Rishikimi i ligjit për librin u diktua nga nevoja e ndryshimeve të thella që kanë ndodhur, që kur ligji ekzistues është hartuar vite më parë.
“Në lidhje me ligjin aktual për librin në Republikën e Shqipërisë, megjithëse ka shërbyer për një periudhë të gjatë nuk i përgjigjet shumë realitetit bashkëkohor të zhvillimeve teknologjike, të ndryshimeve në tregun e librit dhe nevojës për qasje gjithëpërfshirëse dhe dixhitale. Në dekadën e fundit, transformimi teknologjik dhe kalimi drejt formatit dixhital të librit si dhe kërkesa për akses të barabartë me dijen për të gjitha grupet e shoqërisë, përfshirë personat me aftësi të të kufizuara kanë sjellë domosdoshmër domosdoshmërinë kryesore për ndryshimet ligjore që ne do propozojmë sot. Ky rishikim ligjor i hap rrugën edhe diskutimit për librin dixhital. Pra krahas atij libri tradicional, botimit që ne të gjithë njohim dhe që patjetër nuk duhet të humbi dhe kujdesin ndaj librit tradicional. Garantimi i pasurimit të përvitshëm me botime të reja të Fondit Libror të Bibliotekave vendore është një çështje tjetër po aq e rëndësishme duke dhënë statusin e Fondit buxhetor të patjetërsueshëm blerjes së librave për bibliotekat publike të njësive vetëqeverisjes vendore duke garantuar aksesin e librave dhe në nivel lokal.”, - tha zv. ministrja e kulturës, Lira Pipa.
Por sipas deputetëve të opozitës, atyre po u paraqitet pa ndryshim i njëjti version i mëparshëm.
“Nuk ka ndryshuar asnjë presje e ligjit. Të na jepni mundësinë të mos punojmë me një draft të tillë se nuk ka kuptim pastaj. Si është e mundur që morët kaq shumë kohë, një kohë e gjatë dhe ligji ka ardhur përsëri në të njëjtin format. sot me të gjithë diskutimet që unë kam me përkthyes, me botues, thonë biles ka nga ata që thonë për çfarë të vijmë që të dëgjohemi se aty është e gjitha për t'u ndryshuar. ”, u shpreh Ina Zhupa, kryetare e komisionit.
Sipas Zhupës i vetmi ndryshim në ligj është pjesa që lidhet më Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.
“Ndryshimet e ligjit kanë qenë merak apo qokë për QKLL. Nuk di a i kontribuon diçka më mirë librit në Shqipëri. Ky është ndryshimi më i gjatë për t’i rritur kompetencat dhe fuqinë dhe për ta trajtuar me statusin e institucionit qendror.”, vijoi ajo.
Gjekmarkaj ngriti si problematikë edhe gjendjen e vështirë ku ndodhet sot Biblioteka Kombëtare dhe gjithë biblotekat në vend. Ndërsa zëvendësministrja Pipa tha që nuk mund të ezaurohen të gjitha problemet me këtë projektligj. Seanca u mbyll me vendimin që të zhvillohen dëgjesa të tjera me grupet e interesit, përpara se projektligji të kalojë në shqyrtim nen për nen. Drafti për librin, i diskutuar prej vitesh, mbetet një nga ligjet më të debatuara në fushën e kulturës.
Komente









