverisë për pajisjen e një kompanie për licencën për kultivimin e kanabisit propozohet nga Ministri i Shëndetësisë, në rastin konkret nga ministrja Ogerta Manastirliu. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:20
“Në shkolla gjen më shumë kanabis se çokollata”, Ervin Salianji akuza qeverisë për ligjin për legalizimin e kanabisit

Edhe deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji reagoi për projektligjin e legalizimit të kanabisit, ku tha se qeveria po e bën fakt prodhimin e drogës, duke e përligjur me lejimin e kultivimit të kanabisit për arsye mjekësore.

Në një postim në Facebook, Salianji tha se nën qeverisjen e Ramës kanabisi është bërë tejet i aksesueshëm, ku edhe përdori ironinë se: “Kjo politikë ka bërë që sot afër shkollave më lehtësisht gjen kanabis se çokollata”.

Për Ervin Salianjin, ligji për legalizimin e kanabisit e largon Shqipërinë nga Europa.

“Qeverisjen e Ramës më shumë se gjithçka e personifikon kanabisi dhe lidhja simbiotike me krimin! E mbronte me fanatizëm dhe me propagandë kanabizimin e Shqipërisë duke mohuar haptaz faktet e pakundërshtueshme që denonconim thuajse përditshëm.

Tanimë qeveria po bën fakt ligjërimin e prodhimit të drogës dhe trafikimin lehtësisht ku në çdo rast gjoba parashikohet si dënimi më i ashpër!

Kjo politikë e ndjekur ka sjellë pasoja tepër të rënda, në gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri, ku përditë raportohen krime, vrasje, tritol! Kjo politikë ka bërë që sot afër shkollave më lehtësisht gjen kanabis se çokollata! Ky projekt bashkë me projektin për amnistimin e parave të pista e kthen Shqipërinë nën sovranitetin e plotë të kontigjentëve kriminalë! Ditën kur Bashkimi Europian angazhohet maksimalisht për të hapur rrugën e Shqipërisë për çeljen e negociatave, Edi Rama dhe qeveria e tij nxjerrin për konsultim ligjin për kanabisin. Shqiptarët duan europën por Edi Rama ka tjetër rrugë!”, shkroi Salianji.